• |
ide | kryesore

Djegja e mandateve, “e keqja” e domosdoshme

1, Ide



Vendimi radikal i PD për të djegur mandatet e deputetëve, si reagimi i vetëm për t’u përballur me një qeverisje autokratike, ka ngritur dilema të mëdha brenda kampit opozitar. Ata që kërkojnë vërtet një zgjidhje të ndershme dhe të drejtë (ku nuk bëjnë pjesë ata që kundërshtojnë më shumë se Ramën, rivalët e tij) po bëjnë një mori pyetjesh:

Mos vallë do të dëmtohet opozita nga zëvendësimi i karrikeve të saj me modele salirexhepërish të paguar nga pushteti? Mos do të krijohet një parlament me 140 ushtarë të Edi Ramës? Mos po i dhurojmë kryerilindastit shumica të kualifikuara, që mund të vendosë nesër edhe për fatin e presidentit, kryeprokurorit apo ligjeve të veçanta? Mos po shkojmë drejt asgjesimit të opozitës? Mos po nxjerim sytë në vend që të heqim vetullat? Mos po shtojmë dozat diktatoriale të një regjimi? Mos në vend që ta shkurtojmë po përjetësojmë pushtetin e liderit global? Mos po rrënojmë përfundimisht funksionimin demokratik të vendit?

Natyrisht për një vendim kaq të fortë, të gjitha këto dilema janë të përligjura. Ato bëhen edhe më të mprehta po të vihen në sfondin e një Eurpoe të hallakatur, të një Amerike të çoroditur dhe të një pjese të madhe të opinionit këtu, që në vend që të rregullojë Shqipërinë, po mendon si e si ta braktisë atë. Pra risku, që në këtë kontekst një pushtet i korruptuar moralisht dhe i pakuruar mendërisht të degradojë edhe më, është i lartë.

   ♦   ♦   ♦

Por, të gjithë ata që kanë këto frikëra, duhet t’i bëjnë së pari një pyetje vetes: A kemi me se çfarë të humbim? A jetojmë sot në një pushtet demokratik? A duhet të jemi në paqe me status quo-në?

A është normale që pasuritë e vendit të ndahen mes 9- 10 oligarkësh? A është normale që për koncesionet dhe PPP mos japë llogari askush? A është normale bashkëjetesa me një parlament që prodhon ligje “ad nominem” për klientët e kryeministrit? A është normale falja antikushtetuese e taksave me efekt prapaveprues prej së cilës përfitojnë më të kamurit? A është normale që prokurorët e Tahirit dhe Gjushit të transferohen? A është normale që pas reformës në drejtësi, të kemi një kryeprokurore me votat e Ramës? A është normale që shoqja e saj e ngushtë, përqesh me shpërfillje atë zdapin e OMN-së dhe përdhos vettingun duke dalë e pastër? A është normale që të provohet me përgjime vjedhja e zgjedhjeve me anë të bandave dhe dosja të fshihet e askujt mos i hyjë gjemb në këmbë?

Ja pra, që kush merakoset për normalitetin dhe demokracinë, gënjen veten duke dashur të ruajë vetëm iluzionin e tyre.
Sot kemi mbërritur në një pikë ku Edi Rama bën ç’të dojë dhe opozita vetëm mund të çirret në parlament në mënyrë të padobishme.

Ajo mund të flasë, të denoncojë, të fitojë beteja si ato për kanabisin, dekrinalizimin, PPP, vjedhjen me tendera, por në fund, e gjitha reduktohet në një hiç, sepse fuqinë vendimamrrëse e ka vota që prodhon çamë në Dibër dhe shokë të Gjushit në Durrës.

Pra në këtë pikë, të kërkosh të bësh opozitarin brenda sistemit, duke shkuar si zyrtar në parlament apo si kandidat në zgjedhje, është një farsë.

Prandaj nëse rruga e djegies së mandateve është një e panjohur e rrezikshme, kjo që kemi aktualisht është një letargji e sigurtë vdekjeprurëse. Pikërisht për këtë duhet ndërprerë.

 ♦   ♦   ♦

Përpos dilemës, sa riskon opozita me këtë hap radikal, ka edhe një tjetër: çfarë përfiton ajo?

Le të jemi të qartë. Me rrugën e djegies së mandateve dhe daljes nga sistemi, askush nuk duhet të fërkojë duart për një fitore të shpejtë. Ajo është një kalvar sa i gjatë, po aq sa edhe i lodhshëm, që kërkon sa vendosmëri po aq edhe nevojë për vetëpastrim.

Por, ky radikalizim do të sjellë, si bonus të parë, një prerje si me thikë në shoqëri, mes atyre që vazhdojnë të mbrojnë të keqen dhe atyre që radhiten kundër saj. Dalja nga sistemi e opozitës do ta lërë Edi Ramën të vetëm përballë shqiptarëve. Ajo do t’i vendosë ata para dilemës, ose ta mbajnë po aq gjatë sa Enverin ose ta tërheqin zvarrë si statujën e tij.

Por, vetëm alibia “nuk më lë Flamuri me Strazimirin të jem kundër Ramës”, pas kësaj nuk do të ketë më kuptim. Sepse hapja e këtij hendeku që provokon një debat kaq thelbësor, vështirë të lërë indiferente ndonjë qenie shoqërore të denjë për këtë emër. Sepse pas kësaj prerjeje me thikë, diskutimi që do të gëlojë, nuk do të jetë se kush është më hajdut apo më kriminel mes Edit dhe Saliut, por krejt e kundërta: a meritojmë ne të jetojmë në demokraci apo në diktaturë?

Një veprim kaq “ekstremist” i opozitës, do të tërheqë drejt Tiranës edhe projektorët e ndërkombëtarëve. Natyrisht si fillim ata do ta anatemojnë PD-në, liderët e saj, do të ushtrojnë presion që mos e hedhi këtë hap, por nëse “gjëma” ndodh, ata, sado të hallaktatur qofshin, do të fillojnë të kuptojnë se nuk mund të ngrihet një regjim autarkik, në një vend që aspiron për në BE.

Shembulli radikal i çadrës së dy viteve më parë, që pasi kërcënoi me bojkotin e zgjedhjeve, e çoi krizën shqiptare nga një çështje lokale ambasadorësh burokratë, në një dosje me të cilën u morën politikanët më me peshë të kontinentit, është prova më e mirë për këtë.

Një radikalizim i dytë, i sinqertë dhe serioz, krijon sërish mundësinë që autoritarizmi shqiptar të mos mbetet në sirtarët e diplomatëve të squllët të Tiranës. Ai ka nevojë për ndërkombëtarizim të fortë.

Këto janë pra dy anët e ndryshme të një vendimi të fortë, për ta nxjerë opozitën nga sistemi.

Në thelb ata që djegin mandatet kanë shumë më pak për të humbur, sesa kanë shqiptarët për të fituar.

Prandaj nuk duhet hezituar për ta hedhur këtë hap.

Nëse si bëhet i sinqertë, jo si taktikë e çastit, jo sa për të kaluar lumin e radhës, të gjithë do të shpresojmë të shohim një ditë, dritë në fund të një tuneli të gjatë.

Nëse ai dështon, e ardhmja është e njohur: do të vazhdojmë të jetojmë në një “demokraci”, ku gjithçka e kontrollon dhe e fiton Edi Rama.

©Lapsi.al



16 Comments

  1. Sa D-ylber je o Andi! Sikur stë besohej që PD do digjte mandatet! Tani që e shpalli thua po sikur e po sikur?! Edhe ti je një Ben-Blush i medias! Ik edhe ti te TOP-Qeni!

  2. Vazhdojne ushtaret e rilindjes si Rama duje thene Dylber dhe Kadri haha, mbetje urbane qe ushqehen me shufren e Rames ne goje ne fund te muajit. Nqs opozita e ben kete sakrifice, do filloje vertete nje erë e re per kete komb. Do kete shume veshriresi dhe sakrifica, por me ne fund do fillojme te ecim ne nje rruge te drejte!

    1. O karaduc i Bajram Currit që nuk tutesh prej “CENTAURIT”! Di të lexosh midis rrjeshtave?! Me injorantë si ju Ripjerdhja me Edvinin në krye ju tërheq për hunde për 100 vjet! Kar me zile!

  3. ndoshta na del me mire keshtu ndoshta krijohet nje parti e re e paperlyer me te rinj qe te na ngjalle shprese se me lul e mul skemi gje ne vije jane te konsumuar totalisht

  4. Kete here shkrumi i Bushatit me duket i sakte. Nga ana tjeter Basha per here te pare ben nje veprim kurajoz duke dale nga Parlamenti. Me kete fiton pike dhe fillon te harrohet marreveshja e 2017-es (natyrisht nese nuk do kete marreveshje tjeter). Sa per futjen ne Kuvend te deputeteve te PS per te zevendesuar opoziten, kam bindjen personale se nuk do te ndodhe, sepse ne kete menyre do perseritej ’97. Kjo levizje me sa duket e ka zene njecike te papregatitur KM te cilit demonstrata e 16 shkirtit iu duk si dicka qe mund te kalohet lehte dhe me batuta. Bllofi me sa duket kete here doli bllof dhe kam pershtypjen, qe me trimerine qe e karakterizon, KM te enjten nuk do jete ne Tirane, por do jete diku duke negociuar paprelshmerine. Gjithsesi te shpresojme qe nuk do te perseritet viti i mbrapshte ’97, pasi ka shume analogji me situaten e sotshme dhe me ne fund Shqiperia do e mbylle tranzicionin.

  5. Shyqyr qe anal istat i mbushen mendjen shqupit te ndjeke rrugen radikale te hedhjes se shtizave dhe te djegies edhe te mandateve. Tani eshte momenti qe ps dhe rama te fitojne mbi 85 mandate ,pasi shqiptaret e ndershem qe duan paqe dhe zhvillim i mbeshtesin.Poshte kerpyrdhat.

  6. Nje dite e bukur per demokracine. Pasojat tashme nuk i dikton me vetem opizita. Eshte nje hedhje ne zemer te popullit. Pavaresisht qellimeve tashme eshte bere nje akt qe tregon se problemet politike nuk mund te zgjidhen si zakonisht. Ndoshta, me shprese, nuk do te qeverisemi me si zakonisht. Pertej cinizmit rilind nje shprese. Gjithsesi duhet vigjilence dhe angazhim maksimal.

  7. Sot po te votohet per PD dhe LSI ndoshta bashke marrin 20%,aq poshte u ul morali sidomos me deklarata butaforike dhe mashtruese.PD dhe LSI jane kaq te korruptura sa nuk kane asnje fuqi me,edhe sikur te digjet vete LULI me Moniken(mos e dhente zoti se na presidentin pa grua) kurre dhe kurre nuk fitojne.Rama nga i treti qe ishte ne rradhe per vjedhje tashtei eshtei pari dhe thote ” e shikoni ,Luli dhe Meta jane mbas meje ,por ata e filluan lojen”.Pra ceshtja eshte se kush eshte i pari dhe rotacioni vazhdon,kurse per mandatet as qe me rruhet suma.Ishalla digjen me gjithe ashensore dhe keshtjellat qe kane.Une nuk vij qe te degjoj dokrra hajdutesh dhe kriminelesh.Boll me leini rehart ne varferine time.

  8. O Albooo ça je tu thon më plak….Luli që hidhet në zemrën time eee….Tobekstarfullah….o je pall o je bq…!
    Ta them une se ça ndodh: do boj vaki fiks si me çadrën…doli Ed zoçka nga parlmenti dhe hyri në çadër …. e imitoi edhe Luli! Dogji mandatet Luli…do i djegi edhe Edua…madje si më i ftillum se Luli që është… shpall zgjedhjet e parakohshme dhe pastaj deklaron se nuk futet në zgjedhje ….!
    Vetëm se dopio gjashta në dorë nuk do i mbesi Lulit në dorë po neve boleve që nuk jemi të zotët as ti shkojmë në hu gjithë këta pushta e as të krijojmë parti të reja për të qenë po rrijmë e bëjmë sehir si zakonisht si na vjedhin e pastaj na fusin edhe një të qime…!
    Përpara kemi edhe 100 vjet zbrazje të qetë të vendit ose një 97 tjetër …..po ju vazhdoni boni tifozllik për skuadrat e zemrës që jua rujt dreqi ….aman!

  9. Merruni me kerpudhen dhe bojen,shume poshte keni rene,hajdutet nuk Kane moral.Sikur Berisha te digjej me benzine do ishte ndoshta dicka sublime.Te gjithe tallin bythen ,,deklarata femijesh…kush beson me,askush. Saliut I vjen era barut sepse asnjhere nuk ka fituar pa vrare.Nanos I befte mire burgu nga Saliut.Kohet nderruan,hajdute Rama nuk vret por vjedh me demokraci.Kjo eshte loja.Luli duhet te iki medoemos,ndryshe edhe emri I PD do te shuhet.

  10. Bushatit as i rruhet per opoziten se inatin e ka me Ramen, po ashtu edhe Bashes per PD’n se nuk ka asnje fitore qe te deshmoje – vetem tre zgjedhje te humbura thelle.
    Sikur PDja te shuhet fare Basha iken ne Hollande ndersa Busahti vazhdo me kocken tjeter.

  11. Po të ishin kuotuar ke William Hill “premtimet bombastike të opzitës” kumarxhinjtë do kishin bo lekë pafund duke i shkuar kundra. Nuk dalim nga çadra => dolën ; Fitojmë zgjedhjet => nuk fituan ; Nuk do njohim zgjedhjet => i njohën ; Nuk futemi më në parlament => U futën prap ; Me 16 shkurt rrëzojmë Ramën => Nuk e rrëzuan ; Do djegim mandatet => Sa është koefiçienti rradhës ?! 😀

  12. Ke te drejt Bushat.
    Edhe pse u be de kriminalizimi ,kriminelet e gjeten rrugen per ne parlament (rasti cames ne vlore).

  13. Shkrimit tuaj, z Bushati kush ka sy, kush ka vesh, kush ka mendje, dhe qe nuk eshte ne ate pakicen e oborrtareve te Surelit, nuk i heq dot nje presje.
    Jane te gjitha mese te verteta kane ndodhur ne kete vend, dhe jane domethenese.
    Ky kryeminister ka deshtuar. Nuk qeveris ka kohe. Ka marre pamjen e nje showman qe kujdeset vetem per rrjetet sociale. Ne momentin qe ka nje problem ne Tirane, ky jo sikur eshte i pari qeverise, por kris e arratiset nga Tirana. Ka mbledhur rreth vetes, si me komande gjithe llumin e ketij vendi. Vini re ke ka bashkepunetore te afert. Njeri me injorant dhe i peshtire se tjetri.
    Nje kryeminister thellesisht i korruptuar, qe mbron interesat e nje pakice njerezish ( jo me shume se 20-30 vete) te cilet duket sikur i favorizon por ne thelb i shtrydh dhe perdor per te pastruar parate e veta. Me heshtjen dhe bashkepunimin ne hije, ka bere pasuri pafund, dhe se fundmi me keto leke dhe pishtet ju behet presion bizneseve nderkombtare, per tu shitur. U shit Sheratoni, Telekomi, Tirana bank , i behet presion i jashtezakonshem Rognerit, BKT, dhe synohet forte Vodafone Albania.
    Diskutohet shuma maramendese paradh

  14. Djegja e mandateve nuk eshte e keqja e domosdoshme por e vetmja rruge ose me sakte e vetmja zgjidhje. problemi qendron se çdo te vije me pas . A do te behen reformat e duhura apo jo dhe keto reforma a do jene ne interes te qytetarit apo jo . Aftesia dhe lufta e ju analisteve qendon ne faktin qe te jeni vigjilent qe çdo marreveshje pozite -opozite te jete ne favor te qytetareve dhe vendit dhe jo ne favor te partive.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *