• |
ide | kryesore

Parlamenti Europian, takim për hidrocentralet në Ballkan

Arkiva, Lajme



Kreu i sektorit të Qendrës për Ekspertizë Tematike në ndërlidhje, Mjedis dhe Zhvillim Rajonal pranë Komisionit Europian, Jesus Lavina, gjatë një takimi të zhvilluar në Parlamentin Europian mbi Hidrocentralet në Shqipëri dhe Ballkan, deklaroi se rezistenca ndaj zhvillimit të projekteve hidrike të energjisë duhet të marrë parasysh edhe nevojën që ka rajoni për energji elektrike, si një mjet për të mbështetur ekonominë. Sipas tij, kjo formë e energjisë, së bashku me energjitë e tjera të rinovueshme janë alternativat e duhura përballë centraleve që krijojnë ndotje.

Kërkesa për të ngritur kapacitete të reja prodhuese është emergjente për të përballuar kërkesën në rritje për energji, por po ashtu thelbësore është krijimi i një strategjie të qartë për mbrojtjen e mjedisit dhe përfshirjen e komuniteteve në dialog.

“Situata është kjo. Kërkesa për energji në Ballkan është e lidhur me rritjen ekonomike dhe me plot gjasa, sasia e energjisë së ofruar tani nuk do të jetë e mjaftueshme për të ardhmen. Nëse shikojmë me kujdes në Ballkan, gjysma e energjisë elektrike vjen nga hidrocentralet, por gjysma tjetër vjen nga centralet me energji termike. Eliminimi i ndotjes duhet të jetë një nga prioritetet në rajon”, u shpreh Lavina.

INSTAT ka publikuar së fundmi gjithashtu të dhënat e prodhimit të energjisë në vend, ku prodhuesit nga HEC-et privatë zënë tashmë 1/3 e prodhimit në shkallë vendi, që i mundësoi Shqipërisë të plotësojë kërkesat e konsumatorëve për energji dhe të realizojë një bilanc të konsiderueshëm pozitiv mes importit dhe eksportit të energjisë elektrike.

Sipas diplomatit të Misionit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, Adrian Mara, nevoja për impiante të reja të prodhimit të energjisë është emergjente përballë vjetërsisë dhe mungesës së investimit në strukturat ekzistuese publike.

“Ne kemi bërë një studim të sektorit të energjisë, pas kërkesës së vendeve të Ballkanit, për të hartuar një strategji për zhvillimin e këtij sektori. Dolëm me disa parime thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë hidrike, që përfshijnë disponueshmërinë e ujit, impaktin e ndryshimit klimatik, angazhimin e komuniteteve lokale, analizimin e saktë të ndikimit mjedisor dh social, si dhe planifikimin e gjerë, përmes direktivave dhe planeve për menaxhimin e lumenjve, jo për 2500 projekte hidrocentralesh të vogla një më një, por duhet të kemi një përqasje më të përgjithshme. Qëndrimi ynë për HEC-et e vegjël është i qartë. Në qendër duhet të jetë konsultimi me komunitetet lokale. Edhe sipërmarrjet duhet të përpiqen të gjejnë zgjidhje dhe të dëgjojnë zërin e komuniteteve lokale. Mendoj se problemi është përtej energjisë hidrike. Në fund duhet të jetë një vendim sovran i vendeve, që duhet të jetë mbi bazën e të dhënave“, deklaroi Jesus Lavina.

Mbi këto rekomandime bazohet edhe platforma e Konfindustrisë Shqiptare për përballjen me problematikat mjedisore të ndërtimit të HEC-eve në realitetin e Shqipërisë. Ky draft u prezantua në takim nga kreu i saj, Gjergj Buxhuku i cili vuri theksin ne veprimet e menjëhershme dhe masat afatgjata që propozon platforma, si kontrollin e përhershëm profesional nga agjencitë shtetërore të zbatimit të kushteve të gjithë kontratave koncesionare në zbatim ku ka filluar investimi fizik në terren dhe pasqyrimin në një sistem publik baze të dhënash/data base, përmirësimi i legjislacionit mjedisor në fuqi, eliminimin e ofertave të pakërkuara, ndërtimin e planeve urbanistike sipas standardeve ndërkombëtare për të gjithë zonat e mbrojtura dhe ato me potencial zhvillimi turistik, krijimin e një ministrie të posaçme për Mbrojtjen e Mjedisit si dhe optimizmin e fushatave ndërgjegjësuese.

Opinioni i përbashkët i të gjithë folësve në panelet ishte fakti se duhet të fuqizohet roli i konsultimit publik, në mënyrë që të dëgjohen problematikat e komuniteteve ku shtrihen projektet e energjisë hidrike.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *