• |
ide | kryesore

Video/ Partizani prova arratie: Telushi e Bardhi perla para syve të Christian Panucci

F1, Sport, Video



Fitorja e 14 në 21 javë për Partizanin që likuidon 2-0 Kastriotin, duke tentuar shkëputjen e madhe nga Kukësi: tetë është provizorisht diferenca me verilindorët e vendit të dytë, që janë vënë në presionin e rezultatit, kur të kompletojnë ndeshjet me Tiranën për javën e 21. Fitorja e pestë sezonale e të kuqve përballë krutanëve dhe një mesazh golash për teknikun Christian Panucci në tribunën e Selman Stërmasit nga dy emra të përfolur se meritojnë kombëtaren, Bruno Telushi e Jurgen Bardhi.

Dyshja e të Kuqve ka qenë e inspiruar, ndoshta pikërisht për faktin se në tribunë ndodhej tekniku i përfaqësueses. Konsistencë, autoritet dhe veprime prestigji, përligjur me një silurë nga distanca e vlonjatit dhe një tap-in prej sulmuesi të vërtetë nga Bardhi.

46 pikë për skuadrën e Skënder Gegës, por për të marrë suksesin kundër formacionit të Bledar Devollit nuk ka qenë fare e thjeshtë, ndryshe nga shtatë golat në 180 minutat e Kupës. Në fakt, vetëm në pjesën e dytë kualitetet e kryeqytetasve bënë diferencën, duke i shkaktuar humbjen e parë në kampionat teknikut gjirokastrit që kur është ulur në pankinën e krutanëve.

Sinjal force për kryeqytetasit, në pritje të një dhurate nga Tirana, që përballë Kukësit kërkon pikë mbijetese. Ndërkohë, 5 apo 8 qofshin pikët e avantazhit, Gega mundohet të qendrojë e të mbajë edhe skuadrën me këmbë në tokë: javën e ardhshme vjen transferta e Laçit dhe aty asnjëherë nuk është e lehtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *