• |
ide | kryesore

Premtim pa vendim, vazhdon beteja kundër HEC-it në kanionin e Holtës

Lajme, Të fundit



Përfaqësues të qeverisë pretenduan se kishin pezulluar punimet për HEC-in në kanionin e Holtës në Gramsh, por përfaqësuesi i kompanisë thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim për pezullimin e punimeve. Banorët e zonës kërkojnë spostimin e HEC-it nga kanioni.

Përfaqësues të qeverisë dhe opozitës “u përplasën” dy ditët e fundit në hyrje të kanionit të Holtës, ku prej muajsh kanë filluar punimet për ndërtimin e një hidrocentrali. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ministri i Mjedisit, Blendi Klosi dhe deputeti i PS Taulant Balla në një takim me banorët të premten lanë të kuptohej se punimet ishin pezulluar, bashkë me të gjitha HEC-et ende jo-operative.

Ndërkohë të shtunën, deputetë të opozitës, banorë dhe aktivistë të mjedisit kërkuan anulimin e projektit për të ndërtuar HEC në hyrje të kanionit dhe akuzuan qeverinë për “shkatërrim të natyrës”. Ata akuzuan qeverinë se po mashtronte me vendimin për pezullim.

Përfaqësuesi i kompanisë Era Hydro, Nertil Gjata, që ka marrë me koncesion ndërtimin e HEC-it në përroin e Holtës tha në një bisedë telefonike se ata nuk kishin marrë ende njoftim për pezullim të punimeve. Gjata këmbënguli se ata kishin marrë çdo leje të nevojshme dhe nuk po shkelnin asnjë ligj, ndërsa shtoi se punimet ishin ndaluar prej ditësh për shkak të motit.

Protestat për ndërtimin e HEC-it në Holtë filluan disa ditë më parë, pas publikimit të fotografive të një godine me beton që po ndërtohej në afërsi të hyrjes së kanionit.

Blendi Dyrmishi, një prej administratorëve të faqes që denoncoi ndërtimin në Facebook, “Gramshi Online” i tha BIRN se një sërë ndërhyrjesh që ishin bërë tashmë dhe ndërhyrjet e pritshme po e shkatërronin hyrjen për në kanion.

“Ne dërgojmë qindra vizitorë çdo fundjavë aty, por nëse ndërtohen diga dhe godina betoni nuk kemi ku t’i çojmë vizitorët”, tha Dyrmishi.

Kanioni i Holtës është shpallur “Monument Natyre” dhe konsiderohet zonë e mbrojtur, ndërkohë që HEC-i i kompanisë “Era Hydro” është i dyti që ndërtohet në zonë.

Një tjetër i ndërtuar disa vite më parë merr ujin mbi kanion, por godina e HEC është ndërtuar poshtë kanionit po ashtu pranë hyrjes së tij. Një HEC i tretë planifikohet të ndërtohet në të njëjtën rrjedhë lumi.

Dyrmishi tha se HEC-i i parë dhe një tjetër i ndërtuar menjëherë pas Ujvarës së Sotirës kanë dëmtuar natyrën e dy monumenteve të natyrës në Gramsh, por kanë kaluar pa u vënë re për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit dhe vëmendjes.

“Tani ka 3-4 vjet që zona ka vëmendje. Vetëm vitin e fundit kemi dërguar mijëra turistë, por ata janë të intersuar për të parë kanionin, jo digën apo godinën e HEC-it”, tha Dyrmishi gjatë një proteste të premten në Sheshin Skënderbej kundër ndërtimit të HEC-it në Holtë dhe kërkimeve për naftë në Zagori. Ai tha se ndërtimet e HEC-it cënonin prespektivën për turizëm në zonë.

Pezullim.. deri në një vendim të dytë

Duke filluar nga vitit 2002 në Shqipëri janë firmosur gati 190 kontrata koncensionare për ndërtimin e mbi 500 hidrocentraleve. Nga këto leje të dhëna rreth 200 kanë përfunduar së ndërtuari,  43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen.

Një pjesë e mirë e këtyre lejeve kanë sjellë përplasje me banorët lokale dhe në rastet e lumenjve Vjosë dhe Valbonë, edhe protesta ndërkombëtare. Lejet në mjaft raste, ashtu si në Holtë janë bërë pranë ose brenda zonave të mbrojtura, duke cënuar monumente të natyrës. Ndërkohë dëmet në mjedis prej futjes në tuba të qindra kilometrave përrej e lumenj, janë ende të paqarta.

Të premten në 25 janar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi të ndjekur dhe nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u ndalën në një dëgjesë me banorët e zonës përreth kanioneve të Holtës.

“Kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre”, tha Balluku gjatë kësaj dëgjese, duke përsëritur ato që kishte thënë një ditë më herët në një konferencë për shtyp.

Balluku megjithatë nuk ishte e qartë nëse do të kishte pezullim apo anulim të HEC-it në fjalë. Ajo e cilësoi këtë të fundit “situatë ligjërisht të paatakueshme, por faktikisht të papranueshme”, por u tha banorëve se rasti i Gramshit do të kthehej në një platformë diskutimi për të përmirësuar bazën ligjore.

Në një komunikim me telefon, një përfaqësuese e ministrisë i tha BIRN se HEC-i në Holtë ishte pezulluar “deri në një vendim të dytë”. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se në këtë rast ka reflektim dhe jo siç ka ndodhur në rastin e HEC-it në Sotirë, i miratuar në vitin 2012, që është ndërtuar në këmbët e ujëvarës. Balla po ashtu tha se nëse punimet për HEC-in do të cënonin kanionin, leja do të anullohej.

Por të shtunën deputetë të opozitës dhe ambjentalistë u mblodhën në një protestë në grykën e kanionit të Holtës. Ata akuzuan qeverinë se po mashtronte me lajmin e pezullimit, ndërsa kërkuan anullimin e HEC.

Drejtuesi i departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi gjatë protestës në Holtë deklaroi se dëgjesa e supozuar një ditë më parë e përfaqësuesve të qeverisë ishte një farsë. “Kishin sjellë 50 kolltukë e karrike këtu një ditë më parë kukullat e Kryeministrit. Ata thanë që e kanë pezulluar, por si mund të pezullohet kur ka një vendim me firmë dhe vulë në fuqi? Çfarë do të thotë pezullim?”, tha Malltezi.

Përfaqësuesi i kompanisë Era Hydro, Nertil Gjata tha se nuk ishte interesuar për përplasjet politike dhe se nuk kishte “asnjë shans” që leja që ai kishte marrë të anulohej.

“Ata mund të theren me thika po të duan me njëri- tjetrin”, tha Gjata. “Unë për dy vjet kam shkuar derë më derë në dhjetra drejtori e ministri dhe kam marrë miratimin dhe çdo dokument është në rregull,” shtoi ai.

Banorët kërkojnë spostim  

Leja për HEC-in në Holtë u dha në prill të  vitit të kaluar. Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.5  që mban datën 20 prill 2018 “ndërtimi i burimit gjenerues të energjisë, hidrocentralit Strori në përroin e Holtës dhe Seltës…” i jep të drejtën kompanisë të fillojë nga puna. Dy ditë para këtij vendimi, Ministria e Mjedisit nëpërmjet strukturave të saj kishte miratuar Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis paraprakisht.

Në vendimin e saj, Ministria e Mjedisit thekson faktin se projekti është jashtë zonës së mbrojtur, nuk prek monumentin e natyrës dhe se mbështetet në një miratim paraprak të bërë nga Ministria e Mjedisit në vitin 2016, vetëm një muaj nga themelimi i kompanisë “Era Hydro” sh.p.k

Ndërkohë vetëm 7 ditë para vendimit të Këshillit të Ministriave,  Ministria e Kulturës, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar bashkë me projektin e ndërtimit të HEC Strori, duke cilësuar vetëm nevojën e mbikëqyrjes arkeologjike si dhe duke ngarkuar kompaninë që të restaurojë një shtëpie të vjetër në fshatin Kaçivel të Elbasanit. Ndërkohë, bashkia Gramsh në 26 tetor 2018 ka nënshkruar një kontratë dhjetëvjeçare me firmën për përdorimin e territorit ku do të ndërtohet hidrocentrali.

Dëgjesat me publikun rezulton se janë kryer në gusht 2018 dhe nëntor 2018. Procesverbalet e mbajtura kanë komentet e banorëve, firmat e kryetarëve të fshatrave dhe të njësisë vendore. Vetëm në procesverbalin e dëgjesës së parë janë emrat dhe firmat e 13 banorëve. Në të dy procesverbalet mungojnë fotografitë e dëgjesave si dhe numri i kartës së identitetit të banorëve firmëtarë.

I pyetur për këtë, Gjata tha se dëgjesat kishin qenë të rregullta dhe se dokumentacioni i plotë ishte pranë bashkisë Gramsh.

Gjata pretendoi gjatë bisedës telefonike se kishte ndjekur të gjitha procedurat dhe se HEC-i nuk cënonte kanionin. Ai tha se kishte kryer dëgjesa publike me banorët, madje nisur nga kërkesat e këtyre të fundit, kompania i kishte ndihmuar në ndërtimin e një muri pranë kanionit për të penguar përmbytjen e tokës.

“Muri që është ndërtuar pranë kanionit, që është hedhur në Facebook nuk është i joni, është bërë nga banorët për të penguar përmbytjen e tokave. Ne i kemi ndihmuar me makineri kur kanë qenë të lira,” tha Gjata.

Nënkryetari i bashkisë së Gramshit, Enver Qose mori në mbrojtje projektin dhe tha se ai nuk e prekte kanionin, dhe se zhurma është më e madhe sesa “problemi i banorëve”.

Qose ashtu si përfaqësuesi i kompanisë mohuan se do të ndërtohej digë. “Është një vepër me marrje uji, nuk e dëmton kanionin pasi është 142 metra larg kanionit,” tha Qose. Ai po ashtu tha se kompania do të rindërtonte një urë mbi kanion, e cila u shërbente banorëve dhe rehabilitonte hyrjen e tij.  Gjata nga ana e tij nuk ishte në gjendje të thoshte se sa larg nga kanioni ishte vepra që ata po ndërtonin, por pretendoi se ata ishin spostuar edhe rreth 50 metra nga kufiri i lejuar.

Por Blendi Dyrmishi i shpjegoi BIRN se hyrja e kanionit ishte tashmë e dëmtuar. Ai tha se godina e një HEC-i ekzistues ishte ndërtuar mjaft pranë tij dhe se me ndërtimin e veprës nga “Era Hydro”, ajo betonizohej e gjitha.

Dyrmishi tha se banorët kryesisht ishin të shqetësuar për ujin e pijshëm dhe ujin për vaditje. Ndërkohë sipas tij, ndërtimi i dy HEC-eve të reja në zonë, pavarësisht pretendimeve të kompanisë se do të lëshonte ujin që do të duhej në kohën e verës, do të ishin problem.

“Futja në tuba për kilometra të tëra të lumit ndryshon ekosistemin dhe krijon probleme për banorët,” tha Dyrmishi.

Banorë të zonës thonë se nuk ishin kundër HEC-it në vetvete, por kërkuan që ai të spostohej.  “Nuk jam dakort  me ngritjen e këtij hidrocentrali (aty) pasi ndërtimi i prish të gjithë bukurinë të këtij monumenti që ka pasur rrethi i Gramshit. Sikur të ishte më poshtë?! Këta inxhinierët vuajnë vetëm për lekun. Kanë ardhur sa për të kaluar radhën,” tha Brahim Tërvoli, banor i fshatit Liras.

Tërvoli tha po ashtu edhe se fshatrave poshtë HEC-it rrezikonin t’u thahej toka. Ndërkohë një tjetër banor i zonës, Petrit Kotorri thotë se nuk kanë në dorë të tyre të vendosin çfarë është e mirë apo jo pasi kanioni është pasuri kombëtare.

“Për ne duhet të ruhet kjo pasuri. Ekspertët duhet ta vlerësojnë. Edhe hidrocentrali të bëhet, por të ruhet bukuria. Më mirë do të ishte më poshtë. Është pasuri kombëtare dhe jo vetëm e banorëve,” tha Kotorri.

/BIRN


2 Comments

  1. Komente leshi.Gjysma e ketij kazani do mjaftonte.Te mbrosh natyren eshte detyre e detyrueshme,por duhet penalizuar qeveria Duke e hedhur ne gjyq.

  2. Komente leshi.Gjysma e ketij kazani do mjaftonte.Te mbrosh natyren eshte detyre e detyrueshme,por duhet penalizuar qeveria Duke e hedhur ne gjyq.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *