• |
ide | kryesore

E fundit/ Dy orët vendimtare për Brexit-in

Planet



Deputetët britanikë do të votojnë mbi format alternative të Brexit-it, ndërkohë që nuk ka asnjë garanci se ndonjëra prej tyre do të gëzojë përkrahjen e nevojshme.  Pikësëpari, mos prisni që legjislatorët do të rezultojnë më të mirë sesa kryeministrja Theresa May, në përcaktimin e rrugëdaljes nga qerthulli ku është ngërthyer procesi i çanëtarësimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure-  52 orë para se Britania supozohej që të largohej nga BE-ja- Dhoma e Komunëve do të nisë raundet e votimeve për një sërë skenaresh të mundshëm të Brexit-it. Dita ka nisur edhe më herët për May-in, e cila ende nuk ka hequr dorë së luftuari për një “fitore si të Pirros”  për zbatueshmërinë e marrëveshjes së saj të divorcit nga Brukseli, duke thirrur një mbledhje private të deputetëve konservatorë, mes spekulimeve që “gurgullojnë” së fundmi lidhur mundësisë për t’u dorëhequr nga posti i kreut të qeverisë britanike,  në këmbim të miratimit të marrëveshjes së propozuar prej saj.

Javën e shkuar, në organin më të lartë vendimarrës të Brukselit, Këshillin e Evropës, liderët e BE-së i ripohuan Britanisë 29 marsin si afatin e fundit kohor për të ratifikuar atë që quhet “Marrëveshje e Tërheqjes” të negociuar nga May, ose për të zgjedhur  midis largimit nga Unioni më datë 12 prill pa marrëveshje, apo për të aplikuar për një zgjatje të procesit të largimit, me kushtin që Britania të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane të fundmajit.

Sipas një njoftimi për mediat nga zyra e shtypit të Dhomës së Komunëve, deputetëve do t’u dorëzohen fletët e votimit me opsionet e listuara të Brexit-it, të parashtruara më parë në shumicë prej tyre dhe të përzgjedhura për votim nga kryetari dhe njëkohshëm zëdhënësi i Dhomës, John Bercow.  Pasi rezultatet e votimit të sotëm të jenë publikuar, deputetët do të kenë mundësinë të “reflektojnë mbi to”, përpara një seance të posaçme parlamentare të parashikuar për ditën e hënë, kur pritet të zhvillohet edhe raundi i dytë i votimeve.

Eksponentë të qeverisë që janë përkrahës të “paketës  May”, shprehen mosbesues rreth arritjes së  numrit të nevojshëm të votave për cilëndo nga alternativat e Brexit-it. Në radhët e tyre artikulohet se kundërshtarët e palëkundur të marrëveshjes së vetme në tavolinë, në të vërtetë nuk i kuptojnë bazat e negociatave dhe veçanërisht faktin pa miratimin e “Marrëveshjen e Tërheqjes” nuk do të ketë periudhë tranzitore shkëputjeje nga gjiri i familjes evropian.

“Është e jashtëzakonshme!”- ka reaguar May lidhur me rrjedhën e Brexit-it të diktuar nga oponenca numerike e  deputetëve kritikë. “Shumë prej tyre ende nuk e dinë se për çfarë po flasin. Ju duhet të shkoni drejt thelbit, duke ecur nga ‘a’-ja  në ‘b’, gjatë gjithë rrugës,”- është përpjekur të shpjegojë ndër të tjera kryeministrja.

Megjithatë, edhe nëse deputetët do të jenë në gjendje të formojnë një shumicë të qëndrueshme dhe të pamohueshme parlamentare për njërin nga planet alternative, May dhe sekretari i Brexit-it, Stephen Barclay, janë shprehur me vendosmëri se qeveria nuk do të pranojë asgjë që bie në kundërshtim me manifestin e Partisë Konservatore, duke përvijuar edhe perspektivën e zgjedhjeve të parakohshme.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *