• |
ide | kryesore

Arrestimi i ‘autorëve’, shtohen enigmat mbi vrasjen e Jurgen Kurtit

Kryesore, Lajme



Arrestimi i tre personave të dyshuar si autorë të vrasjes së Jurgen Kurtit, ka shtuar enigmat mbi ekzekutimin e këtij të fundit.

Për vrasjen e 26-vjeçarit, policia njoftoi sot se kishte arrestuar tre të rinj dhe kishte shpallur në kërkim një tjetër. Autorët janë Elsi Levendi, lindur në Athinë dhe banues në Tiranë, Olsi Qalliaj 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos dhe Alesio Berberi 33 vjeç lindur në Patos dhe banes në Patos, Fier.

Motivi i ngjarjes është ende i paqartë. Pistat që po ndiqen në hetime janë të shumëllojshme, siç edhe sugjeron profili i Kurtit, një i ri i përfshirë në dy vrasje (lexo më poshtë) dhe i njohur për jetën luksoze që bënte.

Dyshimet fillimisht ranë mbi një hakmarrje të mundshme nga familjarët e Agim Arapit, pronarit të një marketi në Durrës i cili mbeti i vrarë nga sherri me grushte që pati me Jurgen Kurtin, vjehrrin e tij Kostandin Ekonomi dhe vëllain e vjehrrit, Kujtim Ekonomin, i vetmi që u dënua me burg për ngjarjen e rëndë. Ngjarja mori shumë publicitet falë thirrjeve të njëpasnjëshme të gruas së Agim Arapit, Vjollcës, që kërkonte drejtësi nëpër emisione. Sipas saj, Jurgen Kurti ishte përgjegjës për vrasjen e të shoqit dhe nuk mund të lihej i lirë.

Një ditë pas vrasjes së Kurtit, u shpall në kërkim djali i Agim Arapit, Dervisi, i cili jeton në Itali. Ai dhe nëna e tij, Vjollca mohuan përfshirjen e tyre në vrasje. Pas verifikimeve në sistemin TIMS, konfirmohej se Dervis Arapi nuk kishte ardhur në Shqipëri që nga Janari, pasi jeton në Itali.

Në media qarkulluan edhe informacione se Kurti mund të ishte i përfshirë në trafik droge apo fajde, por ishin pista që nuk morën shumë vëmendje pasi ato mbetën në kuadrin e dyshimeve.

Për pak ditë hetimet mbi vrasjen e Kurtit dukeshin se nuk po prodhonin asgjë. Rrugica e pamonitoruar me kamera dhe saktësia e dyshuar e lëvizjes së vrasësve do ta bënte të vështirë punën e grupit hetimor. Por, kjo do të ndryshonte sot, kur policia me një komunikatë për mediat deklaroi se kishte arrestuar autorët.

Disa media kanë raportuar se për vrasjen e Kurtit janë paguar 30 mijë euro, shifër dhe dyshime (për vrasje me pagesë), që është akoma paraprake. Ato i referohen burimeve nga grupi hetimor. Por, në një rast të tillë, nuk është zbuluar as emri i porositësit dhe as më thelbësorja, motivi për një vrasje të tillë. Gjithçka mbetet akoma në kornizën e dyshimeve.

Por, ajo që dihet me siguri është se autorët e dyshuar janë miq me njëri-tjetrin. Raportohet se ata nuk kanë pranuar që e njihnin viktimën. Në polici autorët nuk kanë pranuar akuzat dhe nuk kanë dhënë detaje. Ata e kishin ndjekur për disa ditë Jurgen Kurtin dhe janë kapur duke udhëtuar me makinën tip “Benz” që u përdor në ditën e vrasjes tek hyrja e pallatit të viktimës në rrugën ‘Zef Jubani’ pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’, ku viktima po shkonte për në banesë pasi po kthehej nga palestra, në ora 10:20 të mbrëmjes.

(Foto pak çaste pas ekzekutimit, Jurgen Kurti i shtrirë në trotuar) 

Policia njoftoi se ka sekuestruar një makinë që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze, një pistoletë, një sasi eurosh dhe lekësh, 13 telefona dhe një sasi të vogël droge.

Por kush është Jurgen Kurti? 

Jurgen Kurti njihej si menaxheri i VIP-ave, pasi ka sjellë në Shqipëri disa këngëtarë të njohur në koncerte si dhe drejtonte disa biznese familjare.

26-vjeçari është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2016 ai përfshi në vrasjen e babait të tij, Artur Kurti. Ishte muaji prill i vitit 2016 kur Kurti u arrestua për vrasjen me thikë të babait të tij, pas një sherri në banesë. Por djali do të fitonte shumë shpejt lirinë pasi për krimin u shpall fajtor daja i tij, Leonard Ristani. Nuk kaluan shumë kohë, para se i riu të përfshihej në një tjetër akt kriminal.

(Jurgen Kurti dhe babai i tij, Artur Kurti) 

Në prill të vitit 2017, Kurti u arrestua sërish për vrasjen e Agim Arapit, pronarit të një picerie në Durrës. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e këtij të fundit, Kujtim Ekonomi, krim i cili ndodhi për motive pronësie. Kujtim Ekonomi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Kurti mundi që të fitonte lirinë sërish.

©LAPSI.AL 

(Pronari i marketit në Durrës, Agim Arapi) 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *