• |
ide | kryesore

Gafat e policisë, arreston edhe ata që po ndalnin dhunën në stadiumin e Kamzës

Lajme, Të fundit



Drejtuesit e klubit të Kamzës pritet të dalin të mërkurën para gjykatës për t’u njohur me masën , pas arrestimit për incidentin e së dielës në ndeshjen kundër Laçit. Ndërkohë që ende mbeten në kërkim 4 persona që goditën arbirtrin, ngjarja ka nxitur një debat mes Federatës së Futbollit dhe policisë që po i hedhin topin njëra-tjetrës mbi përgjegjësitë e sigurimit të ndeshjes dhe shmangies së pamjeve të tilla të shëmtuara në stadiume, debat që indirekt po ia hedh fajin pa gjyq të arrestuarive për ngjarjen.

Përveç atyre që goditën dhe që duken nga pamjet, në mjediset e drejtorisë qendrore të policisë mbahen dhe persona që hynë për të qetësuar situatën. Top Channel mëson se prokuroria e Tiranës ende nuk i ka marrë provat filmike. Gjykuar nga këto pamje, duket se të paktën drejtori sportiv i Kamzës, Andi Matraxhiu, i cili nuk është i përfshirë në goditjen e arbitrit, është arrestuar për të njëjtën vepër si persona  të tjerë që shihen ta godasin arbitrin.

Babai i Andi Matraxhiut ka reaguar përmes një deklarate, ku thotë se djali i tij është arrestuar kot nga policia.

“Andi sic e treguan kamerat, në tërësi jo vetëm nuk u përfshi por disa nga lojtarët e Kamzës bënë çmos që të ndihmonin arbitirin nga dhuna e atyre pak tifozëve. Shihet qartë nga pamjet që 4 a 5 policë ndërhynë në fund dhe me vonesë. E vetmja pamje ku shfaqet Andi është kur po drejtohet nga rrëmuja dhe akoma pa u afruar sprapset dhe distancohet. Shkon të bëjë detyrën e tij, të qetësojë lojtarët. Sipas deklarates së tij kishte hyrë për të ndihmuar një nga anësorët, të cilin e ka mik sepse është nga Elbasani. Po kjo pak rëndësi ka sepse vetë kalimi I vijës së fushës nga stafi është shkelje disiplinore, por jo penale e sidomos në atë situatë kur loja kish mbaruar zyrtarisht dhe fusha ishte pushtuar nga tifozët dhe security”, shkruan në Facebook Bardhyl Matraxhiu.

Veprimeve të policisë i shtohen edhe presionet e organizmave të sportit që të gjendur para një skandali të tillë po mjaftohen me justifikimin se i gjithë faji është “Kamzës”, një debat ky që shton presionet mbi policinë dhe indirekt mbi gjyqësorin lidhur me çështjen e bujshme mediatike.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *