• |
ide | kryesore

FSHF reagon ndaj rrahjes së arbitrit Hamitaj në Kamëz dhe del hapur: “Policia duhet të rikthehet në stadiume”

Sport



Ishte në ajër prej javësh, madje shenjat ishin dhënë, por në Kamëz dhuna goditi fort dhe jo në shkallët e stadiumit, por në kuadratin e fushës së lojës, ku agresioni nga ana e disa tifozëve mbi arbitrin e ndeshjes mes Kamzës dhe Lacit, Eldorjan Hamiti, është ndalur vetëm pas ndërhyrjes së trajnerit dhe lojtarëve të Kamzës. Në këtë pikë ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit, duke dënuar incidentin e ndodhur dhe duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë zbatimin e ligjit.

Institucioni që drejton futbollin ka shigjetuar gjithashtu policinë për moskryerje të detyrës: “Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet” shkruhet në komunikatë.

E ndërkohë, edhe qeveria e futbollit shqiptar ka dalë hapur mbi cështjen që ka shqetësuar futbollin në vend që në javën e parë. Punonjësit e sigurisë nuk e garantojnë dot ruajtjen e rendit në stadium dhe në këtë pikë duket i domosdoshëm kthimi i policisë brenda ambjenteve të stadiumeve: “Ne kërkojmë në mënyrë të përsëritur të rishikohet vendimi nxituar për të larguar përfundimisht Policinë nga stadiumet. Në kushtet ku Shqipëria ndodhet e gjykojmë të pavend”.

DEKLARATË PËR SHTYP MBI DHUNËN NË NDESHJEN KAMZA-LAÇI

Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Kamza-Laçi, e vlefshme për javën e 24-të të Kategorisë Superiore. Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur sigurinë e garës së futbollit në Shqipëri.

FSHF prej muajsh ka kërkuar reagimin e institucioneve të shtetit shqiptar për të zbatuar ligjin dhe për të nxjerrë përpara drejtësisë autorët e skenave të dhunës në stadiumet shqiptare. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit, detyrë e cila siç u evidentua edhe në ngjarjen e sotme vazhdon të mos kryhet.

Ne dënojmë dhunën, si një fenomen qe jo vetëm cënon rëndë vërtetësinë e garës por edhe imazhin e lojës. Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër çdo akt dhune, që vjen nga tifozët, zyrtarët, futbollistët apo kushdo tjetër. Ne presim që të gjithë aktorët të bëjnë punën e tyre ashtu siç i kërkojmë komisioneve që të jenë ekstremisht të ashpër me ata që prishin imazhin, jo vetëm të lojës por edhe të futbollit shqiptar.

Ne kërkojmë në mënyrë të përsëritur të rishikohet vendimi nxituar për të larguar përfundimisht Policinë nga stadiumet. Në kushtet ku Shqipëria ndodhet e gjykojmë të pavend. Ky vendim i nxituar cënon rëndë mbarëvajtjen e garës më të ndjekur sportive në Shqipëri.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *