• |
ide | kryesore

Video/ Penalltia skandaloze mposht Tiranën: bardheblutë të tërbuar me arbitrin Sokoli. Sherr në fund të ndeshjes, goditet Halili

F1, Sport, Video



Pas një serie impresionuese në 2019 me 6 ndeshje pa humbje Tirana detyrohet të dorëzohet në Redi Maloku, por jo përballë Kastriotit, por përballë arbitrit Olsi Sokoli, që shpiku një penallti, aty ku duhet të kishte një faull në favor të bardhebluve. Tërbimi i Tiranës shpërthen mbi gjyqtarin e ndeshjes, që ndaloi në këtë mënyrë të shëmtuar rrugën e kryeqytetasve drejt zonës Europiane të renditjes.

Kastrioti i Bledar Devollit mban distancën e katër pikëve nga Luftëtari që i kishte fituar pa luftë tre pikët (në tavolinë kundër Kamzës) dhe merr një fitore të cmuar, që ripërtërin shpresat për mbijetesë, në kohën kur Marku vërtetë shënoi golin nga pika e bardhë në minutën e 28, por asistin ia dhuroi arbitri Sokoli.

Një ndërhyrje nga pas, me Mavaje në zotërim të topit e që po tentonte ta largonte nga zona, është dhënë penallti nga arbitri, pavarësisht se përsëritjet tregojnë qartë se lojtari krutan futet me takat lart (duhej të ishte faull në favor të Mavaje).

Mema nuk mundi të vazhdonte mrekullinë e 2019 i tradhëtuar ndoshta nga nervat e të provokuarit Ngo’o që tekniku është detyruar ta nxjerrë nga fusha për të mos mbetur me 10 lojtarë. Ndoshta kjo, apo ndoshta edhe mungesa e fatit me shtyllën e goditur 10 minuta nga fundi nga Halili, por cdo alibi nuk krahasohet me atë penallti, që vendosi ndeshjen dhe shkaktoi sherrin në fund të lojës, atëherë kur tekniku Ardian Mema u mundua të kërkonte llogari tek arbitrat.

Nervat janë lëshuar dhe në tensionin e krijuar është goditur edhe futbollisti bardheblu Grent Halili, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e Devollit dhe të tjerëve për të mos e agravuar edhe më tej situatën. Kastrioti tashmë mbetet në vendin e parafundit, por shkon në 24 pikë, ndërsa Tirana mbetet e shtata me 29 pikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *