• |
ide | kryesore

Haradinaj: Këtë vit, marrëveshje me Serbinë

Lajme, Të fundit



“Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës është e mundur këtë vit, por nuk mund të përfshijë ndryshime kufijsh”. Kështu shprehet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për AFP, duke paralajmëruar se këmbimi i territoreve mund të rikthejë në jetë demonët e së shkuarës në Ballkanin e lënduar nga luftrat.

“Opsioni apo modeli i një marrëveshjeje që përfshin diskutimin e territoreve dhe kufijve është i rrezikshëm. Ndaj, kjo nuk na sjell më pranë një marrëveshjeje, por na largon”, tha Haradinaj.

Ideja që Serbia dhe Kosova t’i japin fund konfliktit të hershëm mes tyre përmes këmbimit të territoreve ka ndezur shumë debate vitin e shkuar, shkruan AFP, me dy presidentët respektivë që kanë sugjeruar se një gjë e tillë mund të jetë në tryezë. Por, për Haradinajn, kjo është e papranueshme.

“Hapja e diskutimeve mbi territorin dhe kufijtë është një hapje e të shkuarës. E shkuara ka qenë tragjike në rajonin tonë dhe nuk është racionale të lëvizësh në këtë drejtim, është madje e rrezikshme dhe unë në mënyrë kategorike e kundërshtoj këtë”, theksoi kryeministri kosovar.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE kanë ngecur, por sidoqoftë, për Haradinajn një marrëveshje është ende e arritshme, ndoshta edhe këtë vit: “Për ne është fundi, nuk është më fillimi, për ne është koha që të mbyllim llogaritë dhe të arrijmë një marrëveshje. Është njohja ajo që mbetet. Nuk kemi më çështje të hapura mes Serbisë dhe Kosovës”.

Ajo që ka acaruar më shumë situatën është edhe taksa që qeveria e Kosovës ka vendosur mbi Serbinë, që për Haradinajn nuk do të hiqet pa patur diçka në tryezë: “Nëse situata bëhet serioze, nëse ne kemi një plan në tryezë që është afër një marrëveshjeje, ne do ta heqim taksën, do t’i japim kësaj marrëveshjeje një shans. P.sh., nëse ka një konferencë si ajo e Rambujesë apo diçka të ngjashme, me qëllim që të arrihet diçka, atëherë ne do t’i japim një shans. Nuk është në interesin tonë të bllokojmë një marrëveshje mes nesh dhe Serbisë. Por, derisa kjo marrëveshje të arrihet, tarifat do të mbeten në fuqi”./Rtk

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *