• |
ide | kryesore

Zgjedhjet lokale në Turqi/ Premtimi populist i Erdoganit për “Hagia Sophia”

F1, Planet



Teksa na ndajnë vetëm pak orë nga zgjedhjet lokale në Turqi, presidenti Rexhep Taip Erdogan, ka bërë premtimin populist për ta shndërruar në një xhami ish-katedralen e shquar të Stambollit, “Hagia Sophia”. Ky objekt kulti u ndërtua në vitin 537 brenda një kohe shumë të shkurtër prej 6 vjetësh nën porosinë e perandorit bizantin Justiniani I dhe për gati 900 vjetët e mëpasshëm ka shërbyer si një katedrale greke për besimtarët ortodoksë.

Parë në retrospektivë, ndërtesa shpaloste një stil tejet të pazakontë dhe pothuaj krejt të veçantë për kohën. Duke qenë e ideuar nga dy prej arkitektëve më kryesore dhe më të mirënjohur të Greqisë Bizantine, që njihen gjerësisht si Isidori i Miletusit dhe Anthemiusi i Tralles, “Hagia Sophia” u mirëprit si një vepër arktitekturore e mirëfilltë. Depërtimi në brendi është shtangës për nga laryshia e formave rrotull të katër anëve. Për historianët e artit dhe njohësit e lëmit të arkitekturës bizantine, vlerësohet si një dyzim mes një bazilike që vjen për së gjati, por që ndërthuret me një kube të lartë prej 32 metrash (105 këmbë), e cila mbështetet në të dy skajet e boshtit gjatësor. Muret janë të përshkuara tej e ndanë nga dritare, që nën depërtimin e dritës së diellit krijojnë iluzionin e rrejshëm të një tende që lundron në ajri.

Pas pushtimit otoman të Konstandinopojës në vitin 1453, sulltan Mehmeti i II-të e “riprodhoi”  “Hagia Sophia”-n duke i dhënë formën dhe dukjen e një xhamie, veçanërisht përmes shtimit të një minareje prej druri, kullës me fanar ndriçues të përdorur nga myzeinët për t’i ftuar besimtarët myslimanë në lutje dhe falje. Mirëpo, minareja prej druri nuk arriti të rezistonte gjatë në kohë. Biri i Mehmetit, Bayezidi i II-të urdhëroi ngritjen e dy minareve të ngjyrosura në të kuqe dhe që aktualisht qendrojnë përkatësisht në këndin juglindor dhe në atë verlindor të strukturës së ndërtesës. “Hagia Sophia”-s të konvertuar tashmë mirëfilli në xhami, do t’i shtoheshin edhe dy minare të tjera identike në anën perëndimore të ndërtuara në kapërcyell të shekullit të XVI-të nga arkitekti osman gjithaq i mirënjohur, Sinan.

Duke filluar nga viti 1934-n, “Hagia Sophia” u kthye në një muze me një dekret special të themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk. Ky status laik dhe neutral që e garantoi përmes statusit të muzeut, e bëri kishën dhe njëkohshëm xhaminë e dikurshme një prej objekteve më të pëlqyeshme për adhuruesit e të gjitha besimeve fetare. Falë mozaikut unikal dhe vlerave të paçmuara artistike, ndërtesa përfshihet në plinimetrisë të zonës historike të Stambollit, e cila mbrohet nga UNESCO-ja.

Megjithatë, shpërfillës ndaj kësaj trashëgimie të tejmadhe, lideri i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Erdogan, e ka cilësuar vendimin për ta kthyer objektin në fjalë në muze si një gabim shumë të madh. Kjo deklaratë vjen në kohën kur Turqia pritet të mbajë zgjedhjet bashkiake më datë 31 mars dhe pikërisht për arsye të klimës së polarizuar politike në vend, mendohet se shpallja e këtij premtimi është pjesë e fushatës së Erdoganit për AKP-në.

Kujtojmë se që në vitin 2013, Erdogan është shprehur se do të merrte në konsideratë mundësinë e ndryshimit të statusit muzeal të “Hagia Sophia”-s. Ndërkaq, së fundmi, kreu i shtetit turk e justifikoi vendimin e tij me pretekstin se “ekziston një kërkesë në mesin e popullit turk që ‘Hagia Sophia’ të shndërrohet përsëri në një xhami”. Ky vendimi rrezikon të zemërojë Greqinë, fqinjen dhe kundërshtaren historike të Turqisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *