• |
ide | kryesore

E përshëndeti para vrasjes, kamerat fiksojnë autorin e avokatit Ravik Gurra

Lajme, Të fundit



Asnjë i dyshuar për vrasjen mafioze të avokatit në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, prej 10 vitesh avokat, u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa ishte ulur për të konsumuar kafe në një lokal bashkë me një përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Për ekzekutimin e 50-vjeçarit, autori i maskuar me një kapele ka përdorur një pistoletë me silenciator. Nga rindërtimi i ngjarjes, autori i është afruar qetësisht Gurrës dhe më pas e ka qëlluar pas koke dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për të mos krijuar dyshime, autori, në momentin që është drejtuar për te tavolina ku qëndronte Gurra, e ka përshëndetur me dorë.

Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij. Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998.

Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë. Përveç Shqipërisë, Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën e quajtur “Gurra & D”, ku kryesisht merrej me çështje të emigrantë shqiptarë në vendin ishullor.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *