• |
ide | kryesore

Prishën kontratat e tyre për premtimet e Flamurtari: Ja kush u zhgënjye në Vlorë…

Sport



Të thëna e të stërthëna, problemet e Flamurtarit bëhen gjithnjë e më të thella, duke e vënë klubin tek litarët, në pritje të goditjes së radhës, që nuk dihet nga vjen më parë. E fundit ishte disfata në ndeshjen e shtyrë me Tiranën, për Kupën e Shqipërisë, ku bardheblutë u imponuan me një 2-0 që vështirë se përmbyset në Vlorë: të paktën jo në këto kushte. Jo në këtë gjendje që kuqezinjtë u shfaqën në fushë, një skuadër e corganizuar, larg agresivitetit karakterial. E dorëzuar në mëshirën e problemeve, në pritje që një mrekulli të ndodhë. Nuk ndodh në fakt, për sa kohë koha shtrëngon dhe mundësitë ikin.

Ndoshta tek Flamurtari janë lodhur duke bërë sforco, ato që në fillim të sezonit u konsideruan një shenjë potente e një kampionati ndryshe nga vitet e fundit. Ilir Daja iu rrëmbye Skënderbeut, gati me kënaqësinë e një hakmarrje për titullin e 2011. Tekniku ishte i duhuri, për ta spostuar projektin e korcarëve në vështirë, në Vlorë ku financat diktonin pretendimet. Kështu sepse tekniku, vetëm i lirë nuk është, ekonomikisht duke folur.

Danilo Alves u kthye, i kërkuar me ngulm, i bindur se jo vetëm problemet e një viti më parë nuk do të ekzistonin, por edhe sportivisht klubi do të synonte objektiva të rëndësishëm. Konkluzioni: në dhjetor sulmuesi shijon pushimet në shtëpi në Brazil, në kohën kur prêt instancat përkatëse ti zgjidhin cështjen e pagave.

E njëjta gjë i ndodhi edhe me Elton Kale. Braziliani qendroi peng i mosmarrëvëshjeve për muaj të tërë, në pritje të një akordi mes Kukësit e klubit të tij të dëshiruar, që u zgjidh me zhurmë eurosh. Ta dinte Kale se cfarë do ta gjente në Vlorë, aty ku rrogat e premiot e verilindorëve janë një mirazh i largët e i frikshëm, këtë sakrificë nuk do ta kalonte as nëpër mend.

Cështje pagese e solli në qytetin bregdetar Agustin Torassa. Prishja me Partizanin ishte për thërrime, premtimet tek Flamurtari e joshën shumë më tepër. Por premtimet mbetet premtime dhe në xhepat e sulmuesit nuk ka përfunduar asgjë. 30 % e kontratës e paguar apo jo, në këtë pikë pak rëndësi ka, koha kur klubi bën sforco e lojtarët gjithashtu ka përfunduar.

I fundi që nuk duroi dot më situatën, edhe pse ankesën e kishte bërë më parë në FIFA, është Tomslav Busic. Në takimin me administratorin Sinan Idrizi, kroati ka prishur kontratën me marrëveshje, me kushtin të heqë dorë nga padia në FIFA. Sipas të gjitha gjasave tashmë Bushiç do të firmosë për Teutën.

Në Vlorë presin që ky makth të përfundojë sa më shpejt, të lodhur psokologjikisht, e të pamundur financiarisht…e gjitha kjo, e referuar në Selman Stërmasi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *