• |
ide | kryesore

Ekzekutimi i avokatit të Shullazit/ 30 të pyetur, edhe nga Çapjat. Vrasësi…

Lajme, Të fundit



Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra, mbrëmjen e së premtes në mes të Elbasanit, dyshohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë.

Autori i dyshuar i ngjarjes, një person i maskuar, me kapele dhe me doreza, nuk ka lënë asnjë provë në vendin e ngjarjes, që mund të ishte në dobi të hetimit. Avokati i Emiljano Shullazit u qëllua me dy plumba pas koke me një pistoletë me silenciator dhe asnjë nga dëshmitarët e pranishëm në lokal nuk kuptoi asgjë deri në momentin që 50-vjeçari ra i vdekur në tokë.

Menjëherë pas krimit, forcat speciale RENEA zbarkuan në qytetin e Elbasanit, ku kryen kontroll banesash e ambientesh të ndryshme, duke shoqëruar më shumë se 30 persona, të cilët përfunduan sërish të lirë.

Asnjëri prej tyre nuk rezultoi të kishte lidhje me krimin. Burimet thanë se mes të shoqëruarve ishin edhe pjesëtarë të fisit Çapja, me të cilët kishte miqësi dhe i kishte përfaqësuar disa herë si avokat viktima Ravik Gurra. Hetimi për ekzekutimin e avokatit Gurra i ka kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda, si vrasje në rrethana të tjera cilësuese, për shkak të detyrës si avokat.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 19:35, në një lokal në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e një lokali mjaft të frekuentuar bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë. Personi i maskuar është larguar me shpejtësi, duke hipur në një makinë, në të cilën e priste pak metra më tej personi që e ndihmoi për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

“Rreth orës 19:35, në një lokal në Elbasan, nga persona ende të paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi R.G., 50 vjeç, banues në Elbasan. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha rrugët në hyrje e dalje, si dhe po krehin zonën ku dyshohet se janë larguar autorët. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po grumbullon e fikson çdo provë që do shërbejë për zbardhjen e ngjarjes.

Një grup ekspertësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur menjëherë në ndihmë të grupit hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e shpejtë të ngjarjes”, tha zyrtarisht Policia në njoftimin paraprak për ngjarjen. Më pas, burimet konfirmuan se viktima është avokati i njohur Ravik Gurra, i cili së fundmi ishte mbrojtësi i Emiljano Shullazit në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Menjëherë pas krimit të rëndë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë së Elbasanit, oficerë kriminalistë e të Krimeve të Rënda, si dhe një grup i nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

HETIMI

Menjëherë pasi kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbledhjen e provave dhe pyetjen paraprake të dëshmitarëve, oficerët e Krimeve të Rënda kanë ngritur edhe pistat e para hetimore. Pista e parë mësohet se është ajo e një vrasjeje të mundshme për shkak të detyrës. Kjo, edhe për shkak të çështjeve të fundit që ai ka mbrojtur në proceset gjyqësore.

Por, nga ana tjetër, edhe për shkak të miqësisë që ai ka me pjesëtarë të familjes Çapja në Elbasan, të cilët herë pas here kanë qenë të përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale, herë si të dyshuar e herë si viktima. Megjithatë, burimet thanë se nuk përjashtohen as pista të tjera hetimore, të cilat do të vlerësohen edhe pasi t’u merret deklarim familjarëve të tij apo miqve.

Ndërsa deri tani duket se hetimet janë përqendruar te detyra e tij si avokat, të cilën e ushtron prej shumë vitesh. Sa u përket autorëve të dyshuar, burimet thanë mund të jetë vrasës me pagesë, që ka marrë porosi nga persona të tjerë për eliminimin e avokatit 50-vjeçar

30 PERSONA mes së cilëve edhe anëtarë të fisit Çapja, janë shoqëruar gjatë orëve të fundit në Elbasan, si persona që mund të kenë dijeni për vrasjen e avokatit Ravik Gurra, por pas verifikimeve të gjithë janë lënë të lirë, duke qenë se nuk janë gjetur prova për t’i lidhur me krimin. /panorama



1 Comment

  1. Disa ore me pare dhate lajmin se u shty seanca e Shullazit, pasi avokatja e caktuar(pa emer e mbiemer) ishte jashte shtetit dhe se kishte dhene doreheqjen….
    Ertv apo lalibashkiatv ua jep keto lajme?
    Kush eshte avokatja e dorehequr?
    A ka lidhje pune direkte me Gurren?
    E dha doreheqjen dje apo sot, apo kur? Pse?
    Keto duhet te hetoni o gazetare blloku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *