• |
ide | kryesore

Bashkia paguan 8 milion euro për inceneratorin e pa ndërtuar ende

Lajme, Të fundit



Bashkia e Tiranë ka kryer pagesat në prill dhe maj 2018, në kundërshtim me termat e kontratës. Biznesmeni Klodian Zoto mbledh taksat e qytetarëve, ndërsa impianti i kontestuar, ende nuk është bërë funksional.

Neritan Gjergo

Me taksat  e banorëve të Tiranës, bashkia e drejtuar nga Erjon Veliaj ka paguar gjatë vitit 2018 kompaninë “Integrated Energy BV SPV” plot 1 miliardë e 61 milionë lekë, ose e konvertuar në euro rreth 8 milionë të tilla. Kjo kompani ka fituar mes shumë polemikash koncesionin për përpunimin e mbeturinave të kryeqytetit, përmes një marrëveshjeje të lidhur në gusht të vitit 2017. Në fakt, Veliaj pasi mori mandatin e kryebashkiakut e nisi me pompozitet punën për të ndërtuar një qytet të pastër dhe në shumë prej daljeve të tij bënte thirrje e këshillonte për sensibilizim nga ana e qytetarëve, ndërsa nga ana tjetër mbi të rëndojnë akuza për kontratat me kosto të lartë për buxhetin e bashkisë dhe për vdekjen e një 17-vjeçari në landfillin e Sharrës, para se sistemi i menaxhimit dhe përpunimit të ndërrohej. Por, edhe mbi këto veprime, situata e mbetjeve në pamje të parë, nuk krijon përshtypje se gjendja është përmirësuar, ndërsa kazanët e mbeturinave në rrugë të ndryshme, përfshirë edhe në ato kryesoret, qëndrojnë të pa mbledhur për ditë me radhë. Transaksionet për koncesioniarin janë publikuar nga  “Opendata.al”, ku në tabelën e përmbledhur vihet ré se bashkia e Tiranës ka kryer dy pagesa për llogari të kompanisë koncesionare, një në muajin prill dhe një në maj 2018, me vlerë totale 1,061,872,202 lekë. Në bazë të Marrëveshjes Koncesionare, të nënshkruar në gusht 2017 ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, të drejtuar  asokohe nga Lefter Koka dhe kompanisë me seli në Holandë, “Integrated Energy BV SPV”, pjesë e “Integrated Technology Services” të Klodian Zotos, Bashkia e Tiranës ngarkohet për të kryer pagesat për përpunimin e mbeturinave të kryeqytetit.

Kostot

Sipas kontratës, Bashkia e Tiranës do t’i paguajë kompanisë koncesionare 29 euro për ton mbeturina që do të përpunohen në landfillin e Sharrës. Gjithnjë sipas marrëveshjes, bashkia e kryeqytetit duhet të depozitojë minimalisht 200 mijë ton mbetje në vit në vend-depozitimet e koncesionarit. Bashkia e Tiranës ngarkohet gjithashtu që të kryejë pagesat në llogari të kompanisë koncesionare brenda 10-ditëshit të parë të çdo muaji pasardhës. Por, siç rezulton nga pagesat e publikuara në “opendata.al”, Bashkia e kryeqytetit ka kryer vetëm dy pagesa, në prill dhe maj 2018. Asnjë pagesë nuk është kryer në muajt pasardhës, gjë që dikton se impianti i përpunimit të mbetjeve ende nuk është vënë në shfrytëzim dhe shifrat e arkëtuara në llogarinë e koncesionarit janë vetëm për ndërtimin e landfillit. Kontrata koncesionare nuk parashikon afate për përfundimin e punimeve të impiantit. Marrëveshja parashikon një seri detyrimesh për palët, përfshirë edhe kohën se kur duhet të nisë ndërtimi i veprave të parashikuara. Por ajo përshkruan vetëm “datën efektive të fillimit të impiantit” si bazë për nisjen e përpunimit të mbeturinave, pa parashikuar afatin se kur do të nisë realisht aktiviteti për të cilin është nënshkruar kontrata. Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është i treti i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit. Ndryshimi i menjëhershëm i strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve nga qeveria si dhe përfshirja e të njëjtit rrjet kompanish në të tria projektet ka ngritur dyshime për motivime klienteliste pas këtyre projekteve. Qeveria është kritikuar për këtë lëvizje edhe nga ekspertët dhe aktivitet mjedisorë, të cilët mbrojnë idenë se kalimi i menaxhimit të mbetjeve me inceneratorë do të shumëfishojë kostot dhe do të shtojë rrezikun e ndotjeve në mjedis. Para se t’i dorëzohej kompanisë koncesionare, landfilli i Sharrës shërbeu për vite me radhë si një burim të ardhurash për dhjetëra familje në nevojë, të cilat siguronin jetesën përmes industrisë së riciklimit.

Polemikat

Projekti për ndërtimin e inceneratorit në zonën e trajtimit të mbetjeve në qarkun e Tiranës kaloi dëgjesën e parë publike, me ekspertë dhe banorë të zonës dhe grupe interesi në 28 shtator 2018, por u shoqërua me debate. Banorët u ankuan se kompania po u merrte tokën pa të drejtë, duke mos u dhënë as mundësi për t’u punësuar, ndërsa pjesë e aferës ishte edhe fakti që shpërblimi i banorëve për tokën u vlerësuar 2 euro m². “Kjo histori është një histori korruptive. Është subjekt i ligjit antimafia. Po vidhen 128 milionë euro, ndërkohë që fshatarëve nuk u jepet as 2 euro çmimi i tokës. Ka dalë VKM dhe është caktuar fondi i shpronësimeve. Ai është sa dy stilolapsa, vetëm 2 milionë euro”, do të shprehej kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi gjatë dëgjesës. Më tej Malltezi shtone se nuk ka transparencë në lidhje me kompaninë dhe sipas tij kjo është një mënyrë për t’i çuar përfitimet financiare në xhepat e kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës. “A bëhet vlerësimi i mjedisit në fillim apo në fund të procesit? Zotërinjtë kanë përlarë mbi 5 milionë euro. Duhet të ishte bërë në fillim dhe jo në fund. Qeveria po gënjen me fasadën. Kontrata është korruptive sepse i jepet kompanisë me pronar të fshehur. Ligji detyron që nuk mund të marrësh një qindarkë nga buxheti i shtetit, nëse nuk tregon kush janë ortakët e kompanisë. 128 milionë euro do të futen në xhepat e Edi Ramës dhe Erion Velisë. Inceneratori e kthen Tiranën në një kosh plehrash gjigante. Është një projekt korruptiv. Direktiva e BE për mbetjet thotë se duhet nisur nga riciklimi. Ne në Shqipëri po bëjmë 3 inceneratorë, pa pasur nevojë dhe pa prodhuar aq plehra sa nevojiten për ta”, akuzonte Malltezi.

Profil

Kush qëndron pas gjithë këtij biznesi? Kush është njeriu që fiton mbi 200 milionë euro të taksapaguesve pa iu nënshtruar garave? Kush është personi, të cilit iu hapën si me sustë dyert e shtetit aq sa në favor të tij mund të merren edhe 9 vendime shtetërorë brenda një dite? Ai është Klodian Zoto, dikur punonjës në Albtelekom, ndërsa që prej vitit 2010 ka 7 aktivitete tregtare të regjistruara. 9 vjet më parë regjistroi kompaninë ”Integrated Technology Services”, me fokus në ofrimin e shërbimeve IT dhe është pikërisht kompania që shfaqet në të treja koncesionet e inceneratorëve: Në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Ai arriti ta ngrejë këtë kompani me vetëm 100 mijë lekë kapital në vitin 2010, duke e çuar në 10 milionë euro të ardhura shtatë vjet më pas. Dhe e gjitha kjo lidhet me idenë e ngritjes së inceneratorëve (djegësve të plehrave). Ai nis në vitin 2014, kur kompania e Zotos, Albtek Energy sh.p.k, i dërgon një letër qeverisë për një ofertë të pa kërkuar, për ndërtimin e një inceneratori në qytetin më të ndotur të Shqipërisë, në Elbasan. Pas pak javësh, Albtek Energy u shpall “fituese” e një gare pa konkurrentë, me vlerë rreth 22 milionë euro.

Ndërtimi i impianteve për incenerim në dy faza

Dokumenti i dorëzuar në shtator nga kompania që ka bërë vlerësimin e ndikimit në mjedis tregon se zgjidhja teknike e projektit bazohet në ndërtimin e një instalimi për asgjësimin termik të mbetjeve të ngurta urbane me rikuperim të energjisë (incenerator). “Teknologjia e zgjedhur është ajo e shkatërrimit termik me anë të furrave me zgarë të lëvizshme. Sasia e përgjithshme e mbetjes që mund të trajtojë instalimi është rreth 900 ton në ditë. Instalimi do të prodhojë energji elektrike, me anë të një cikli termik me avull që përdor si lëndë djegëse mbetjet urbane”,  vlerëson raporti. Dokumenti nënvizon se impiantet e parashikuara janë dy, dhe do të ndërtohen në dy faza sipas parashikimit që bën edhe kontrata koncesionare. “Projekti parashikon ndërtimin e dy impianteve për incenerim dhe prodhim energjie, me fuqi të prodhuar 7,7 MWe (2 x 3,85 MWe), që do të ndërtohen në faza të ndryshme kohore (njëri pas tjetrit). Sasia e përgjithshme e mbetjeve të trajtuara nga funksionimi i dy inceneratorëve do të jetë rreth 880 t/ditë, në mënyrë që të përballojë dhe volumin total të mbetjeve të qarkut Tiranë. Sasia totale e energjisë që parashikohet të prodhohet nga të katër linjat e incenerimit është 15,4 MWe, dhe konkretisht 3,85 MWe energji, për çdo linjë”, thuhet në dokument. Zona e projektit shtrihet në jug – perëndim të qytetit të Tiranës, në jug dhe lindje të vendepozitimit ekzistues në Sharrë, ngjitur me të. Ajo zë një sipërfaqe prej 120 hektarë (1,200,000 m²), 39.9 % e së cilës është pronë private dhe 60.1 % pronë shtetërore. Vetëm pak javë më parë Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri me dije se ka nisur procesi i shpronësimit në këtë zonë në funksion të zbatimit të projektit të inceneratorit. Raporti analizon të gjithë procesin që do të ndiqet nga momenti kur mbetjet arrijnë në landfill, mënyrën sesi do të bëhet seleksionimi dhe kalimi për djegie, çfarë do të bëhet me mbetjen e hirit dhe me energjinë që prodhohet.

Listëpagesat e Rapiscan-it, 4.5 mld lekë në 4 vjet

Kompania amerikane “Rapiscan”, e cila kishte me koncesion skanimin në dogana nuk është më, por procesin e skanimit vijon të ndjekë partneri shqiptar,  “S2 Albania”. Sipas ligjit që kryeministri Edi Rama miratoi në Parlament, qeveria detyrohet të paguajë për secilin vend skanimi, ndërsa më herët pagesën për ngarkesat e skanuara e bënte biznesi dhe këtë pagesë doganat ua njihnin kompanive si shpenzim të zbritshëm. Në kontratën e dyte, kompania paguhet nga biznesi, por me garanci buxhetore, pra par” direkt nga buxheti i shtetit. Open Data Albania ka analizuar të gjitha listëpagesat që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i ka bërë kompanisë së skanimit përgjatë viteve 2015-2019 dhe rezulton se deri më tani janë paguar 4.5 miliardë lekë në llogari të kompanisë.

Kontrata

Rapiscan është kontratë e firmosur nga qeverisë Berisha, por që është kontestuar fort nga opozita e asokohe, sot në pushtet. Në vitin 2015, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi marrëveshjen e rinegociuar për koncesionin e kontenierëve në dogana. Por, ish-kryetari i këtij Komisioni, Erion Braçe, shtroi disa pyetje lidhur kontratën e koncesionit me kompaninë amerikane “Rapiscan”. Përveç kompanisë amerikane me të cilin ka negociuar drejtpërdrejtë Ministria e Financave, në marrëveshje është përfshirë edhe një kompani tjetër shqiptare që ka blerë 49 për qind të aksioneve. Një element i dytë i dyshimtë në këtë marrëveshje mes kompanisë shqiptare dhe asaj amerikane që ofron shërbimin, është çmimi i ulët me të cilën kompania shqiptare, ICSM ka blerë 49 për qind të aksioneve. Braçe u shpreh se kompania që kushton 360 milionë dollarë ka shitur 49 për qind të aksioneve për vetëm 490 lekë të reja. “Ende pa filluar që të zbatohet kontrata e koncesionit “Rapiscan”, kompania ICMS kanë lidhur një marrëveshje ku transferohen aksione. Në datën 16. 09. 2013, një ditë para se të dilte nga zyra (referuar largimit të kabinetit “Berisha”), kompania ICMS i ka blerë 49 për qind të aksioneve të këtij koncesionari që kushtonte 360 milionë dollarë për 490 lekë të reja”, u shpreh kryetari i Komisionit, Erion Braçe. Gjithashtu, Braçe bëri me dije se kompania shqiptare ka një barrë siguruese nga Banka Kombëtare Tregtare e Shqipërisë. “Përveç se u tha më sipër ka edhe një gjë të tretë. Kompania ICMS që të transferojë aksionet e veta nga Banka Kombëtare Tregtare. Si ka mundësi që një kompani që i blen aksionet për 490 lekë të reja të ketë barrë sigurimi nga Banka Kombëtare Tregtare e Shqipërisë? Besoj se organet e fiskut duhet ta kenë në vëmendje këtë gjë”, citonte Komisionit të Ekonomisë./ Shekulli



2 Comments

  1. Tirana i vetmi kryeqytet ne bote dhe nder me te pasurit me burime, nuk ka akoma uje te pishem
    A nuk e duan nje hu ne byth keta bashkiak dhe keta qeveritar ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *