Banka greke Piraeus ia ka shitur filialin e saj në Shqipëri që është Tirana Bank, Balfin Group-it dhe Komercijana Banka, shkruhet në median greke ekathimerini.com.
Vlera e transaksionit është 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve që Piraeus Bank zotëron në Tirana Bank.
E themeluar në vitin 1996, Tirana Bank është e para bankë private që filloi të operojë në tregun shqiptar. Ajo ka 39 degë dhe 71 ATM në të gjithë vendin. Komercijana Banka është huadhënësi më i madh në Maqedoninë e Veriut, me asete që tejkalojnë 1.7 miliardë euro.
Unicredit veproi si këshilltar ekskluziv financiar i Piraeus për këtë transaksion. Norton Rose veproi si këshilltar ndërkombëtar ligjor i Piraeus dhe Boga & Associates si këshilltar ligjor lokal i Piraeus për këtë transaksion.