• |
ide | kryesore

Sistemi kërpudhor i pushtetit të Edi Ramës

Arkiva, Blog



Kërpudha e artistit gjerman Carsten Höller mbase u shkatërrua në njërën nga protestat e organizuara nga partitë opozitare kundër qeverisë së Edi Ramës, mirëpo, vetëm pasi që shqiptarët e kanë ngrënë atë për vite me radhë.

Ajo vepër arti, ashtu si shumë vepra të artistëve të tjerë me të cilët Edi Rama kultivon lidhje, flet më shumë për Ramën se sa ç´mund të mendohet nga protestuesit që e rrëzuan. Më shumë se ç´është menduar për vite me radhë nga kalimtarët në rrugicën mes Hotelit Rogner dhe kryeministrisë, të cilëve skulptura mykotike mund t´u jetë dukur si një tepri e radhës prej një njeriu i cili na ka mësuar me teprime. Ndoshta më shumë nga ç´mendon edhe vetë Edi Rama

Kërpudha e Höller-it i kishte tre pjesë, një gjysmë e dy çereqe, pra një kërpudhë kimerike, e përbërë prej tre llojeve të kërpudhave. Gjysma, pra pjesa më e madhe, është e famshmja dhe e logoizuara prej librave për fëmijë, amanita muscaria, kërpudha e kuqe me pika të bardha. E njohur për potencialin toksik e psikoaktiv, ajo mendohet se është përdorur ç´prej ditëve të hershme të njerëzimit si mjet për dehje e për intoksikim. Dy pjesët e mbetura, secila nga një çerek, ndryshojnë nga vepra në vepër (sepse Höller-i ka bërë disa të tilla), por ideja është se ato përfaqësojnë kërpudha herë të ngrënshme e herë helmuese.

Pikërisht kjo kërpudhë tashmë e rrëzuar duket se mund të përfaqësojë një model interesant për qeverisjen e Ramës gjatë 6 viteve të fundit. Gjysma e përpjekjes shkon për intoksikim të publikut të brendshëm e kur mundet dhe të atij të huaj, në një operacion të pakrahasueshëm me paraardhësit e tij. Çereku i punëve të bëra janë helmuese për shumicën, e përfituese vetëm për një pakicë të vogël. Dhe çereku i fundit, janë punë të cilat në kushtet e Shqipërisë mund të jenë edhe të vlerësueshme. Këto të fundit në vend se të shërbejnë si shembull prej nga të ngrihet kritika për gjërat që s´bëhen mirë, përdoren më shumë si mjaltë për të lyer shishen me helm e toksina, që të bëhet më e shijshme për ata që duhet ta gëlltisin.

Gjysmën toksike, pra propagandën halucinogjene, Rama e bën përmes tre shinave: së pari duke shpenzuar para e pushtet për të blerë reklamë ndërkombëtare apo për të shtënë nën kontroll mediat vendore; së dyti duke krijuar një ekip marketerësh, institutesh e shoqatash që prodhojnë raporte e monitorime të favorshme, si dhe spin-doktorësh të cilëve u ka dhënë autoritetin kryesor mbi vendimet e veprimet politike partiake e qeveritare; së treti përmes prirjes e talentit vetjak për të manipuluar publikun, herë duke e portretizuar vetveten si kalorës të përparimit duke asociuar bëmat e tij politike me vepra të star´tistëve e star´kitektëve postmodernë, herë duke iu mburrur investitorëve të huaj se nuk ka sindikata në Shqipëri, e herë duke luajtur «burrin e shtetit» në skenën ndërkombëtare, sa herë që i jepet rasti.

Çerekun helmues, atë për të cilën sigurisht që nuk dëshiron të flitet, e përfaqëson më së miri statistika skandaloze e krimeve të vogla e atyre familjare në Shqipëri, rritja e perceptimit të korrupsionit të matur nga organizatat ndërkombëtare, denoncimi prej diplomatëve e gazetarëve i krimit të organizuar në klane mafioze në qytete të ndryshmë të Shqipërisë, lidhjet e politikës me krimin e kështu me radhë. Çereku helmues ka të bëjë me faktin se, në një vend ku papunësia rinore është ndër më të lartat, ku përqindja e atyre që jetojnë në varfëri e në varfëri ekstreme, sipas statistikave të institucioneve ndërkombëtare është jashtë çdo përfytyrimi evropian, do të duhet të kishte trazira sociale, por nuk ka. Pse nuk ka? Është e pamundur të mos mendosh se, gjithë kjo prani e kriminalitetit të organizuar dhe atij të vogël, shoqëruar me këtë varfëri e papunësi të madhe, të mos dojë të thotë se paqja sociale në Shqipëri blihet përmes dy mënyrave: kompromisit të shtetit me krimin dhe mërgimit.

Prej Shqipërisë mërgohet me ritme të ngjashme me Sirinë, edhe pse në Shqipëri s´ka luftë e as ISIS. Edi Rama justifikohet duke thënë se mërgimi shpjegohet me lirinë e lëvizjes dhe lirinë për të ndjekur fatin e jetes gjithsecili. Por kjo liri nuk i shpjegon përqindjet. Asnjë vend tjetër ballkanik nuk e ka këtë ritëm të largimit nga vendi, (përjashto Kosovën ku gjithashtu qeverisin pushtetarë të gërshetuar ngushtë me krimin e organizuar). Largimi i dy ministrave të brendshëm brenda pak kohësh, vrasja e disa ish oficerëve të lartë të policisë, përqendrimi i vëmendjes mediatike tek krimi i vogël apo te krimi në familje, ndërkohë që krimi i madh «pi kafe» me pushtetin politik e ekonomik por edhe me pronarët e mediave, të gjitha këto flasin për çerekun helmues të kërpudhës.

Sigurisht që kjo lidhje e pushtetit politik, ekonomik e mediatik me krimin e organizuar, rezulton në rritje të përqindjes korruptive, e cila shtrenjton shumë punët publike dhe njëkohësisht pamundëson konkurrencën e privatëve që nuk kanë ndërmend të pastrojnë para. Kështu, para disa muajsh u zbulua skandali me Unazën e Re. Mediat u morën shumë me manipulimin e regjistrimeve dhe dokumentave, që përfshinte deri edhe falsifikime nënshkrimesh të zyrtarëve amerikanë. Por nuk u morën shumë me faktin se prapa kompanisë qëndronte një djalosh i ri (vetëm në republika bananesh bën vaki që privatizime të mëdha e tendera miliardësh fitohen prej djemve të rinj gati të panjohur). E ç´është më e rëndësishmja, u la në harresë çmimi i kilometrit të asfaltit në atë projekt. Le të krahasohet ai çmim me rajonin, meqenëse janë duke u ndërtuar autostrada e projekte infrastrukturore edhe në Kosovë, Serbi e Kroaci. Shqipëria na del kampionia sa i përket çmimit të lartë të kryerjes së punës, e ndjekur, si zakonisht, vetëm nga Kosova. Dy motrat ngjajnë shumë, kur bëhet fjalë për kulturën e rrjepjes dhe vjedhjes së parasë publike. Shtetet e tjera ballkanike, janë në çmime shumë më të ulëta, shpesh edhe më pak se gjysma, për të projekte të ngjashme të tenderuara për infrastrukturë.

Sigurisht, kapitali privat i kontrolluar në masë të madhe prej krimit, e frenon zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, në sfera si industria, bujqësia, apo teknologjia që do të sillnin punësim të qëndrueshëm, me kushte pune të përmirësueshme për punëtorët. Meqenëse kapitali i kontrolluar prej krimit ka nevojë për pastrime të shpejta, kjo ia hap rrugën betonizimit të vendit, i cili herë shitet si urbanizim, e herë si zhvillim i turizmit. Madje, turizmin përpiqen ta shpallin edhe si shpëtimtarin e ekonomisë së Shqipërisë, edhe pse as në Greqinë e dhjetëra ishujve e maleve plot me pasuri arkeologjike e me infrastrukturë të kompletuar, nuk mbërrin dot turizmi të jetë lokomotivë e ekonomisë, por vetëm një «bonus» i cili në vitet më të mira e arrin 15% e GDP. Me cilët ofrues rajonalë do konkurojë Shqipëria në strategjinë e Ramës për zhvillim turistik? Me çmimet e lira të Turqisë, Bullgarisë dhe veriut të Afrikës? Me larminë e pashoq të Italisë e Greqisë? Me infrastrukturën e urbanizuar e të sistemuar në përputhje me mjedisin që ka Kroacia? Të bazosh projektin e zhvillimit ekonomik tek turizmi nuk duket projekt i sinqertë. Por si kopertinë shitet, sepse turizmi nënkupton gjithnjë fushata e reklama për marketing, gjë që lidhet me atë gjysmën e parë që përmendëm, gjysmën toksike. Vizitoni Shqipërinë, ajo është e zotit dhe e mikut, vizitoni vendin e fundit të virgjër, e një kitsch i tillë. Kjo pëlqehet edhe nga vendësit, ashtu siç do t´i pëlqente edhe një të sëmuri të vishej me rroba të bukura që të mos i dukej së jashtmi drobitja.

Por sigurisht, është edhe çereku i ngrënshëm. Rregullimi i disa shesheve kryesore apo historike dhe i disa fasadave në ca qytete e fshatra nuk është për t´u hedhur poshtë. Edhe fillimi i reformës në drejtësi, e cila megjithëse së fundmi po kompromentohet, pati meritën e ekspozimit të dhjetëra gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar. Edhe një presion i shtuar mbi administratën e ulët, për të mos u korruptuar, përmes krijimit të mundësive për raportim online nga qytetarët. Qoftë dhe ndërhyrjet në fasada, sepse estetizimi apo ndryshimi i hapësirës fizike e urbane ku jetojmë ndikon drejtpërdrejt në hapësirën tonë mendore e shpirtërore. Këto sigurisht janë pak, në një vend normal as që do të duhet të përmendeshin, dhe sigurisht që nuk do të ishin bërë pa këmbëngulje të disa faktorëve ndërkombëtarë. Mirëpo nihilizmi nuk ndihmon, të mirës sado e vogël që të jetë i duhet njohur merita.

Dikush mund të argumentojë se pjesa helmuese nuk është e barabartë me pjesën e ngrënshme, por shumë më e madhe. Por ky debat pamundësohet, për sa kohë pjesa e stërmadhe, që i mbulon të dyja këto, është aparati propagandistik, kompleksi artistik-mediatik-ojq-ist i Ramës.

Përmes këtij aparati shtrembërues, çdo arritje e të shkuarës duket e kotë, psh: ç´rëndësi ka patur integrimi në NATO dhe heqja e vizave të BE-së, për sa kohë që ata të PD e LSI kanë qenë të korruptuar. Por nga ana tjetër, ç´rëndësi ka që nuk po ecën integrimi në BE, për sa kohë që i kemi hequr ata të korruptuarit. E kur ballafaqohen me korrupsionin e tyre, apo me pasuritë e pajustifikueshme që epitomizohen nga vila në Surrel, përgjigjen e kanë të gatshme: edhe kundërshtarët tanë janë të korruptuar.

Megjithatë, në vite me radhë, Edi Rama e ka kuptuar se propaganda e tij gjen blerës vetëm në një pjesë të shoqërisë, të klasa e mesme dhe klasa e mesme e ulët. Pjesët e tjera të mëdha të shoqërisë, pra klasa e ulët që në Shqipëri janë shumicë, e kanë kuptuar se sa i përket vuajtjeve të tyre, nuk ka ndonjë dallim mes të dyja palëve të korruptuara. Dhe për të siguruar dominimin tek ta Rama i përdor dy mjete: organizatën dhe blerjen apo imponimin e votës.

Sado të zhvillohen teknologjitë e rrjeteve sociale, në politikë elementi bazë i ndërtimit të konsensusit është takimi sy më sy, dhe këtë e ndërmjetësojnë strukturat partiake. PS-ja ka trashëguar struktura partiake të cilat funksionojnë ç´prej tetë dekadash. Këto struktura Rama po punon fort t´i mirëmbajë, duke i rinovuar vazhdimisht përfaqësuesit e drejtuesit, e duke mos i lënë të flenë. Në këtë aspekt, asnjë parti tjetër nuk duket se po bën punë serioze, të tjerët më shumë duket se shpresojnë tek pakënaqësia e «popullit të pastrukturuar». Pse nuk po bëhet kjo punë nga partitë e tjera është pyetje me vend: ndoshta pse puna organizative kushton, por ndoshta edhe për shkak se organizimi kërkon një vetëpastrim të vazhdueshëm, sepse kalcifikimi e topit organizatën. Për këtë të fundit ndoshta partitë opozitare mund të mos jenë të gatshme, për sa kohë që personat e njëjtë, pavarësisht imazhit të lodhur dhe të lidhur me afera të ndryshme, këmbëngulin të mbajnë të njëjtat pozita e ndikim në organizatë.

E sa i përket «popullit të paorganizuar», i cili kryesisht është klasë e ulët, me një shkallë shumë të zbehtë të qenies, aty sa të jetë e mundur, vota imponohet. Imponohet ekonomikisht, përmes blerjes direkte ose përmes dirigjimit të votës së punëtorit nga pronari e punëdhënësi. Po ashtu imponohet përmes kanosjes prej ndonjë «të forti». Këto janë gjëra që janë ditur gjithnjë, edhe pse vetëm kohët e fundit po marrin vëmendje publike sajë shqetësimit të ngritur nga disa media ndërkombëtare (sepse ato vendore që guxojnë ta kundërshtojnë Rama i ka delegjitimuar me kohë).

E tillë është kjo formulë pushteti, e cila ndërthur shfaqjen prej snobi të avantgardës, me interesat e retrogardës së klientelave, të ndërtuesve, të fituesve të tenderëve, e të përfituesve nga privatizimet e nga partneriteti publik-privat (PPP-të). Ndërthur propagandën me organizimin. Ndërthur demonizimin e kundërshtarit me vetëviktimizimin e vazhdueshëm. Ndërthur mbajtjen e logos së majtë, me përdorimin e politikave të djathta, gjë që e lë shpesh opozitën pa mundësi kritike. Ndërthur krekosjen nacionaliste, me prirjen për pazare me kombin sa herë që të ketë leverdi personale.

A është kala e pathyeshme sistemi kërpudhor i Ramës? Një kala të thyeshme nuk e bëjnë veç muret e saj, por edhe cilët janë ata që e sulmojnë, cili është niveli i zhvillimit e i strukturimit organizativ i tyre, niveli e mprehtësia e kritikës, fryma dhe debati, dhe qartësia e premtimit për të ardhmen. /tezateza.com/

Kërpudha e Edi Ramës, si simbol propagande

Shkatërrimi i kërpudhës, si simbol i artit që fsheh krimin

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *