• |
ide | kryesore

Shpërthimi i një socialisti/ PS ka nevojë për një kryeministër të ri

Blog

Nga HAMDI JUPE  / Protesta e opozitës mbushi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me njerëz. Nuk ishin parë aq shumë protestues prej shumë vitesh në shesh. Na nxori mallin e protestave të moçme. E pashë në televizor dhe u kënaqa. Protesta zgjati për pesë orë, si asnjëherë tjetër më parë. Ajo u transmetua në të gjitha televizionet e botës. I pashë vetë në disa prej tyre. Na nxinë faqen televizionet e huaja. Por fajin për këtë e ka Arta Dade, që ka kritikuar qeverinë në një artikull a intervistë në një gazetë të Tiranës.

Protestuesit sulmuan selinë e qeverisë. Në atë seli është zyra e Kryeministrit. Ajo zyrë është e mbushur me pikturat e Edit. Atje ka edhe një fushë basketbolli, enkas për të luajtur Kryeministri. Atje, edhe fasada e ndërtesës gati njëqindvjeçare kryeministrore, është ndryshuar, sipas shijes së Kryeministrit aktual. Në oborrin e Kryeministrisë ishte vendosur edhe një kërpudhë prej çimentoje (e paharruar qoftë!) Domosdo, kërpudha është simboli ynë kombëtar! Thonë se kërpudha ishte vendosur atje me qëllim që të tërhiqte sulmet e opozitës mbi vete dhe kështu, të shpëtonte zyra kryeministrore, e kthyer në studio piktori. Dhe opozita ra në kurth. Fajin për këtë e ka Arta Dade.

Po si nuk u kujtua Kryeministri të vinte edhe një monument të preshit atje, te dera e Kryeministrisë, ashtu, prej allçie dhe të lyer me bojë preshi, se preshi na mban gjallë tre muaj të vitit, atëherë kur nuk ka perime të tjera të freskëta? Ky do të ishte një kontribut i shquar në fushën e zhvillimit intensiv të bujqësisë socialiste. Kështu do t’i mbyllej goja edhe Arta Dades dhe nuk do ta kritikonte më qeverinë.

Ndërkohë që po organizohej protesta në Tiranë, Kryeministri kishte organizuar në Vlorë antimitingun e popullit të qytetit të pavarësisë. Kishte lezet: miting në Tiranë, antimiting në Vlorë. Të dyja “live” në televizor. Na nxori mallin e antimitingjeve, kur u rrëzua monumenti i shokut Enver. Të tilla mitingje/antimitingje, populli ynë kishte parë vetëm atëherë. Edi Rama atëherë ishte në miting në Tiranë, jo në antimiting, si tani në Vlorë. Kryeministri deshi të tregojë se sa shumë e do populli atë dhe qeverinë e tij. Mirë se erdhe Edi Djali, se neve na mori malli! Ai mund ta bënte mitingun atje një ditë para ose një ditë pas, por jo, duhej bërë pikërisht atë ditë dhe atë orë që kishte miting opozita. Por fajin për këtë e ka Arta Dade. E ka thënë edhe kryetarja e sotme e gruas socialiste në “Facebook”.

Pensionet për këtë vit do të rriteshin 2,5 për qind. Kaq ka thënë opozita (se qeveria nuk e ka dhënë akoma sihariqin). Pensionet do të rriten një muaj para zgjedhjeve lokale të qershorit, me qëllim që pensionistët të mos harrojnë të mirën që po u bën qeveria, (të mos harrojnë, gjithashtu, gjelin e vitit të ri). Se ata dreqër pensionistë, janë nja gjashtëqind e pesëdhjetë mijë tani dhe ata të hedhin në erë në votime. Dhe për këtë, fajin e ka Arta Dade.

Në rrethin e Sarandës prodhuesit e agrumeve këtë vit dolën me këpucë të kuqe. Ata nuk e shitën dot prodhimin e mandarinës, prodhimi mbeti atje dhe u kalb. Për t’u qarë hallin. Ata nuk dinë gjë tjetër, veçse të punojnë. Ndërsa tregun duhet ta gjejë Ministria e Bujqësisë, që paguhet për atë punë. Prodhimi është shumë më i madh se nevojat e vendit. Por shteti u zhduk, nuk ndihmoi për të gjetur tregje. Dhe kështu, rreth dhjetë milionë euro prodhim i mandarinave vajti dëm. Atëherë fermerët u nisën për në miting në Tiranë kundër qeverisë. Edhe fajin për këtë e ka Arta Dade.

Prodhuesit e mollëve në Peshkopi dhe në Korçë ankohen se nuk e shesin dot mollën. Prodhimi ka qenë i mbarë, por çmimet e shitjes janë përtokë. Dyqanet gjithandej janë të mbushura me mollë, me çmime qesharake. E gjitha kjo, bie mbi fermerët që vitin tjetër do të braktisin tokën, duke na e lënë barkun thatë, sepse bujqësia nuk po u jep gjë. Po ka edhe më keq, fshatarët po i presin mollët për dru zjarri. Dhe pastaj nisen për protestë në Tiranë. Dhe fajin për këtë e ka Arta Dade.

Studentët dolën në shesh në bulevard për një muaj rresht. Ata e tundën qeverinë nga themelet. Sepse studentët, edhe për të marrë një vërtetim në universitete, duhet të paguanin para, megjithëse e kishin paguar më parë taksën e shkollës. Kryeministri u zgjua nga gjumi i pataksur nga këto që po dëgjonte. Nëntë pika kanë studentët? Nëntëmbëdhjetë do t’u japim ne. Po ku ishte qeveria deri atëherë? A kishte apo nuk kishte qeveri ky vend, që i plasi papritur bomba në duar? Por fajin për këtë e ka Arta Dade.

Ministrja e Arsimit kishte mbaruar shkollën e lartë me notë mesatare 5,9 dhe kishte rritur njohuritë shkencore te Universiteti “Kristal”. Fëmijën e saj e kishte çuar në universitet jashtë vendit, sepse “nuk bëjnë këto universitetet tona”. Megjithatë, ajo qëndronte ministre Arsimi, derisa i thanë studentët “ik, ik, ik!”. “Ti Halim që s’di këndim, je adapt për arsim”. Këtë poezi Noli e ka shkruar për qeverinë e kohës së Zogut, po ja që ka vlerë aktuale. Po si nuk vajtën studentët më parë në protestë atje, te Ministria e Arsimit, xhanëm? Ku flinin gjumë studentët deri atëherë! Po fajin e ka Arta Dade.

Parlamenti shqiptar prej 28 vitesh ka 140 deputetë. Kaq kishte kur populli shqiptar ishte katër milionë, në vitin 1991, kaq ka edhe sot, kur populli është 2,8 milionë. Këta deputetë marrin rroga dhe trajtime të majme. Ata nuk bëjnë asnjë punë, ata vetëm ngrenë kartonin një herë në javë, siç t’u thotë partia. Askush nuk i njeh treçerek të tyre, përveç grave/burrave të vet. Ata janë anonimë, nuk dinë të flasin. Kjo ndodh sepse në vitin X, Berisha dhe Rama u mblodhën kokë më kokë dhe vendosën të ndryshojnë Kushtetutën, duke ia hequr popullit të drejtën e zgjedhjes së përfaqësuesve të tij dhe duke ia dhënë atë Berishës dhe Ramës. Dhe kështu, na vijnë në Parlament deputetë merhumë, të nxjerrë nga xhepi i kryetarit të partisë, për arsye që i di vetëm kryetari. Por fajin për këtë e ka Arta Dade.

Kryeministri shkarkoi shtatë ministra menjëherë, megjithëse ata nuk kishin një vit e gjysmë në detyrë. Askush nuk u pyet për këtë nga forumet e partisë (mavro forume!) Vetëm Edi vendosi. Dhe çfarë vuri në vend të atyre që hoqi? Vuri ca njerëz anonimë dhe një ministër të Jashtëm po aq anonim, shokun e Batonit. Ah, po, më falni, vuri edhe Braçen zëvendëskryeministër. Por nuk sqaroi se përse e shkarkoi zëvendëskryeministren që e mori nga Shkodra një vit më parë, megjithëse nuk e njihte askush. Nuk sqaroi as atë se përse e shkarkoi ministrin e Jashtëm dhe vuri një kalama në vend të tij. Prish bucela, bëj kanoçe. S’ka gjë, se pas një viti, do t’i heqë edhe këta ministra që vuri tani dhe do verë ca të tjerë, po aq anonimë.

Por fajin për këtë prapë do ta ketë Arta Dade që boton intervistë. Kryeministri vete u bën dhuratë nga një shtëpi familjeve të vobekta, atje në fshatin e humbur të Republikës së Edit, i shoqëruar kudo nga ministrja e Shëndetësisë. Kur pyetet Kryeministri se ku i gjen paratë që bën këto “bamirësira”, ai thotë se ua merr miqve të tij biznesmenë. Mirëpo këto në italisht quhen “tangente”, domethënë korrupsion. Me fjalë të tjera, “unë të jap tenderin, ti më jep ca para që të bëj ca bamirësira, siç bënte Nënë Tereza”. Dhe këto pastaj dalin në televizionin “ER TV”, te rubrika “Shqipëria që duam” që t’i shikojë gjithë bota. Turp! Qeveria ka fond rezervë të miratuar nga Parlamenti për këso rastesh. Ato nuk janë dhurata të Kryeministrit, janë kontribut i shoqërisë për njerëzit në nevojë. Por ç’ti bëjmë Arta Dades që jep intervista kundër qeverisë?

Tre tenderë, me dyzetë milionë euro u dhanë për të ndërtuar Unazën e Re. Kryeministri i kishte propaganduar vetë këto rrugë të reja të qeverisë së tij me të madhe. Mirëpo, na dolën ca probleme me tenderët. Fillimisht një tender, pastaj tjetri, pastaj edhe projekti i të tretit. Pra, nusja ishte një çikë “me barrë”. E pranoi vetë ministrja e re, e cila tha sa mund të rishikohet projekti i Unazës. Por ajo nuk tha se kush është ai, që e bëri “me barrë” projektin. Pra, nuk e ka fajin çuni i Fariut që ngriu e mbiu në protestë me banorët e atjeshëm. Kushedi se çfarë do dalë akoma. Rruga te Unaza e re ka mbetur copëcopë, sepse ashtu filloi, po copë-copë. Kushedi se kur do të mbyllen tani ato rrugë. Unaza e Re kutërbon erë të qelbur korrupsioni që tutje. Por fajin për këtë e ka Arta Dade.

Kryeministri mbledh forumet e partisë në orarin zyrtar të punës në shtet. Gati 250 anëtarë të Asamblesë Kombëtare të Partisë (asambleistë, ose: shto miell e shto ujë) lënë punën e shtetit për të cilën marrin rrogën atje ku punojnë dhe vijnë në Tiranë, po me makinat e shtetit, për të bërë mbledhjen e partisë. As Enver Hoxha, që e kishte partinështet, nuk i bënte mbledhjet në orar të punës. Por Edi e bën. Është i zoti Edi. Edhe për këtë e ka fajin Arta Dade.

Ka ardhur koha që në Partinë Socialiste të mendohet për një kryeministër të ri. Të mendohet, thashë. Ka një përvojë në këtë drejtim. Gjatë qeverisjes tetëvjeçare 1997- 2005, Partia Socialiste ndërroi gjashtë herë Kryeministrin: Fino, Nano, Majko, Meta, Meta, Nano. Të gjithë ishin socialistë. (Atëherë ishte ministre edhe shoqja Arta) Dhe në fund të mandatit në vitin 2005, rritja ekonomike në vend ishte 6 për qind. Mos vallë duhet mësuar nga kjo përvojë? Përvojë socialiste është. Po të duan, le të pyesin Arta Daden për këtë.

Të shkojë Edi të pushojë ca kohë në vilën e tij në Surrel, pse të mos shkojë? Të bëjë atje piktura dhe ekspozita. Të luajë atje basketboll dhe të mbjellë edhe një kërpudhë betoni te shtëpia e tij. Le që, atje kërpudhat mbijnë vetë, nuk ka nevojë t’i mbjellësh. Kështu do të freskohet nga ajri i pastër dhe do t’i vijë mendja në vend Edit. Këtu është Shqipëria. Edhe partinë atje e ka. Arta Dade do ishte shumë e lumtur me këtë. Ah, Arta, Arta, ç’na bëre!

Pas këtij shkrimi, Kryeministri mund të më fusë edhe mua te “mediat e kazanit”. S’ka gjë. Unë dhe Arta nuk mërzitemi. Pensionin nuk na e heq dot Kryeministri. Kryeministri neve vetëm të na hajë atë që s’thuhet me gojë. Vetëm se herën tjetër, mund të jemi edhe ne në protestën e opozitës në bulevard.

Doni më për Arta Daden?

Panorama

9 Comments

    1. Po se ka harruar te thot dhe per 18 milion eurot e vjedhura nga TVSh ashtu te thata pa u lodhur fare Pika qe su bie o socialista sy lesher 2 milion popull 18 milion vjedhe Rama po fajin e ka Saliu

  1. Ouuuuu si s keni turp more te mjer socialist 🤮kur njeriu flet realen esht hajdut kriminel ose gjith te keqijat eee🤮 epo ateher ju jeni pra te pa besueshem dhe te gjith te dhjer i ai gomari i dhjer qe e ka emrin GOMAR EDVIN RANA.

  2. E mbeshtes idene, qe Edi Rama duhet te shoh pozicionin e tij. Nje qeverisje e dobet, e mbushur me korrupsion mediokritet dhe paaftesi. Nje qeveri jofunksionale, qe nuk ndjehet dhe shihet ku eshte. Te gjitha gjerat e parashtruara nga Z Jupe qendrojne. Por e majta eshte me shume se Edi Rama. Askush nuk ka te drekte te mbaj peng fatin e se majtes. Z Rama ka 6 vjet kryeminister. Keq e me keq. E ka bere balte, me sjelljen e tij po shton fukarallekun dhe mjerimin e shqiptareve. Skandal pas skandali. Nje klime tensioni, si ai zjarri qe ne vend te shuhet i hidhet benzine. Te gjithe ministrat qe solli ata me kryesoret, nuk i rezistuan dot pushtetit dhe parase. Njeri me i konsumuar se tjetri. Tahiri Beqja, Ahmetaj Gjiknuri e me rradhe, sot jane jashte qeverise. Po ti , si propozues i tyre, nuk mban pergjegjesi!
    Ftoj personalitetet e se majtes , si Ruci, Majko, Xhafa te reagojne dhe ti tregojne ketij njeriu qe nuk je mbret i se majtes.

  3. E majta duhet pastruar nga balta qe i hodhi Rilindja. E majta nuk eshte Sajmir Tahiri, Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Eduard Shalsi, Damian Gjiknuri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini. Keta i katapultoi Edi Rama, nen petkun e Rilindjes.
    Rama duhet te ik nga Kryeminister. Eshte i lodhur i raskapitur, me 1000 pergjegjesi, i korruptuar, here here i papergjegjshem.
    Nje njeri qe i dehur nga deliri dhe plotfuqishmeria , ka ceduar dhe degraduar deri aty, sa i ben kujtdo karshillek, i ka bere te gjithe armiq, median e quan kazan, i ngarerruar si mos me keq ne ceshtjen kombetare ate te kosoves e keshtu me rradhe. Cfare kishte per te dhene e dha.
    Nuk arrij te kuptoj si rri akoma ne ate zyre!!!!
    Kur do e kuptoj , qe me arrogance e fodullek, perpara nje populli te shumevuajtur, deshmitar i skandaleve me dhjetera milion euro, mund te ket nje fat te tmerrshem?! Pse duhen lene gjerat te mblidhen aty ku s’mban me?!?! Si ka mundesi qe nuk e nuhat revolten dhe zemerimin?! Ku jeton ky, ka ndonje kontakt me realitetin apo jo?!
    Del e mburret, organizon antimitingje, krekoset ne nje kohe qe eshte fund e krye i deshtuar, fund e krye i korruptuar.
    Eshte kthyer ne te keqe kombetare, dhe mendoj dhe qe, te majtes te ciles po i jep kosto te pamerituara.

  4. Ne kete shkrim pasqurohet realisht cfare po ndodhe me ripjelljen e Edrames dhe jo me socialistet e vertet, cfare po ndodhe me shqiperin e mjere qe ka rene ne dore te ripjelljes dhe jo te socialisteve te bertet, mjere ky popull me gjithe keto pasuri dhe fukara nga mendja

  5. Respekt Zotit Jupe, je shume realist dhe me kurajo per t’i thene disa te verteta kunder kryetarit qe ka shperfytyruar partine qe krijuan intelektuale te rekrutuar nga Fatos Nano. Mos u merzit, opinioni kombetar ka reflektuar ne mase te madhe per kete derdimen piktor hajdut te paskrupullt. Eshte kujtuar vone qe ka dale si ai “mbreti lakuriq”! Fajin e ka dhe Majko qe nuk flet dhe hiqet si njeri i mire, zonja Arta Dade e beri detyren e saj si zonje fisnike.

  6. Nje komentues fton personalitete e se majtes si Ruci, Xhafaj e Majko te reagojne dhe t´i tregojne vendin Edi Rames. Une besoj se dy te paret perfaqesojne Sigurimin e Shtetit dhe Majko eshte vetem nje oportunist…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu