• |
ide | kryesore

Video/ Tre gola për titullin: Partizani fluturon +9 nga Kukësi

F1, Sport, Video



Nëse dëshiron titullin, nuk duhet të humbasësh rastet që të jepen e natyrisht duhen bërë performanca kampionësh. Partizani i bëri të dyja: shfrytëzoi asistin e dhënë nga Skënderbeu që mundi Kukësin dhe shkatërroi 3-0 Teutën në Selman Stërmasi, duke e parë 9 pikë më parë se kundërshtari më i afërt titullin kampion.

Teuta kishte vendin e tretë, reklamonte se do të mund të synonte titullin me një fitore në kryeqytet, por ishte shumë e dobët në fushë për të qenë në nivelin e deklaratave. Mbrojtja, që ka qenë pika më e fortë e të besuarve të Shkëmbit, është shthurur me lehtësinë më të madhe në Selman Stërmasi, ndoshta edhe të ndikuar psikologjikisht nga silura e Bruno Telushit, që shënon në të dytën ndeshje radhazi, pas asaj në Kupë me Luftëtarin. Mllefi i vlonjatit për mungesën e një thirrje nga Panucci është shkarkuar në minutën e katërt ku Hidi e kishte të pamundur ta mbante jashtë, i pandihmuar edhe nga barrikada.

Gega e kishte orientuar skuadrën e tij në zotërimin e mesfushës dhe vertikalizimet dhe prerjet në zonë për Asanin e e Mensah. Por ndonjëherë nuk fiton nëse nuk gabon dikush dhe Teuta gaboi, në minutën e 32 duke vendosur praktikisht fatet e lojës, e me shumë mundësi edhe kampionatit. Topi i kthyer gabim nga Avdyli, është rrëmbyer nga Asani që nuk i la mundësi tjetër Kallakut, vec faullit: Ardit Hila, shënoi kundër ish-skuadrës së tij, duke e bërë të sigurtë rezultatin.

Në fakt të rikuperosh dy gola në kryeqytet ndaj Partizanit nuk është nga ato misione të thjeshta, por Teuta që e bëri në 5 minuta kundër Kukësit, në mendje ndoshta edhe e coi, përpara se Cinari të mbyllte historinë në minutat shtesë me golin e tretë. Mungesa e Hebajt, që u dëmtua në grumbullimin me përfaqësueses U-21, nuk penalizoi të kuqtë, që administruan tërbimin për humbjen në Kupë, për një fitore që ka aromë titulli. Ai që mungon që nga 1992-93 në palmaresin e Partizanit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *