• |
ide | kryesore

Video/ Kastrioti del përsëri me pikë, por mbijetesa venitet

Sport, Video



Pas fitoreve të Luftëtarit e Tiranës, për Kastriotin fitorja ishte e detyrueshme për të mbajtur në kontakt zonën e shpëtimit, por pavarësisht se skuadra e Bledar Devollit doli përsëri me pikë nga fusha, shpresat për mbijetesën duken të venitura. Vetëm 1-1 me Laçin e madje me fat krutanët që rrezikuan të ndëshkohen nga shtylla e goditur nga Shtubina në fund.

Rezultati i katërt pozitiv në 5 ndeshjet e fundit për Kastriotin, që me Devollin në pankinë, po bën performanca shumë të mira, që këtë herë nuk e ndihmuan të dilte me fitore nga fusha. Kurbinasit, që një javë më parë mundën Partizanin kryesues, menduan që mund ti gëzoheshin fitores së dytë radhazi, pas golit të Fangajt në minutën e 10: bardhezinjtë kishin mundësinë të godisnin përsëri, por më pas lëshuan lojën në këmbët e Kastriotit.

Devolli përdori të gjitha kartat për të ndryshuar fatet e lojës: në këtë pikë të sezonit, të guxosh është e vetmja gjë që ka rëndësi. Shehu dha shpresë me golin e minutës së 54 dhe në fakt koha për të bërë përmbysjen ishte. Tekniku Devolli e shtyu skuadrën të gjithë përpara, duke rrezikuar të ndëshkohet në kundërsulmet e shpejta të Lacit, që me Cokaj e Shtubinën rrezikuan ti shkaktonin teknikut humbjen e dytë që kur ka mbërritur në Krujë.

Zona e shpëtimit, që përfaqësohet nga Luftëtari, tani është 5 pikë larg dhe për Kastriotin duhet një mrekulli, për tu futur sërisht në shinat e duhura, për të rikuperuar diferencën: ndoshta java e ardhshme mund të jetë vendimtare kur Luftëtari e Tirana të luajnë ndeshje shumë të vështira, respektivisht ndaj Kukësit e Partizanit, ndërsa krutanët të vizitojnë Flamurtarin në Vlorë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *