• |
ide | kryesore

Video/ Edhe me penallti në favor, Teuta mbytet në Gjirokastër: kështu nuk fitohet titulli

F1, Sport



Teuta ëndërroi shumë shpejt titullin, duke menduar se kur Partizani humbi në Laç, atëherë shumë mirë mund të linte pikë edhe më tej, duke e bërë rikuperimin e 7 pikëve të mundshëm. Vetëm se harroi skuadra e Bledi Shkëmbit se më parë duhet të fitonte vetë ndeshjet e saj, duke filluar nga ajo e Gjirokastrës me Luftëtarin. Bluezinjtë kishin dalë nga kriza me Ahmatajn, por pavarësisht kësaj morën një 1-0 që nxjerr gati KO durrësakët në luftën për titull. E të mendosh që në favor Teuta pati edhe një 11 metërsh, që mund të ndryshonte fatet e lojës.

Atë që Progni bëri në ndeshjen me Kukësin, duke përmbysur rezultatin që ishte në favor të Bluve, sulmuesi e shpërdoroi kundër Luftëtarit në minutën e 73, kur nga pika e bardhë e penalltisë u ndal nga portieri Ruçi. Teuta pretendoi edhe në dy raste të tjera në pjesën e parë, por arbitri Beqiri vazhdoi lojën: sidoqoftë mundësinë për të shmangur humbjen, e për të tentuar madje fitoren në 13 minutat e fundit Shkëmbi e pati, por skuadra edhe një herë u fik atëherë kur nuk duhej, duke i dhënë mundësinë Kukësit të rimarrë vendin e dytë dhe Partiznit të arratiset përsëri.

Vendosi një gol i Rrapos në minutën e 32: nuk humbet rastin Luftëtari për tu larguar sa më shumë nga zona e rrezikut, duke ruajtur njëkohësisht edhe kontaktet me Tiranën, që është vetëm tre pikë përpara dhe javën e ardhshme pret derbin me Partizanin.

Pikërisht duke qenë se vjen përplasja kryeqytetase, të kuqtë nuk mund të lejojnë gabimin e dytë radhazi, kur të luajnë përballë Flamurtarit. E nga Teuta, të presë gabimet e panumërta të një skuadre që pëson gola me pikatore, është e palogjikshme. Ndeshjet direkte të Partizanit me dy skuadrat ndjekëse mund ta ndryshojnë verdiktin e thënë deri tani në kampionat, por për ta bërë këtu durrsakët e Kukësi duhet të reshtin së lëni pikë rrugës e të shpresojnë që Partizani ndeshjet me ta do ti humbasë të gjitha…vetëm kështu mund të dalin llogaritë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *