• |
ide | kryesore

Zgjedhjet lokale në Turqi/ Erdogan humbet kontrollin mbi bastionet historike të AKP-së, Ankaranë dhe Stambollin

Planet



Dy qytetet më të mëdha të Turqisë, kryeqyteti i Ankarasë dhe Stambolli, rezultojnë të jenë shkëputur nga zotërimi i liderit autoritar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), Rexhep Tajip Erdogan. Humbja bindëse e AKP-së në Ankara në këto zgjedhje të ashpra lokale kundrejt kandidatit për kryetar bashkie së Partisë Republikane Popullore (CHP), Mansur Yavaş, i jep fund dominimit prej 25 vjetësh të partisë islamike mbi kryeqendrën e jetës politike turke.

Një zyrtar i AKP-së njoftoi se partia do të kundërshtonte rezultatin e ngushtë të votimeve në Stamboll, ndërsa opozita e elektrizuar nga fitorja e shumëpritur i bëri thirrje qeverisë që të respektojë vullnetin e sorvranit. Votimi i së dielës, i cili shihej edhe si një testim i popullaritetit të presidentit, shtrëngoi Erdoganin të sprapsej duke pranuar se partia e tij kishte humbur ndjeshëm mbështetjen.  “Ne, si AKP, kemi humbur disa nga komunat,”-  pohoi Erdogan në një fjalim me afrimin e muzgut të së dielës. “Ne do të pranojmë se kemi fituar zemrat e popullit tonë në vendet ku kemi fituar, dhe se ne nuk ishim mjaftueshëm të suksesshëm në vendet ku kemi humbur. Por, ne do të vendosim për planin tonë të veprimit në përputhje me rrethanat ,”- përfundoi deklaratën e tij kreu i AKP-së.

Beteja për bashkinë e Stambollit ishte aq e skajshme dhe në kufi të balotazhit, saqë në të hyrë të mesnatës publiku u bë pre e një ambivalence informative, pasi secila prej palëve pretendonte fitoren. Kandidati i AKP-së dhe njëherësh ish-kryeministër, Binali Yıldırım, deklaroi fitoren, ndonëse rreth 2 % e fletëvotimeve kishin mbetur ende të panumëruara dhe hendeku midis tij dhe kandidatit të opozitës, Ekrem İmamoğlu, do të arrinte në orët e mëpastajme në 27 mijë vota.  Humbja në Stamboll e godet në vetë të parë Erdoganin, i cili nisi ngritjen e tij meteorike si politikan pikërisht në cilësinë e kryebashkiakut tëi qytetit më të madh të Turqisë në vitet 1990, duke artikuluar shpesh thënien pothuaj proverbiale se “kushdo që fiton Stambollin fiton Turqinë”.

Sekretari i përgjithshëm i AKP-së, Fatih Şahin, në një postim në llogarinë e tij personale në rrjetin social “Tëitter” bëri të ditur për mediat dhe për elektoratin se partia në pushtet do të kundërshtonte rezultatet, me pretekstin e parregullsive gjatë procesit të numërimit. Nga ana tjetër, zëdhënësi i CHP-së, Faik Öztrak, deklaroi se rezultati ishte i qartë dhe se pas të sotmes Turqia kishte hyrë në një epokë të re. Kjo klimë tensioni u përshkallëzua drejt dhunës, nga e cila numërohen 4 të vrarë dhe me dhjetëra të tjerë të plagosur.

Mes recesionit të parë të Turqisë përgjatë një dekade, problematikat lokale u nënvlerësuan gjatë kësaj fushatës, pasi zgjedhjet komunale u kthyen në një provë të popullaritetit të Erdoganit. Për 17 vjet në pushtet, Erdogani arriti ta projektonte me sukses veten si garantues të prosperitetit dhe të mirëqenies së popullit turk, por shifrat faktojnë një realitet diametralisht të kundërt. Kostot e jetesës kanë ardhur veçse duke u ulur, inflacioni ka kapur shifrën 20 % dhe çmimet janë rritur me më shumë se 30 %. Kuptueshëm, në këto rrethana, pakënaqësia sociale është përhapuar, madje edhe në vetë radhët e votuesve më  konservatorë të AKP-së.

Presidenti vetë i përshkroi zgjedhjet si një test ekzistencial për vendin e tij, duke e cilësuar votimin “një çështje mbijetese”.  Në fjalimin e tij të djeshëm, Erdogan theksoi se AKP-ja dhe aleatët e saj, Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), fituan shumicën e votave në mbarë vendin, rreth 52 % të votave me 99 % të fletëvotimeve të numëruara.

Mirëpo, as retorika e Erdoganit dhe as skema e subvencionuar për perimet të qeverisë së tij nuk qenë të mjaftueshme për të bindur në masë votuesit e Turqisë.  Madje, edhe me topin në fushën e tij, duke pasur një armatë mediatike në favor, Erdogan nuk ia doli mbanë.

Me disfatën në komunat metropolitane, AKP-ja humbet kontrollin mbi një rrjet patronazhi, që u lejon qeverive vendore të lidhin kontrata të dyshimta me biznese preferenciale.Ankaraja nuk ishte e vetmja goditje ndaj qeverisë. Aleanca AKP-MHP humbi gjithashtu në Adana, Antalia dhe Mersin – të trija në mesin e 10 qyteteve më të mëdha të Turqisë- dhe në një numër provincash anatoliane. CHP-ja, nga ana tjetër, mbrojti fortesat e saj në bregun e Egjeut, duke përfshirë fitoren në qytetin e tretë më të madh të Turqisë, në Izmir.

Nisur nga rezulatet, duhet të jemi shpresëplotë se fitoret komunale të opozitës mund të kenë të ngjarë të dobësojnë pushtetin autoritar të Erdoganit, i cili që nga rizgjedhja si president vitin e kaluar, qeveris mbi Turqinë me fuqi të pakufizuara.  Megjithatë, disa nga fitoret komunale të opozitës mund të jenë të jetëshkurta. Erdogan ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend të respektojë disa prej rezultate zgjedhore, duke premtuar të heqë rreth 300 kandidatë të këshilltarëve të qyteteve të dyshuar për lidhje me militantët kurdë.

Ngjashëm më këtë masë, në kuadër të një “raprezaljeje” të themeltë pas përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016, qeveria e Erdoganit ka shkarkuar me dhjetra kryetarë komunash dhe me qindra zyrtarë lokalë të dyshuar për lidhje me terroristët, duke i zëvendësuar ata me administratorët e caktuar nga qeveria.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *