• |
ide | kryesore

Veliaj, edhe 14 milion euro të tjera në skemën e dyshimtë të PPP-ve për shkollat

Arkiva, Lajme, Të fundit

Bashkia Tiranë do të japë ndërtimin e katër shkollave të tjera me Partneritet Publik Privat, një vit pasi dha kontratën e parë për ndërtimin e pesë shkollave me PPP.

Për këtë bashkia, hapi dje tenderin me vlerë rreth 14 milionë euro, ose rreth 3.5 milionë euro për çdo shkollë. Shkollat parashikohen të ndërtohen në Dajt, Njësinë Administrative 2 dhe 8. Tenderi do të mbyllet më 20 maj 2019.

Kontrata e parë PPP për ndërtimin e pesë shkollave

Kjo është kontrata e dytë që Bashkia Tiranë do të japë për ndërtimin e shkollave me PPP. Më 19 shkurt 2018, Bashkia Tiranë shpalli konsorciumin e kompanive “AGI KONS”, “MET ENGENEERING” dhe “ZENIT&CO”, fituese të kontratës së parë PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pesë shkollave, tre në njësinë Administrative 11 dhe dy në njësinë 9.

Vlera e koncesionit ishte rreth 15,6 milionë euro. Sipas kontratës, kompania duhet të ndërtojë dhe mobilojë shkollat me fondet e veta, brenda 18 muajsh nga data e lidhjes së kontratës. Më pas, brenda 7 vitesh nga data e dorëzimit të ndërtesave të përfunduara, bashkia do t’i paguajë kompanisë me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28 për qind.

PPP si skemë financimi për shkollat

Prej dy vitesh Kryebashkiaku Erion Veliaj ka propaganduar idenë e ndërtimit të 17 shkollave me kontrata PPP.

Siç ndodh rëndom me projektet e tij, përveç një pohimi të përgjithshëm, sqarime se përse bashkia ka zgjedhur këtë mënyrë finacimi nuk janë dhënë. Në një studim fizibiliteti, ku bëhet analiza ekonomike e skemës, Bashkia e Tiranës shpejgon se “shkak të mungesës së fondeve “duhet të zbatojë metoda inovative të prokurimit dhe financimit të projektit të propozuar” për të ndërtuar 17 shkolla të reja, të domosdoshme për kryeqytetin, të cilat llogaritet të kushtojnë rreth 52 milion euro (6,2 miliard lekë).

Sipas kësaj skeme, kompanitë e interesuara do ndërtojnë me fondet e tyre shkollat dhe do kujdesen për mirëmbatjen e tyre për shtatë vjet. Gjatë kësaj kohe, Bashkia do paguaj me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28 për qind.

Duhet thënë që në fillim se argumenti i mungesës së fondeve është i pabazë. Bashkia pretendon se nuk ka fonde. Në të vërtetë, falë rritjes së taksave, vetëm në 9-muajt e parë të 2017-ës, kur vendosi të hapë tenderin e parë, Bashkia Tiranë kishte mbledhur thuajse 130 milion euro të ardhura. Ndërsa në vitin 2018, Bashkia Tiranë ka mbledhur rreth 91 milionë euro të ardhura vetëm nga taksat dhe tarifat që kanë paguar qytetarët dhe bizneset, pa përfshirë buxhetin e marrë nga qeveria qëndrore.

Kjo shtesë të ardhurash i lejon fare mirë Bashkisë ndërtimin gradual të shkollave gjatë viteve në vijim nëpërmjet prokurimit publik të zakonshëm, pa pasur nevojë të mendojë për skema “novative”. Kostot e projekteve infrastrukturore janë kudo të lartë në raport me të ardhurat buxhetore të një viti, por kjo nuk justifikon gjetjen e  “metodave novative” të  financimit të projekteve që zmadhojnë kostot, si kjo e propozuar nga Bashkia.

Çfarë e bën skemën më të kushtueshme? 

Pagesa me këste është problematike për ndërtuesit. Nëse ata do të paguheshin menjëherë për punën ndërtimore të kryer, shumën e marrë ata do të mund ta investonin në projekte të tjera fitimprurëse ose mund të depozitonin në bankë dhe të përfitonin interesa.

Duke qenë se Bashkia ka vendosur të paguajë me këste, për t’i bërë të interesuar ndërtuesit, Bashkia propozon përveç pagesës për koston e ndërtimit dhe fitimin normal mbi këtë kosto, t’i japë ndërtuesve edhe një interes vjetor shtesë prej 6,28 për qind mbi koston totale të ndërtimit dhe fitimit. Për të 17 shkollat që planifikon të ndërtojë bashkia, vetëm pagesa si interes shtesë ndaj kompanive vlerësohet në thuajse 14 milion euro.

Që të jemi të qartë, Bashkia po paguan 14 milion euro shtesë, përmbi normën e fitimit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen shkollës që do pagueshin në një prokurim të zakonshëm. Nuk është shaka: sipas “skemës novative” të Bashkisë, qytetarë po paguajnë 14 milion dollarë më shumë sepse… nuk kemi para!

A është e nevojshme e gjitha kjo?

Absolutisht jo! Siç e kemi shpjeguar më parë, ka një arsye të rëndësishme pse shtetet nuk ndërtojnë kurrë në këtë mënyrë. Kjo pasi sektori publik ka mundësi të marrë borxh me norma shumë më të ulëta se 6,28 për qind. Nëse e marrim të mirëqenë se fondet aktuale të Bashkisë nuk janë të mjaftueshme, ndërtimi mund të kryhet në mënyrën tradicionale të huamarrjes, duke përdorur si garant Qeverinë qendrore për të marrë borxh publik.

Forma kryesore me të cilën merr borxh shteti shqiptar është nëpërmjet bonove 12-mujore të thesarit, të cilat në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë në mars 2019, arritën një normë interesi prej 1,12 për qind, thuajse sa një e pesta e shifrës që ka planifikuar bashkia t’i japë kompanive private. Pra nëse bashkia do të zgjidhte të merrte borxh vetë, interesi që do të paguante do të ishte sa një e pesta e asaj që do t’i paguajë kompanive private.

Pra, del qartë se skema që ka zgjedhur Bashkia Tiranë nuk ka asnjë kuptim nga ana financiare. Në vazhdën e planit urbanistik, ajo i gjan një skemë për të rritur pagesat ndaj ndërtuesve në dëm të interesit publik. Akoma më absurde është kjo politikë në kohën kur Bashkia e Tiranës ka rritur ndjeshëm taksat e saj ndaj qytetarëve, përfshi edhe vendosjen e një takse të veçantë pikërisht për ndërtimin e shkollave.

Është hamendësim, por arsyeja më e thjeshtë për të shpjeguar një politikë publike, e cila dëmton interesin publik, duke shpikur “metoda novatore” financiare dhe falsifikuar të dhënat e vlerësimeve financiare, për të siguruar fitime më të larta se tregu për interesa private, është korrupsioni. /exit.al/

Tenderi i Erion Veliajt, 20 milionë lekë për riparimin e stolave

Kryebashkiaku Veliaj — makinë tenderimesh

PD kallëzon në Prokurori Veliaj: Abuzime me tenderat, i dha 2.6 mln euro ‘Fushës’ për 400 pisha

 

12 Comments

  1. artikull interesant e i arsyetuar qarte, kjo lloj skeme per ndertimin e shkollave nuk ka vertete kuptim nga ana financiare. Nje gje sbie dakord me artikullshkruesin e qe me duket pak sofizem, 3,5 milion euro per te ndertuar e kompletuar nje shkolle nuk jan shume, nuk mund te pretendosh te ndertosh shkolle me 50 milione lek te vjetra.

  2. Ne artikull thuhet se vetem interesi do te jete pak a shume 14 miljon euro ( per totalin 52 miljon €) .

    Jo e vertete : Nese pricipali ( 52 miljon euro) zvogelohet me 1/7 ( sepse kestet do paguhen ne 7 vite) atehere interesi nuk do jete cdo vit mbi pricipalin por mbi pjesen e mbetur .
    Duke supozuar qe pricipali do te likujdohet ne 7 vite i bie qe shuma totale e interesit qe paguan bahskia te jete € 9.796.800 ( dhe jo 14 miljon euro ) .

  3. “””” sektori publik ka mundësi të marrë borxh me norma shumë më të ulëta se 6,28 për qind. Nëse e marrim të mirëqenë se fondet aktuale të Bashkisë nuk janë të mjaftueshme, ndërtimi mund të kryhet në mënyrën tradicionale të huamarrjes, duke përdorur si garant Qeverinë qendrore për të marrë borxh
    publik.””””

    Bashkise se Tiranes nuk i lejohet te marre borxh ne asnje banke dhe as nga shteti ( kerko neper gazeta ose ne goole pserse nuk ka te drejte, dhe kush eshte fajtori per kete ) . Kjo eshte dhe arsyeja qe Bashkia e tiranes i drejtohet PPPve.

  4. Artikulli ka nje fill llogjik te admirushem , por faktet qe perdor jane ose jo te verteta ose te ndryshuara.
    Pra kemi nje analize te mire financiare por te mbeshtetur ne fakte dhe argumenta te pa baza ose jo mire te sqaruara. Po te ishte bazuar ne ‘themele ‘ te verteta e gjithe kjo analize e bukur do te ishte komplet ndryshe. Kjo tregon qe ai qe e ka shkruar nuk eshte injorant ne finance, por eshte kodosh ne analize.

  5. Tre komentet e fundit, që qartësisht janë bërë nga i njëjti person, përpiqen të “turbullojnë” analizën e kryer në artikull:

    1) Nuk ekziston gjëkundi “zvogëlimi” i kapitalit, siç është përpjekur të tregojë një komentues më sipër. Interesi aplikohet mbi të gjithë shumën e kredisë, për të gjithë kohëzgjatjen. Nëpërmjet një skeme të thjeshtë amortizimi, zbulon që vlera totale e interesit (për kredi 52 milionë Euro, kohëzgjatje 7 vite), është rreth 12.4 milionë Euro.

    2) Ligji Nr. 139/2015, “PËR VETËQEVERISJEN VENDORE”, Neni 34, pika 3 thotë qartësisht që “Njësitë e vetëqeverisjes vendore financohen nga të ardhurat që sigurohen nga taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera vendore, nga fondet e transferuara nga qeverisja qendrore dhe fondet që u vijnë drejtpërdrejt atyre nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacione, si dhe burime të tjera, të parashikuara në ligj.”

    Huamarrja vendore ka vetëm një kleçkë: “Aksesi në tregun e borxhit të jashtëm rregullohet në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe entitete të tjera, të përcaktuara me ligj.” Gjithësesi, është tërësisht e realizueshme.

    Për ta përmbledhur, mjaft mbrojtët atë që është ashiqare një skemë për të mjelur shqiptarët e shkretë nëpërmjet taksave….

    1. Me vjen keq por qenke ose shume i pa informuar, ose shume partiak .. Lexoje dhe nje here artikullin i cili e thote shprehimisht :

      ”” Më pas, brenda 7 vitesh nga data e dorëzimit të ndërtesave të përfunduara, bashkia do t’i paguajë kompanisë me këste investimin e kryer plus një interes vjetor prej 6,28 për qind.'””
      Pra principali prej 52 miljon eurosh do te shlyhet brenda 7 vitesh. Ku ne secilin vit do paguhet 1/7 e principalit.

      Por edhe ne llogarine tende te gabuar prap nuk dalin 14 miljon eurot e interesit , por te kane dale 12,4 miljon.

      Dhe per ate ligjin qe ti ke vene aty ne komentin tend per mundesine emarrejes se huave financiare nga bashkia e tiranes.. eshte vetem ligji teorik.. se ne praktike bashkia nuk merr dot asnje hua financiare nga bankat se ‘ligjerisht’ eshte e zhytur ne borxhe deri ne gryke . Pyet Lulzim Bashen perse bashka e Tiranes sot nuk merr do hua nga bankat..
      Meqe ti je i (e) bindur se ‘HUAMARRJA ESHTE E REALIZUESHME”” atehere gjej ti nje banke qe ta jep ty huane me 4% dhe ti jepja bashkise me 6,28% .

      Une nuk mbroj asnje njeri , por them te verteten per kete palo analize qe eshte bere me siper.

      Lexoje dhe nje here mire artikullin..

  6. Nuk funksionon shlyerja e një kredie me përpjestim vjetor. Në fillim shlyhet interesi, pastaj principali. Ndaj llogaria bëhet mbi shumën e plotë.

    Mungesa e rakordimit të vlerës së interesit është sepse nuk janë dhënë vlerat ekzakte, por me rrumbullakosje. Gjithesesi, unë jam 1,6 mln Eur larg, ti 4,3 mln. Dhe asnjë nga të dy nuk ka përllogaritur vlerën në kohë të parasë (PVIF), as indeksimin e inflacionit.

    Kredimarrjen, njësitë vendore nuk e bëjnë në bankat e nivelit të dytë, por ose nëpërmjet granteve nga qeveri të jashtme (me normë interesi 2-3% max), ose, siç është përmendur në artikull, nëpërmjet hyrjes në ankandet e BoA në Bono Thesari.

    Me të mira 🖖🏻

    1. ahahah.. ”” Në fillim shlyhet interesi, pastaj principali. Ndaj llogaria bëhet mbi shumën e plotë.””

      tani eshte e qarte qe NUK JA PASKE IDENE e kredive bankare..
      Per ty ka me shume rendesi te komentosh kunder Veliajt,, kurse per mua ka me shume rendesi TE MOS NA MARRIN PER DELE me analiza te tilla . As nuk me plas fare per Veliajn.
      Por kemi arritur ne nje pike kur cdo lajm kunder Rames dhe Veliajs eshte i vlefshem panvarsisht se ne vetvete eshte SHIT. Na ofendon ne qe e lexojme.

      Hajt tung .. se nuk do zbraz timen te te mbush tenden..

  7. Merr një plan ripagesë kredie që të kuptohemi. Niveli i principalit që shlyhet çdo muaj (për shembull 10 lekë), qëndron i pandryshueshëm përgjatë të gjithë periudhës së shlyerjes, ndërsa vlera e interesit që shlyhet çdo muaj, fillon nga (për shembull 9 lekë), për t’u amortizuar plotësisht në fund të periudhës së shlyerjes (për shembull 1 lekë, ose 0,5 lekë). Dhe kjo është kredia standarde që marrim unë e ti. Një organ i qeverisjes vendore, përveç se merr oferta preferenciale, mund të përdorë edhe kredi me struktura të ndryshme (mund të lexosh si funksionojnë bullet loan, grace periods, moratoriumet etj).

    Unë në asnjë moment nuk po përmend as emra, as parti. Kjo skemë e përdorur nga Bashkia në këtë rast, jo vetëm që nuk ka asnjë logjikë e sens financiar, por të krijon një dyshim shumë të fortë që është skemë e mirë-menduar që të vidhen edhe më shumë pará nga xhepi im e yt.

    Qofsh mirë maestro dhe herë tjetër fokusohu tek argumentat e debatit, se nuk ta kisha për borxh të të bëja leksion falas mbi amortizimin e kredisë apo aksesin e organeve vendore në huamarrje.

    🖖🏻

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu