• |
ide | kryesore

Video/ Milan për Champions: Berisha e Djimsiti bëhen qesharakë nga Piatek

Sport, Video



Milani konfirmohet forca e katërt e kampionatit, duke i dhënë një leksion të mirë Atalantës në Bergamo. Protagonisti absolut i kuqezinjve vazhdon të jetë Krzysztof Piatek, që me dygolëshin e shënuar e con kuotën në gjashtë rrjeta që kur ka mbërritur në Milano. Në Atleti Azzuri D’Italia, në ndeshjen shumë të rëndësishme për zonën Champions në Serie A, Atalanta shënoi e para kundër Milan, duke frikësuar jo pak kuqezinjtë e Gattuso. Avantazhi për bergamaskët është fiksuar nga Remo Freuler në minutën e 33.

Megjithatë, ky gol nuk ishte i mjaftueshëm që Atalanta të merrte pikë, edhe pse ruajti zotërimin më të madh të topit gjatë ndeshjes, duke tentuar madje edhe kuadratin e Donnarumma 13 herë. Atalanta u befasua përpara se skuadrat të zbrisnin në dhomat e zhveshjes nga i zakonshmi Krzysztof Piatek. Sulmuesi polak vazhdon të shënojë me intensitet të lartë, që kur mbërriti tek Milan për të zëvendësuar Higuain. Me një lëvizje të vetme polaku bëri të duken qesharakë Djimsiti dhe Berisha, që vetëm mundën të admirojnë finesën e Piatek.

Në fakt, portieri i kombëtares shqiptare, që është vlerësuar edhe me notën më të dobët të ndeshjes, ka përgjegjësinë e tij edhe në golin e Hakan Calhanoglu, që përmbysi rezultatin. Sulmuesi turk ka ndëshkuar portierin, në minutën e 55, me një goditje nga distanca që e ka gjetur të papërgatitur Berishën.

I coroditur portieri i Atalantës edhe në golin e tretë: shpërbëhet kështu Atalanta, në një ndeshje që e kishte nisur mirë, por që i shpëtoi nga duart në pjesën e dytë. Vetëm 6 minuta pas përmbysjes së kuqezinjve me Calhanoglu, Milan shënoi edhe golin e tretë me Piatek, që i mori kohën portierit shqiptar në një dalje të gabuar.

42 pikë për Milan në vendin e katërt dhe presion ndaj Inter, që ka ende për të luajtur. Atalanta mbetet në kuotën e 38 pikëve dhe me një kalendar më të vështirë se kuqezinjtë: transfertë në Torino kundër Granatave për zikaltrit, ndërsa Milan do të luajë në San Siro kundër Empolit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *