• |
ide | kryesore

Sukaj prezantohet në Vlorë, por me çfarë lekësh u ble sulmuesi?

Sport



Flamurtari prezanton goditjen e parë në merkato për periudhën dimërore, duke vënë nën kontratë Xhevahir Sukaj. Deri këtu nuk ka asnjë problem, madje duhen komplimentuar drejtuesit e kuqezinjve, që në 48 orë arritën të zëvendësojnë Tomislav Busic, duke i dhënë Ilir Dajës një qendër të vërtetë në organikë. Por në kohën kur vlonjatët kanë kaq kohë pa pagesa dhe ngërci financiar ka bërë që të fashiten objektivat e fillimit të sezonit, lind natyrshëm pyetja: Me çfarë parash u ble sulmuesi?

Situata me Bashkinë Vlorë vazhdon të jetë e bllokuar me administratorin Sinan Idrizi që kërkon dëmshpërblimin për borxhet e shlyera me ish-trajnerin Gjoka apo disa lojtarëve të tjerë ish-Flamurtari, në kohën kur nuk e kishte detyrim. Në anën tjetër fondi për sportin ka shkuar për Orikumin me Bashkinë që nuk ka ndjerë detyrimin për të mbështetur Flamurtarin, duke qenë se klubi ka një administrator.

Por kjo situatë e ka lënë klubin pa financa dhe të shqetësuar edhe për një transfertë jashtë pritshmërive si ajo me Tiranën në Kupë, me ndeshjen që u shty për shkak të reshjeve të shumta, duke dyfishuar shpenzimet e kuqezinjve. Pa përmendur këtu se prej muajsh askush nga lojtarët nuk paguhet.

Por Sukaj firmosi dhe shkodrani natyrisht që nuk ka vënë firmën pa paradhënie, në këtë situatë ku kriza financiare e Flamurtarit nuk është e fshehtë. Ndaj në skuadër tashmë edhe ata që e kanë ruajtur qetësinë mund të mos ndihen më aq të sigurtë se para nuk kanë në Vlorë. Kujtojmë se Sukaj është nga ata lojtarë, që janë paguar edhe 2000 euro për cdo gol, kur u kthye në Superiore për të veshur fanellën e Partizanit. Kjo sa për të qenë të qartë për cfarë lojtari bëhet fjalë…financiarisht duke folur.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *