• |
ide | kryesore

Panucci publikon listën anti-Turqi: kthehet Sadiku, mungon Mavraj, ka surpriza në mesfushë…

F1, Sport



Eshtë koha e eleminatoreve të Euro 2020 dhe tani situata bëhet serioze. Tekniku i Kombëtares, Christian Panucci, është i qartë se alibitë kanë mbaruar dhe duhen rezultatet për të arritur atë që vetë italiani e ka artikuluar – kualifikimin në finalet e kompeticionit. Në këtë pikë, edhe zgjedhjet e bëra nga Panucci për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2020, respektivisht ndaj Turqisë më 22 Mars në Loro Boriçi dhe Andorrës më 25 Mars në Estadio Nacional, janë bërë me kujdesin më të madh nga tekniku.

Kuqezinjtë mirëpresin kthimin në skuadër të Armando Sadikut, që mungoi në fushatën e Ligës së Kombeve e ku vakumi i lënë prej tij penalizoi jo pak italianin, që shpreson të ketë zgjidhur cështjen-gol me lojtarin e vetëm që ka shënuar një gol për Shqipërinë në Euro-2016. Në repart, Panucci nuk mund të ankohet më për mungesa, ndonëse do ti duhet të bëjë akoma pa Roshin. Rikuperimi i Grezdës, që megjithatë vuan të gjejë hapësira tek Rangers dhe forma e mirë e Uzunit janë premtuese, ashtu sikurse siguria që jep Bekim Balaj. Pas ndryshimit të skuadrës gjen një ftesë edhe Abazaj, që duhet të justifikojë besimin e italianit.

Në mesfushë nuk mungojnë surprizat: rikthimi i gardës së vjetër me Abrashin, Xhakën, Memushajn e Bashën është kompletuar nga grumbullimi i Kaces dhe surpriza Qose. Ndërkohë që në portë është garancia e dy portierëve të Serie A, por në mekanizmat difensivë mungon kapiteni Mergim Mavraj, i pezulluar tre ndeshje.

Trajneri Panucci do të dalë përpara mediave në një konferencë për shtyp ditën e dielë, në orën 11:00, në selinë e FSHF-së. Grumbullimi i ekipit kombëtar do të nisë ditën e dielë në Kompleksin Tropikal, ndërkohë që seanca e parë stërvitore do të jetë në orën 15:00 në fushën sportive të Tropikal. Ndërkohë, sipas programit mediatik për ekipin kombëtar A, për tre ditë me radhë, të hënën, të martën dhe të mërkurën, në orën 13.30 do të jenë përpara mediave dy futbollistë të ekipit kombëtar, teksa të enjten, një ditë përpara ndeshjes me Turqinë, në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 17:00, do të zhvillohet konferenca për shtyp me trajnerin e ekipit kombëtar dhe kapitenin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *