• |
ide | kryesore

Humbja e qyteteve të mëdha/ Fillimi i fundit të Erdoganit?

Kryesore



Hap pas hapi gjatë viteve të pushtetmbajtjes, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, synoi të siguronte gjithkënd se askush nuk ishte në gjendje ta sfidonte. Erdogan i margjinalizoi të gjithë kundërshtarët. Ai spastroi ushtrinë, policinë dhe gjykatat. Ai cënoi dhe asgjësoi lirinë e shtypit. Ai e instrumentalizoi Kushtetutën në zgjatim të fuqive të tij. Mbi të gjitha, ai u premtoi turqve një të ardhme ekonomike të shndritshme.

Pra, ishte vërtet një thagmë kur rezultatet e votimit komunal këtë fundjavë që po lëmë pas, tregonin se AKP-ja humbi jo vetëm kontrollin e Ankarasë, që përfaqëson qendrën e jetës politike turke, por edhe Stambollin, qendrën e jetës ekonomike të vendit, shtëpinë dhe pikën e mbështjetjes së derimëtanishme të Erdoganit. Ky bilanc përbën një metaforë të një tërmeti politik, që duhet të shkundë Z.Erdogan pas pothuaj dy dekadave uzurpimi të pamohueshëm të të gjitha pushteteve të Turqisë.

Duke iu druajtur pa shkak manipulimit të procesit të votimit dhe të numërimit, Erdogan vendosi si vëzhgues anëtarë të AKP-së jo vetëm për të mbikqyrur me përpikmëri ecurinë e zgjedhjeve, por edhe për të ruajtur kutitë e kyçura të fletëve të votimit. “Ne mendojmë se nuk ishin në gjendje të kontrollonin zgjedhjet”, u shpreh Ilayda Kocoglu, nënkryetarja e degës së Partisë Popullore Republikane (CHP), që veproi vetë si rojtare nate e kutive ku sovrani turk kishte “depozituar” vullnetin e tij.

Rezultatet nuk nënkuptojnë që Z.Erdogan, mandati i të cilit zgjat së paku edhe katër vjet të tjera, do të ndryshojë sjelljen dhe stilin autoritar të qeverisjes, që konsiston ndër të tjera në promovimin e vlerave fetare islame përkundër laicizmit, në afiliacione më të ngushta me Rusinë dhe marrëdhënie më armiqësore me NATO-n. Por, zgjedhjet treguan veçanërisht se Erdogani ka dobësi. “Është një katastrofë për të… Tani e dimë se ai nuk është i pamposhtur”, tha Asli Aydintasbas, një bashkëpunëtor i hershëm i tij në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ekonomia e dobësuar e Turqisë, e cila ka përftuar ekspansion të vrullshëm gjatë vjetëve të sundimit të Erdoganit, qendronte në krye të shqetësimeve të votuesve, pavarësisht nga pretendimet dhe shfajësimet e Z. Erdogan se problemet nuk janë rrjedhojë e politikave të tij. Në mars Turqia ra në recesion, papunësia kaloi pragun e 30 % në radhët e të rinjve. Lira turke humbi 28 % të vlerës së saj në vitin 2018 dhe vazhdon të dobësohet, teksa inflacioni ka arritur në 20 %.

Kocoglu tha se ajo dhe kolegët e saj e kuptuan në harkun e një ore nga mbyllja e sondazheve mbrëmjen e së dielës se bëhej fjalë për një momentum të shumëpritur të Turqisë, që kur Z.Erdogan mban pushtetin. Kandidati i AKP-së për Kryetar i Bashkisë së Stambollit, Binali Yıldırım, rezulaton humbës edhe në zonat më të largëta të hapësirës metropolitane të këtij qyteti. Që nga mbrëmja e së hënës, ndërkohë që rezultatet përfundimtare ende të papublikuara nga Komisioni Zgjedhor tregonin pararendjen drejt fitores (me 99 % të votave të numëruara) të kandidatit të opozitës, Ekrem Imamoglu, partia e Erdoganit refuzonte dëshpërimisht të pranonte humbjen e kontrollit mbi Stambollin.

Lexo më tej:

Zgjedhjet lokale në Turqi/ Erdogan humbet kontrollin mbi bastionet historike të AKP-së, Ankaranë dhe Stambollin

Kryebashkiakët fitimtarë të opozitës në dy qytetet më të rëndësishme të Turqisë, i japin CHP-së një mundësi të çmuar për të treguar se si mund të qeveriset në mënyrë efektive, duke nisur me kontrollin e shërbimeve komunale, qoftë edhe me problemin e grumbullimit të plehrave. Me të nisur punën, Imamoglu ka premtuar se si kryebashkiak i Stambollit, do të urdhërojë kryerjen e auditimit të buxhetit, hap që në një perspektivë shumë realiste mund t’i shkaktonte AKP-së telashe të reja, nëse do të zbuloheshin prova të korruptimit gjatë qeverisjes së saj vendore.
Partia Popullore Republikane, e kritikuar gjatë për një mungesë organizimi, ishte për herë të parë e mirëpërgatitur për zgjedhjet. Imamoglu mobilizoi me mijëra vullnetarë për të vëzhguar çdo kuti votimi në zonën më të madhe metropolitane të Stambollit dhe për të regjistruar në kohë reale numërimin në një aplikacion të dizajnuar posaçërisht për të llogaritur paralelisht dhe në mënyrë të pavarur rezultatin. “Ne ishim në gjendje të krahasonim numrat tanë me të tyret,” tha Kocoglu.

Një moment vendimtar erdhi në orën 9 të mbrëmjes të së dielës kur Erdogan mbajti ligjëratën e tij të parë pas mbylljes zyrtare të votimit, duke pretenduar për një fitore të përgjithshme të AKP-së. Befasisht, Komisioni Zgjedhor ndërpreu përditësimin e rezultateve të votimeve në Stamboll, ashtu siç bëri edhe Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve “Anadolu”, e cila njihet gjerësisht si një media proqeveritare. “Ata e ndalën numërimin për të menduar se çfarë mund të bënin”, u shpreh drejtori i institutit kërkimor “Fondi Gjerman Marshall” të Ankarasë, Ozgur Unluhisarcikli, duke u dhënë udhë diskutimeve për manipulim të zgjedhjeve apo të fletëvotimeve.

Mbështetësit e opozitës thonë se një ndodhi e këtillë është hasur në një palë zgjedhjesh të mëparshme lokale në Ankara, gjatë numërimit të votave të referendumit kushtetues të vitit 2017 që konsolidoi pushtetin ekzekutiv të Erdoganit, si edhe në zgjedhjet presidenciale të qershorit të fundit. Por, kësaj radhe CHP-ja ishte “armatosur gjer në dhëmbë”. Kur kandidati i AKP-së, Yildirim, njëherësh një ish-kryeministër, u vetëshpall fitues i bashkisë së madhe të Stambollit, kundërshtari i tij Imamoglu bëri menjëherë një dalje publike, të pasuar nga dhjetë të tilla përgjatë natës, për të njoftuar se të dhënat e procesit të numërimit dëshmonin qartazi se “kandari” anonte në avantazh të tij.

Erdogan konsiderohet përgjegjës për instalimin e një presidence perandorake në Turqi. Ai ndërmori një “raprezaljeje” të themeltë të administratës publike pas përpjekjes për grusht shteti në vitin 2016, për të cilin fajësoi rivalin e tij klasik, Fethullah Gulenin, klerikun që jeton në Shtetet e Bashkuara. Nën autokracinë e udhëhequr nga Erdogan, Turqia u shndërrua në burgun më kanosës të gazetarëve të pavarur dhe kritikë.

Megjithatë, dominimi jetëgjatë i Erdoganit mbi Turqinë i atribuohet gjithashtu talentit tij të padyshimtë në politikë, si edhe dështimit të partisë kryesore opozitare, CHP-së, për t’u përfaqësuar nga kandidatë të një kalibri të krahasueshëm. Këtë herë, vendosmëria e opozitës u shoqërua me një mbështetje mbarëpopullore, që shprehej duke variuar nga manifestimi i euforisë së elektoratit të saj pas daljes së rezultateve paraprake, e deri tek solidarizimi i gjerë i përkrahësve të tjerë përmes Twitter-it apo rrjeteve të tjera sociale. “Opozita qëndroi e fortë dhe kishte shenja të një ndërsimi publik”, u përshkrua tabloja paszgjedhore nga Unluhisarcikli.

Në të ngrysur të së dielës, Erdogan u shfaq dhe pranoi humbjen dërrmuese të kryeqytetit. Gjatë asaj nate të gjatë që dukej sikur nuk do të takonte kurrë agun e të hënës, militantë postonin frenetikisht të dhënat e përllogaritura për hesap të AKP-së, që projektonin si krybashkiak të Stambollit kandidatin e tyre. Kur opozita kaloi në avantazh të pandërprerë, Erdogan ngadalësoi gati gjer në pezullim publikimin e rezultatit përfundimtar të votimit për bashkinë e Stambollit, me qëllim që të mbronte trashëgiminë e tij elektorale. “Erdogan nuk është një person i çmendur, ai është inteligjent”, pranoi Kocoglu. Aydintasbas vërejti se Erdogan, i cili gjithmonë ka flakur me përdhunë legjitimitetin prej kutive të votimit, me gjasë kuptoi se në kësi kushtesh manipulimi i rezultatit ishte i pamundur. “Ata nuk gjetën një mënyrë për ta bërë këtë pa humbur legjitimitetin”, interpretoi Aydintasbas.

Të tjerë thanë se Erdogan iu tremb rreziqeve potenciale ekonomike në rrethanat e një konflikti paszgjedhor apo të një mosmarrëveshjeje të tjerrur. Valuta kombëtare turke, lira, mund të binte ndjeshëm, ashtu siç ndodhi verën e kaluar, kur pati pasoja drastike veçanërisht për bizneset. Duke pranuar më në fund rezultatin e zgjedhjeve, Erdogan ruajti reputacionin e sistemit elektoral turk, i cili i ka dhënë atij legjitimitet gjatë qeverisjes për 17 vjet. “Me këtë zgjedhje Erdogan ka davaritur retë e dyshimit për të gjitha zgjedhjet e kaluara”, arsyetoi Unluhisarcikli.

Stambolli e përzuri Erdoganin, i cili shpeshherë me dashuri dhe emocion për këtë qytet që ka shërbyer si epiqendra e pushtetit të tij. Aleanca e opozitës pati një sukses të papritur, për arsye se i bindte votuesit të zgjidhnin në mënyrë racionale, pavarësisht bindjeve të tyre politike. “Votat nga minoriteti kurd dhe nga konservatorët e pakënaqur që vendosën të braktisnin Erdoganin ishin kritike”, ka qëmtuar Aydintasbas, e cila ka ndjekur nga afër karrierën e zotit Erdogan.

Kocoglu i cilësoi gjedhjet si një fitore tejet e rëndësishme për opozitën, meqënëse nuk janë planifikuar zgjedhje të tjera për katër vjetët e ardhshëm. “Unë ende nuk mund ta besoj. Kur AKP-ja erdhi në pushtet isha në shkollën e mesme. Unë kurrë nuk kam parë një fitore”, tha ajo mes lotësh gëzimi.

Nga The New York Times 

©Lapsi.al



2 Comments

  1. Turku e ka shume qef sumen greke . Perplasjet e ndersjella mes turkut e grekut ndodhin kur turku ja kerko ene greku nuk ja jep .Qikjo osht pulitika .

  2. Ka edhe te drejte shteti turk per pa drejtesi ne votime, sepse nese shihni ne lajmet atje, del se ne disa zona votimi jane hedhur vota shume here me shume nga c;ishin shperndare nga komisioni zgjedhor, andaj, nese kerkohet drejtesi ti japim cezarit ate qe i tako, pavaresisht, se eshte, apo kush eshte Erdogani. Sepse ne komentin redaksional ka edhe lufte e shprehje politike anti Erdogan, pa dale perfundimisht rezultatet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *