*Sot në ndeshjen kundër Turqisë në Loro Boriçi në Shkodër kombëtarja e Panuçit do të luajë për hetë të parë me uniformat e reja për Euro 2020. Bluza e parë do të jetë e kuqe, me një jakë të zezë, ndërsa tutat do të jenë të zeza, e getat në ngjyrë të kuqe. Ndërkohë, risia e sponsorit “Macron”, këtë herë konsiston në figurën e vendosur përpara të tre llojeve të fanellave.
Aty është e ndërtuar një shqiponjë, pak a shumë si në fanellat e Euro 2016, por tashmë në një formë paksa më të çrregullt dhe abstrakte.
*Armando Sadiku nuk ka pësuar asgjë serioze do të jetë titullar në majën e sulmit të Shqipërisë. Frika e madhe e dëmtimit të tij rezultoi e kotë. Gjendja e sulmuesit të Luganos ka qenë shqetësimi kryesor në ambjentin kuqezi, sidomos për teknikun Christian Panucci, që me Bekim Balajn jo në formën më të mirë, do të mbetej praktikisht pa një qendërsulmues të mirëfilltë.
*Në konferencën për shtyp Panuçi ka thënë se mjafton edhe një gol i vetëm për të siguruar fitoren. “Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë, kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe 1 gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu” ka deklaruar trajneri. Në fakt mes futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore ndaj Turqisë dhe Andorrës gjenden 9 lojtarë kanë shënuar me fanellën kuqezi plot 26 gola. I pari në listë është Armando Sadiku me 11 dhe pas tij renditet Balaj me 5 gola.
*Formacioni i mundshëm i Shqipërisë pas përjashtimit të Strakoshës dhe rrefuzimit të Lenjanit pritet të jetë: Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Veseli, Xhaka, Memushaj, Abrashi, Uzuni, Grezda, Sadiku
* Kjo do të jetë ndeshja e 11-të që do të luhet mes Shqipërisë dhe Turqisë. Deri tani, dy kombëtaret janë përballur 10 herë në të gjitha kompeticionet (përfshirë edhe miqësoret) dhe bilanci është i barabartë: 4 fitore Shqipëria, 4 fitore Turqia dhe 2 ndeshje barazim.
* Golavarazhi që kanë prodhuar 10 sfidat e mëparshme është 14/10 në favor të kuqezinjve. Kombëtarja ka shënuar 14 gola ndaj Turqisë dhe ka pësuar 10. Rezultatet më të thella kanë qenë 3-0 për Shqipërinë dhe 1- 4 po në favor të Shqipërisë.
* Shenjol Gynesh që do të debutojë në krye të stolit të Turqisë në “Loro Boriçi” nuk ka kujtime të mira me Shqipërinë. Ai ka luajtur një herë përballë ekipit kuqezi dhe ka humbur miqësoren 0-2. Në atë kohë Kombëtarja drejtohej nga Medin Zhega dhe golat u shënuan nga Alban Bushi dhe Ervin Skela. Trajneri i njohur turk u rikthye sërish në kombëtare, teksa më parë e ka drejtuar këtë skuadër në vitet 2000-2004. Ai qëndroi në krye të pankinës në 50 ndeshje. Kulmin e arriti në Botërorin e vitit 2002 duke e çuar Turqinë në vendin e tretë të kompeticionit më të rëndësishëm.
* Kristian Panuçi do të drejtojë Shqipërinë për herë të 15- të, Shqipërinë kundër Turqisë. Deri tani bilanci është 4 fitore, 2 barazime dhe 8 humbje. Ekipi i tij e ka mundur Turqinë në një miqësore me rezultatin 2-3.
* Kjo do të jetë ndeshja e nëntë që Kombëtarja shqiptare luan në “Loro Boriçi”. Tetë të mëparshmet kanë dhuruar bilancin: 3 fitore, 2 barazime, 3 humbje.
* Financiarisht, kombëtarja e Turqisë vlen 154 milionë euro (e llogaritur nga transfermarkt, ku ka edhe lojtarë që s’janë grumbulluar). Shqipëria vlen më pak se gjysma, 70 milionë euro. Futbollisti më i shtrenjtë në merkato për të dyja skuadrat është Elseid Hysaj, kartoni i të cilit vlerësohet 23 milionë euro. Në këtë mënyrë, shkodrani thyen Hakan Çalhanoglunë e Milanit, i cili vlen 22 milionë euro.