Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) nën drejtimin e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, i ka drejtuar ditën e djeshme Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve një ankesë shkrimore për rezultatet e votimit në 39 zona zgjedhore të Stambollit. Në një dalje publike për mediat, Erdogan është shprehur se rezultatet votimit në këto këshilla provincialë nuk përkojnë me përllogaritjet e kryera nga mbikqyrësit e AKP-së.
Në ditët e fundit, pas shpalljes zyrtare të përfundimit të procesit të numërimit votave për lokalet e marsit të 2019-s, AKP-ja ka adresuar disa kërkesa radhazi organit përgjegjës për mbarëvajtjen dhe monitorimin e zgjedhjeve, për nisjen e rinumërimit në Stamboll dhe në Ankara. Këto zgjedhje janë ndjekur me vëmendje edhe nga faktorët ndërkombëtare, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), të cilët presidenti Erdogan i bën përgjegjës për cënim të sovranitetit të Turqisë përmes ndërhyrjes në procesin zgjedhor. “Vendimin përfundimtar e sjell Komisioni Zgjedhor, dhe pas këtij vendimi, gjithçka do të përfundojë”, nënvizoi Erdogan.
Koalicioni i “Aleancës Popullore” i përbërë nga AKP-ja dhe Lëvizja Nacionaliste (MHP), arriti një fitore më diferencë të ngushtë prej 53.3 % të votave. Pavarësisht kësaj, Erdogan vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të votuesve me rreth 82 %, duke e cilësuar si një leksion demokracie për mbarë botën.