• |
ide | kryesore

Prapaktheu i dytë i Gjicit: Cungu qendron por me një kusht

Sport



Nga shkarkimi i paralajmëruar tek prapaktheu me një kusht. Tek Kukësi asgjë nuk është normale në këtë fazë e presidenti Safet Gjici, nën presion, e ka të vështirë të marrë vendim. Ose më keq akoma, ndryshon mendje dhe këtë e ka treguar edhe më parë.

Kur Armando Cungu është shfaqur në qendrën stërvitore të Pezë Helmësit, surpriza ka qenë e madhe, deri edhe tek lojtarët. Numri 1 i klubit është tërhequr nga vendimi i parë, duke reflektuar edhe këshillat e drejtuesve të klubit Ramdan Ndreu, drejtori i përgjithshëm, dhe ai sportiv Nderim Nexhipi, se nuk ishte e këshillueshme një lëvizje e tillë, në këtë moment të sezonit.

Gjithësesi për Cungun, pankina e shpëtuar ka një kusht: katër fitore radhazi, gjë që presidenti e pohoi edhe në konferencën për shtyp, ku për të larguar presionin nga tekniku, u prezantua vetë. “Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi. I kam kërkuar Cungut të jetojë në Tiranë, nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje për në Shkodër. Ka pasur jo pak probleme, që do t’i zgjidhim. Sot kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, do të ketë premio nëse arrijmë objektivin në ndeshjet e radhës”, përfundoi Gjici.

Nuk është hera e parë në fakt që Gjici kthen vendimet e tij dhe rasti më flagrant ishte ai i Besar Musollit, të cilit madje i kishte zyrtarizuar largimin nga Kukësi, pas dëmtimit të rëndë që pësoi kosovari. Por vetëm dy ditë më pas, presidenti i Kukësit riktheu mesfushorin difensiv në organikë, duke e vënë edhe një herë nën kontratë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *