• |
ide | kryesore

Fundoset Kamza, Ymeraj e bën Gjokën të japë dorëheqjen

Sport



Më keq nuk ka ku të shkojë për Kazmën, e mundur në duelin për mbijetesë dhe me trajnerin Ernest Gjoka, që ka dhënë dorëheqjen, pas një humbje in-extremis, në një ndeshje që për pjesën dërrmuese foli për skuadrën e tij. Në qiellin e shtatë Bledar Devolli, hakmarrje kundër ish-skuadrës dhe një ecuri fantastike me tre fitore në katër ndeshjet e fundit, gjë që e ka vënë nën presion tashmë Luftëtarin.

Ishte në fakt ndeshja për të mos u humbur, me dy skuadra me pikë të barabarta, që kishin trenin e fundit, për të vazhduar të besonin tek shpëtimi, por Kamza e thelloi krizën e saj duke vendosur fatet e një sezoni në një ndeshje të vetme.

E njihte mirë Devolli Kamzën dhe e shfrytëzoi duke u imponuar në mesin e fushës dhe duke bllokuar, të paktën në pjesën e parë, cdo top të parë drejt Plakut e Martinenës. Kamza mund të dilte fituese vetëm nga episodet, sepse lojën e kontrolluan miqtë, por edhe në mundësinë që iu paraqit Plaku nuk bëri atë që pritej prej tij. Pasimi i Malajt në të 73′ ishte shansi për të ndryshuar fatet e lojës, por atë që nuk e bëri Plaku, e bëri Ymeraj në minutën e dytë shtesë. Goditja e fuqishme e mesfushorit nuk i la asnjë mundësi Avdylit dhe në entuziazmin e papërmbajtshëm të krutanëve, Ymeraj është i vetmi që nuk festoi në shenjë respekti për ish-skuadrën.

Për Kamzën fatet duken të vendosura, tani edhe pa trajnerin e tretë të sezonit. 19 pikë për Kastriotin, që me këtë rezultat vazhdon të ëndërrojë shpëtimin, duke paralajmëruar kundërshtarët direktë se nuk do të heqë dorë deri në fund



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *