• |
ide | kryesore

Pse dështoi dje seanca për Saimir Tahirin, avokati: Mund të kërkojmë …

Lajme, Të fundit



Seanca paraprake për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dështoi dje në Gjykatën për Krime të Rënda, ndërsa avokati Makism Haxhia, në një prononcim për mediat la të hapur mundësinë për të kërkuar gjykim të shkurtuar.

Shqyrtimi i hetimeve të Prokurorisë do të bëhet të martën më 26 mars, ndërsa shkak për shtyrjen u bë mosnjoftimi i 3 të hetuarve të tjerë, ishpolicëve Jaeld Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, që ndodhen në arrati prej më shumë se një viti. Sipas avokatit të Tahirit, mosnjoftimi zyrtar i tre të hetuarve të tjerë nuk është veprim serioz i Prokurorisë për Krime të Rënda, ndërsa shtoi se ata do të kërkojnë pafajësinë në seancën paraprake.

“Është shtyrë seanca sepse organi i Prokurorisë, nëpërmjet oficerëve të Policisë Gjyqësore duhet të kishte bërë lajmërimin e të hetuarve dhe nuk e ka bërë. Gjë, që nuk është serioze për një organ të tillë, që është i mobilizuar dhe për më tepër, këtë çështje kaq serioze. Ata janë në kërkim, por ka edhe procedura lajmërimi”, tha Haxhia.

Vetë ish-ministri nuk foli pasi la sallën e gjyqit, duke lënë përfaqësuesin e tij, Maksim Haxhia, t’i përgjigjej interesit të medias. Ky i fundit, pyetjes nëse do të kërkojnë gjykim të shkurtuar, iu përgjigj se nëse zvarritja e procesit do të vazhdojë, ata mund të kërkojnë të procedohet me gjykimin e posaçëm, që në rast fajësie do t’i ulte dënimin Tahirit, ndërsa procesi gjyqësor do të mbyllej brenda 5 seancash.

“Nëse do vazhdojë kështu kalvari i zgjatjeve, do të detyrohemi ta bëjmë kërkesën me gjykim të shkurtuar. Gjithë materiali që ne kemi parë në 57 kapituj, në fashikujt e dosjeve në ngarkim të Tahirit dhe të tjerëve nuk ka asnjë provë që të implikojë Tahirin, që të çojë në ngritjen dhe bazueshmërinë e akuzave, për të cilat ai është sjellë për gjykim. Nuk ka letërporosi, ishte abuzim dhe keqdashje në çështjen ‘Tahiri’ nga analistë të qëllimshëm dhe të pozicionuar. Nuk ka 8, por 2 letërporosi që nuk kanë të bëjnë me akuzat”, përfundoi Maksim Haxhia.

Prokuroria për Krime të Rënda hetoi rreth 16 muaj për Tahirin, ndërsa vendosi ta marrë të pandehur për akuzën e “Trafikimit të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

“Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë”. Referuar hetimeve, ato bazohen në përgjigjet e letërporosive të ardhura nga Italia, Mali i Zi dhe Greqia, si dhe disa përgjime. / panorama



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *