• |
ide | kryesore

Fëmijët e kopshteve në Bulqizë e Dibër me standarde bashkëkohore

Arkiva, Lajme



Pas ankandit të filantropisë së mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar në Tiranë, nën moton “Giving Circles” – “Rrathë Dhurues”, ku drejtoresha Ekzekutive e Grupit Balfin, Znj. Edlira Muka mori përsipër në emër të Grupit mbështetjen e kopshtit të fshatit Blliçë në Dibër, për t’u mundësuar një proces normal rritjeje 57 fëmijëve të këtij kopshti, të cilët qëndronin atje në kushte të vështira, pa ngrohje dhe shërbimet më minimale, ky suport tashmë është bërë realitet.

Për kopshtin e fëmijëve në fshatin Blliçë, u dhuruan lodra për të gjithë vogëlushët nga kompania Jumbo dhe Grupi Balfin dha një donacion financiar për rikonstruksionin e godinës.

Një nismë e tillë është ndërmarrë në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Grupit Balfin në mbështetje edhe të objektivave të zhvillimit të OKB-së si në arsimim, rritjen e mirë të fëmijëve, mjedisin dhe shëndetin.

Por mbështetja e Grupit Balfin në Qarkun Dibër nuk është ndalur me kaq, pasi po gjatë muajit shkurt, edhe 113 fëmijët e kopshtit të “Qytetit të Ri” në Bulqizë kanë mundur të përfitojnë nga një dhurim i konsiderueshëm që ka bërë kompania AlbChrome (pjesë e Balfin) për ta.

Në fakt, përmes një donacioni me vlerë 5.000 euro, kopshti është kompletuar me pajisje elektro- shtëpiake si aspiratorë, bolierë, frigoriferë, dy soba, lavatriçe, si dhe me të gjitha pajisjet e tjera të nevojshme në kuzhinë.

Ky kontribut nga ana e AlbChrome është ofruar në vijim të rikonstruksionit të kopshtit nga ana e bashkisë së Bulqizës.

AlbChrome, pak kohë më parë i mundësoi sistemin e ngrohjes spitalit të qytetit të Bulqizës dhe ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme për gjimnazistët e shkollës profesionale dhe për talentet që kanë prirje për studimet e larta nga ky qytet.

Të dyja donacionet e mësipërme lidhen me një ndër shtyllat kryesore të Përgjegjësisë Sociale të Grupit Balfin, që ka të bëjë me kujdesin ndaj fëmijëve dhe rritjen e tyre sa më të mirë.

Grupi Balfin ka qenë mjaft i angazhuar në përgjegjësinë sociale gjatë tre viteve të fundit dhe kompania ka shfaqur një vëmendje të posaçme për kategori të ndryshme familjesh apo individësh në nevojë. Nën kujdesin e veçantë të presidentit të Grupit Z. Samir Mane, janë të shumta historitë e trishta, të cilat grupi është përpjekur që t’i ndryshojë për mirë.

Kompania po mbështet dhjetëra familje që përballen me vështirësi në punësim, shkollim apo asistencë mjekësore nëpërmjet shoqatave dhe organizatave të ndryshme.

Kontributi i Grupit për shoqërinë shqiptare do të vijë duke u rritur progresivisht nga viti në vit. (artikull promocional)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *