• |
ide | kryesore

Investigimi i “Fiks Fare”/ A fshihen rusët pas blerjes së ARMO-s?

Arkiva



Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së premtes një skandal që po ndodh me kompaninë “ARMO”. Kristof Darbord, ish-administrator në vitet 2013-2015, në kohën kur rafineria i shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm rreth 200 milionë euro, si dhe 400 milionë euro borxhe ndaj OSHEE-së, bashkisë, punëtorëve dhe furnitorëve, është aktualisht “pronar” i kompanisë.

Por, gjatë dy viteve të fundit, kompania ka kaluar disa duar. “Fiks Fare” shfletoi dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, ku rezulton se “ARMO” është shoqëri aksionere. Aktualisht, administrator është shtetasi zvicerano-francez, Kristof Darbord. Ky i fundit nuk është i panjohur për “ARMO”-n, pasi ka punuar më parë në këtë kompani.

Sipas dokumenteve, në datën 2 mars 2015 rafineria ka ndryshuar administrator. U largua z. Ervin Gjokutaj dhe u emëruar z. Kristof Darbord. Disa muaj më vonë, në datën 16 tetor, një Zyrë Përmbarimore ka vendosur masën e sekuestros konservative të kompanisë “ARMO”, me përfaqësues pikërisht z. Darbord. Një muaj më vonë u vendosën sërish dy sekuestro ndaj “ARMO”-s, përsëri me administrator Darbord. Sekuestrot kanë vijuar edhe në shkurt të vitit 2016, ku janë ngrirë të gjitha aksionet e “ARMO”-s. Po ashtu, edhe në muajt qershor-korrik-gusht 2016 janë vendosur urdhra sekuestroje për rafinerinë. Në të gjitha rastet, administrator ka qenë z. Darbord.

Ndërkohë, kompania thelloi detyrimet edhe ndaj organeve shtetërore, ku vetëm në Tatime dëmi ishte rreth 200 milionë euro, pa llogaritur doganat, OSHEE-në, punëtorët, bankat, etj.. Në këtë kohë, rafineria kaloi në disa duar: Banka Credins – Allum Enterprises – Bylis Energji – Tosk Energji. Kompania e fundit që e administron është pikërisht “Tosk Energji”.

“Ai zvicerani ka qenë në prapaskenë, ka qenë pjesë e stafit. Ne kemi pa marrë (paga) nga korriku i 2015-s deri në shtator të 2016-s. Ne kemi hapur gjyq, kanë fituar gjyqe rreth 600 veta”, thotë Kamber Iljazi, kreu i Sindikatës së Punonjësve të ARMO-s.

Në tetor të vitit 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi një transfertë të dyshimtë prej 13 milionë eurosh nga firma “Gunvor”, për kompaninë “Tosk Energji”.

“Gunvor”, në atë kohë figuronte në “listën e zezë” në SHBA, pasi dyshohej se një pjesë e aksioneve zotëroheshin drejtpërdrejt nga presidenti rus Vladimir Putin.

Paratë do të përdoreshin për të rivënë në punë “ARMO”-n. Por, rreth 3 vite pas kësaj tentative, kompania “Gunvor” po tenton që të rimarrë nën kontroll kompaninë “ARMO”.

“Fiks Fare” ka mësuar se kompania ruse “Gunvor” ka bërë një kërkesë në Autoritetin e Konkurrencës për të blerë kompaninë “Tosk Energji”, e cila zotërohet plotësisht nga shtetasi zvicerano-francez, Kristof Darbord.

Pra, në të gjithë këtë aferë, vetëm emrat e kompanive ndryshojnë, ndërkohë që personat pas tyre janë të njëjtë.

“Fiks Fare” shkoi në kompaninë “Tosk Energji”, ku mori kontakte me dy punonjës. Sipas tyre, “z. Darbord tek ‘ARMO’ ka dhënë dorëheqjen, në momentin që është shuar aktiviteti i ‘ARMO’-s”.
Pas citimit të ligjit se, nëse nuk paguan taksat të ndalohet udhëtimi jashtë vendit, ata thanë se administratori është i punësuar. Sipas tyre, kompania “CFD” së shpejti do të blihet nga kompania “Gunvor”, të cilës DPPP-ja në vitin 2013 i bllokoi një shumë prej 13 milionë eurosh.

Në lidhje me ish-administratorin, gazetarët e “Fiks Fare” kontaktuan edhe me z. Ali Hajrasouliha.
“Më besoni që as Zoti nuk e njeh atë”, thotë z. Ali për ish-administratorin Kristof Darbord.

“Faktikisht ai ka punuar në Tiranë, ndërsa unë kam punuar në Fier. Unë nuk isha pjesë e zyrës qendrore. Ai ishte drejtor në zyrën qendrore. Kur ai erdhi atje, ne ishim të surprizuar. Ai nuk u pranua nga anëtarët e bordit, sepse në atë kohë nuk ishin dhënë pagat nga ARMO. Dhe ne i thamë atij që, si drejtor që ishte, të na jepte pagat. Unë kam punuar atje pa asnjë pagë dhe kështu që e lashë”, përfundon z. Hajrasouliha./tch



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *