• |
ide | kryesore

Nuk u paraqit për njohjen me aktet e hetimit, Basha letër Prokurorisë

Lajme, Të fundit



Në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranë, Lulzim Basha e ka konsideruar kërkesën e paraqitjes në prokurori për njohjen e akteve rreth hetimit për respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike si të panevojshme, të pambështetur në ligj dhe të pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.

Basha bën të ditur se as ai dhe asnjë drejtues tjetër i Partisë Demorkatike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, arsye për të cilën ata nuk ka nevojë të informohen dhe prokuroria nuk ka asnjë detyrim të informojë për të dhënat e verifikimeve që po bën.

Basha shpjegon se zyrtarët e PD janë paraqitur në Prokurori për të dhënë shpjegimet e tyre që ndihmojnë prokurorinë në këtë çështje. Për këtë arsye, çmohet e panevojshme paraqitja sipas njoftimit të ardhur për njohjen me aktet.

“Fakti që një ftesë e tillë vjen 6 muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike.” – thuhet në letrën e Kryetarit të PD.

Duke vënë në dukje se “me thirrjen e panevojshme, keqinformuese dhe në një kohë të përzgjedhur politikisht, ju keni kompromentuar rëndë integritetin dhe paanshmërinë e hetimit”, Basha i kërkon Prokurorisë së Tiranës të distancohet menjëherë nga qendrime me prapavijë politike, si dhe të marrë të gjitha masat për të ndaluar në të ardhmen çdo lloj përdorimi për qëllime politike të hetimi.

Letra e plotë: 

PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË
KRYETARI

Nr. 39 Prot. Tiranë, më 20 Mars 2019

Lënda: Kthim përgjigje

DREJTUAR: Znj. Elisabeta Imeraj – Drejtuese e Prokurorisë
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË

PËR DIJENI: Z. Gjergji Tako, Prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës Parë Tiranë

E nderuar znj. Drejtuese e Prokurorisë,

Në përgjigje të shkresës nr. 4135 Prot., datë 18.03.2019 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me anë të së cilës përcillet urdhri juaj për paraqitjen për njohje me aktet e ardhura nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Autoriteti i Drejtësisë së Skocisë, për z. Arben Ristani, z. Gazment Bardhi, z. Ilir Dervishi dhe z. Lulzim Basha, ju bëjmë me dije sa më poshtë vijon:

Jam i habitur nga thirrja juaj për t’u paraqitur pranë zyrave tuaja për t’u njohur me një informacion që ju paskeni marrë në kuadër të hetimit që ju po zhvilloni në lidhje me respektimin e ligjit në deklarimet financiare të Partisë Demokratike.

Kjo kërkesë e juaja është e panevojshme, e pa mbështetur në ligj dhe e pa mbështetur në asnjë standard profesional dhe etik të hetimit.

As unë, asnjë drejtues tjetër i Partisë Demorkatike dhe as Partia Demokratike nuk janë marrë nën hetim dhe nuk janë të pandehur në asnjë hetim, prandaj as unë dhe as një drejtues tjetër i Partisë Demokratike nuk ka nevojë dhe ju nuk keni asnjë detyrim ta na informoni për asnjë të dhënë që mund të jeni duke mbledhur në kuadër të verifikimeve tuaja.

Zyrtarët e Partisë Demokratike, në zbatim të nenin 312 të Kodit të Procedurës Penale, në cilësinë e tyre si persona që mund të tregojnë rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit, janë paraqitur më parë në Prokurori dhe kanë dhënë shpjegimet e tyre. Gjithashtu, Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar në organin e prokurorisë të gjitha të dhënat e kërkuara nga ana juaj. Në këto kushte, organi i prokurorisë ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe që disponohen nga ana jonë, që i shërbejnë hetimit dhe ndihmojnë prokurorinë në përfundimin mbi këtë çështje. Për pasojë, ju bëjmë me dije se edhe zyrtarët e tjetër të Partisë Demokratike z. Ristani, z. Bardhi dhe z. Dervishi, e cmojnë të panevojshme paraqitjen, sipas njoftimit të ardhur nga ana juaj, për njohjen me aktet.

Nëse për çfarëdo arsyeje, ju mendoni se ne duhet të njihemi me ndonjë informacion, mund të na i dërgoni atë me postë ose mund ta bëni publik në media.

Zonja Drejtuese,

Fakti që na keni drejtuar një ftesë të panevojshme për të marrë një informacion që nuk ka asnjë interes për ne; fakti që kjo ftesë është formuluar në një mënyrë që çon në keqkuptime të panevojshme; fakti që kjo kërkesë është rrjedhur në media dhe është keqinterpretuar prej tyre dhe përdorur nga kundërshtarët tanë politikë; fakti qё ju nuk keni bërë asnjë sqarim apo përgënjeshtrim të këtyre keqintepretimeve; fakti që informacioni që doni të na përcillni nuk ka asnjë fakt apo të dhënë të re që nuk është pohuar nga ne gjatë shpjegimeve tona të mëparshme; si dhe fakti që një ftesë e tillë vjen gjashtë muaj pasi ju e keni marrë informacionin në fjalë dhe në një kohë kur ka filluar një fushatë keqinformimi me natyrën dhe ecurinë e hetimit në fjalë, na bën të mendojmë se veprimi juaj është bërë jo për qëllime hetimore, por për shërbime propagandistike politike.

Nisur nga ky dyshim, dëshiroj t’ju kujtoj se ju keni detyrimin kushtetues dhe ligjor të kryeni hetime larg ndikimeve politike, si dhe detyrimin ligjor që të garantoni besueshmërinë dhe integritetin e hetimit.

Me thirrjen e panevojshme, keqinformuese dhe në një kohë të përzgjedhur politikisht, ju keni kompromentuar rëndë integritetin dhe paanshmërinë e hetimit.

Për këtë arsye, ju kërkoj të distancoheni menjëherë nga qendrime me prapavijë politike dhe të merrni të gjitha masat për të ndaluar në të ardhmen çdo lloj përdorimi për qëllime politike të hetimit që po zhvilloni.

PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË

KRYETARI
LULZIM BASHA



2 Comments

  1. Doktor mortjes dhe Fiore hollandezit po i afrohet burgu. Do vazhdojne me rremuja e djegie gomash, po…. prape burgu i pret.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *