• |
ide | kryesore

“Këtu punohet me dy standarde”: Trajneri i Kamzës, Stojku, reagon pas vendimit të Disiplinës

Sport



“Nuk e prisja këtë vendim. Mendova shumë gjëra, por jo këtë. Kështu është kur punohet me dy standarde”. Me këto fjalë, tekniku i Kamzës, Gentian Stojku, ka shprehur opinionin e tij ndaj vendim të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka përjashtuar skuadrën nga cdo aktivitet sportiv dhe e ka rrëzuar në Kategorinë e Dytë.

Ngjarja e rëndë ku u sulmua arbitri Eldorjan Hamiti në përfundim të ndeshjes mes Kamzës e Lacit nga disa tifozë që u futën në fushë dhe më pas edhe nga presidenti Naim Qarri ka pasur pasoja drastike mbi Kamzën. Por Stojku kujton se jo më larg se një javë më parë, një incident i përafërt dhe madje në lojë e sipër, e jo në përfundim të saj, ka ndodhur në kryeqytet. Në Semal Stërmasi u godit një zyrtar i klubit Flamurtari nga tifozë të Partizanit që u futën në fushë dhe dënimi për të kuqtë që ishin organizatorë ishte vetëm dy ndeshje pa tifozë dhe gjobë: “Nuk më duket se ka ndryshim mes goditjes së një zyrtari të Federatës dhe një zyrtari të klubit – tha Stojku per Lapsi.al – ndaj them se punohet me dy standarde. Nuk jam absolutisht për të përkrahur ngjarje të tilla, unë i pari bashkë me lojtarët e Kamzës dolëm në mbrojtje të arbitrit, por ky dënim më duket një goditje e ulët. Nuk kanë asnjë faj lojtarët për cmendurinë e pak njerëzve”.

Stojku, që u bashkua me Kamzën nga Erzeni vetëm dy javë më parë e ka të paqartë të ardhmen: “Nesër do takohem me presidentin Qarri dhe lojtarët për të kuptuar se cfarë do të bëjmë. Nuk mund të them asgjë më shumë, më vjen keq sepse skuadra po më përgjigjej në fushë dhe kisha besim se do të arrinim të shpëtonim”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *