Policia e Shtetit ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo veprimi të paligjshëm dhe çdo akti dhune në protestën e ditës së nesërme.
Gjithashtu ka deklaruar se ka marrë informacione prej shërbimeve përkatëse se ka nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Ajo çfarë synohet prej protestuesve, sipas policisë, është hyrja me forcë në sallën e Parlamentit.
DEKLARATA E PLOTË
Policia e Shtetit në zbatim të ligjit “Për tubimet”, si dhe në mbështetje të së drejtës së organizmit të tubimeve paqësore të qytetarëve, ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës së njoftuar nga subjektet politike të opozitës, për datën 21 shkurt 2019.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si edhe paprekshmërinë e institucioneve gjatë kohës së zhvillimit të protestës.
Nga informacionet e mbledhura nga shërbimet përkatëse, ka të dhëna për nxitje të dhunës dhe organizime me natyrë kriminale. Synohet hyrja me forcë në sallën e Parlamentit, duke ushtruar dhunë mbi personelin që ka detyrimin ligjor të sigurojë mbrojtjen e institucionit themelor të demokracisë.
Policia e Shtetit e siguron opinionin publik, se forcat e rendit dhe sigurisë janë të gatshme t’i përgjigjen me forcën e ligjit dhe në proporcionalitet të plotë, çdo veprimi të paligjshëm apo akti dhune. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për identifikimin dhe skedimin e çdo individi që do të evidentohet si shkelës i ligjit, si edhe për ndalimin e për nxjerrjen e çdo shkelësi përpara drejtësisë.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për bllokimin e disa rrugëve që lidhen me vendin ku do zhvillohet protesta, si dhe për kontrollet e shtuara përgjatë akseve rrugore kombëtare, që ajo është e detyruar të zhvillojë, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe të vetë protestës. Ftohen të gjithë qytetarët që kanë informacione me rëndësi, të kontaktojnë në anonimat në numrin e telefonit pa pagesë 112, ose në Komisariatin Dixhital!