“Ronaldo është më mirë. Pesë ditë nga ndeshja në Amsterdam ka sinjale të mira, do të shohim se si do të eci, por ai është duke bërë gjithçka për të qenë”. Me këto fjalë optimiste tekniku i Juves, Massimiliano Allegri, ka nisur konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Milanit. “Kur ta fitojmë titullin kampion, atëherë do të festojmë. Të fitosh tetë tituj kampion radhazi nuk është kurrë e thjeshtë. Ka më shumë merita nga Juve, se sa mungesë meritash nga të tjerët. Juve është duke udhëtuar përtej mesatares së titujve kampion, Napolit i duhen dhënë komplimentet për sezonin që është duke bërë, por ne jemi duke bërë diçka të jashtëzakonshme”.
Racizmi është cështja më e nxehtë në Itali dhe sidomos debate që përfshiu edhe Bonucci e ka bërë teknikun të ndërhyjë: “Duhet luftuar gjithmonë, Bonucci është shprehur gabim, por pastaj menjëherë është qartësuar me një postim në Instagram. Nevojitet të ngulen mirë në mendje dy gjëra. Në fushë duhet të kesh një sjellje korrekte dhe respektuese në përballjen me kundërshtarin. Racizmi nuk është kurrë i justifikueshëm dhe duhet luftuar” komentoi Allegri.
Ndeshja me Milan, e kombinuar me një humbje të Napolit do të ishte titull matematikisht, edhe pse në llogaritë që bën tekniku bardhezi kjo nuk do të ndodhë këtë fundjavë: “Milani është rritur shumë. Juve – Milan është gjithmonë një ndeshje e ekuilibruar. Do të jetë një ndeshje e vështirë, stimuluese dhe që na duhet për t’u përgatitur për Champions. Nevojitet të mendohet për ta mundur nesër Milanin, sepse është një ndeshje me stimul të madhe e pavarur nga përfundimi i kampionatit. Na mungojnë dhe 6 pikë. Nuk mendoj që nesër do të vendoset titulli kampion, pra nevojitet të luhet. Që nga nesër e deri në ndeshjen me Fiorentinën nevojitet të jemi gati, do të jetë 15 ditë intensive”.