• |
ide | kryesore

Panucci i refuzuar dhe Shqipëria pa alternativa: në kualifikueset e Europianit gjendja do të jetë e vështirë

Sport



Eleminatoret e Europianit afrojnë cdo ditë e më shumë, me një qartësi të sikletshme. Për të bërë revolucion Christian Panucci duhet ti mendojë gjërat mirë. Nuk janë rastësi refuzimet e Loret Sadikut, Fiorin Durmishaj apo edhe talentit tjetër Mario Vrushaj, në një kohë që me Kosovën në lojë, Shqipëria nuk është më zgjedhja e parë e futbollistëve me origjinë kosovare.

Nga kohët kur Gianni De Biasi bëri rifreskimin total të kuqezinjve, madje duke përforcuar ndjeshëm me kualitete e lojtarë të aftë të bënin diferencën, duke ndërtuar ekipin që bëri historinë duke arritur finalet e Euro-2016, gjërat kanë ndryshuar. Për italianin tjetër të pankinës zgjedhjet nuk janë aq bujare dhe këtë e ka provuar duke u refuzuar tashmë gjithnjë e më shpesh në tentativën për të gjetur lojtarë të mbulojnë rolet ku skuadra ka nevojë, apo për të mos humbur kualitet, me zëvendësuesit e të dëmtuarve.

As njërën e as tjetrën nuk duket se italiani mund ta bëjë: që kur Kosova është duke grumbulluar lojtarët e saj, e me formën bindëse të skuadrës së Challande, ata janë bërë gjithnjë zgjedhje e parë kur në lojë është thirrja e gjakut, në të kundërt si në rastin e Durmishaj, në lojë futen llogaritë dhe duke qenë se nuk është aktivizuar për asnjë minutë me Kombëtaren A të Shqipërisë, thirrja e Greqisë u bë prioritet. Të njëjtën zgjedhje bëri edhe mesfushori Vrushaj, në pronësi të Olimpiakosit, por i huazuar tek Uilem 2 në Holandë: mungesë dëshire për të përfaqësuar Shqipërinë.

Këtu nuk është faji i Panuccit, absolutisht, por vështirësitë e të riformatuarit e kuqezinjve, bien pikërisht mbi italianin, që ka një objektiv për të përmbushur, por I ka municionet të limituara…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *