• |
ide | kryesore

Vuçiç kundër idesë për mbylljen e kufirit me Kosovën

Lajme, Të fundit

Në Beograd ka nisur të përflitet ideja e mbylljes tërësore të kufirit jugor me Kosovën, si një masë reciproke ndaj taksës që Prishtina po aplikon kundër Serbisë prej muajit nëntor.


Por presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, deklarohet kundër një hapi të tillë pasi do i kthente dy vendet shumë vite pas, duke prekur pikësëpari komunitetin serb që jeton në Kosovë.


Vuçiç: “Këtyre persona që mendojnë kështu dua t’u shpjegoj se kjo zgjidhje do të izolonte qytetarët tanë në Kosovë, duke vënë në rrezik jetën dhe furnizimet e tyre ushqimore. Apo mos mendoni se duhet të kalojmë një ligj që parasheh lejehyrje vetëm për serbët dhe jo për shqiptarët? Kështu do ktheheshim pas në vitin 1932, në Gjermaninë e Hitlerit, ndaj nuk ka për të pasur ligje të tilla.”

Në daljen e tij televizive, kreu i shtetit serb gjithashtu u shpreh i befasuar nga një deklaratë bërë një ditë më parë nga ambasadori amerikan në vend rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas diplomatit Kajl Skot, përgjegjësia për ngërçin në raportet mes dy vendeve nuk i duhet ngarkuar vetëm Prishtinës por edhe e Beogradit.

Por Vuçiç e cilësoi të padrejtë këtë konstatim, dhe renditi një sërë çështjesh që e kanë bllokuar procesin, si miratimi i platformës së dialogut Kosovë-Serbi, formimi i ushtrisë kombëtare, tarifa doganore apo refuzimi nga pala kosovare i bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb u shpreh se mundësitë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të shpejtë janë më të vogla se kurrë pasi druhet se rivalët e tyre do i rikthehen dialogut vetëm kur të ketë përfunduar mandati i administratës aktuale në Bashkimin Europian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu