• |
ide | kryesore

A ka sjellë Matthew Palmer një platformë nga SHBA për zgjidhjen e krizës politike?

Lajme, Të fundit



Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer nisi vizitën zyrtare në Tiranë me një takim me kryeministrin Edi Rama. Nga takimi që nisi rreth orës 15.30 të së hënës dhe që zgjati rreth gati 2 orë (110 minuta) janë të pakta detajet që dihen nga biseda e zhvilluar në sallën e hartave në selinë e qeverisë. Të vetmet SMS që kanë dalë nga qeveria për takimin e kanë vënë theksin te mungesa e një drafti për të dalë nga kriza politike ku ka hyrë vendi.

Sipas asaj që raportoi Top Channel thuhet se në takim “vetëm pak kohë i është kushtuar situatës politike në vendin tonë”. Sipas të njëjtave burime zyrtari i lartë amerikan është ndalur gjatë në rëndësinë që ka për të ardhmen e Shqipërisë çelja e negociatave me Bashkimin Europian, si dhe rolin strategjik që Shqipëria luan në NATO. Pjesë e bisedës Rama-Palmer ka qenë edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse tema e aktualitetit politik në Shqipëri nuk ka marrë pjesën kryesore të vëmendjes, sipas Top Channel zyrtari amerikan ka shprehur interes për ecurinë e Reformës Zgjedhore, ndërkohë që ka përsëritur mesazhin e dhënë edhe më parë nga Uashingtoni dhe Brukseli, se nuk ka asnjë arsye për të vënë në diskutim legjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë.

Ndërsa Tv Klan raportoi se Palmer nuk ka ardhur në Tiranë me një platformë të shkruar për zgjidhjen e krizës, por thjesht për t’ju komunikuar atyre qëndrimin e SHBA-ve për situatën politike.

Vetë Rama bëri një koment në Twitter ku situatën politike në vend e rendiste si çështje të fundit. “Marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, integrimi europian i Shqipërisë, dialogu Kosovë-Serbi dhe situata politike në vend, në një bashkëbisedim të frytshëm që na gjeti në dakordësi të plotë me zv/ndihmës sekretarin e shtetit, Matthew Palmer” – shkroi Rama.

Palmer pritej të vinte në Tiranë me një “formulë” për krizën politike. Nga sinjalet që dalin nga mazhoranca nuk duket se një gjë e tillë ka ndodhur, vetëm nëse këto SMS nuk fshehin qëllimin e vërtetë të vizitës. Më e qartë panorama pritet të bëhet të martën kur Palmer do të takojë krerët e dy partive opozitare, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin në takime të ndara.

Një takim ai do të ketë edhe me presidentin e Republikës Ilir Meta që do te përmbyllë dhe vizitën në Tiranë. Gjatë paradites të së martës është parashikuar dhe një takim me gazetarë të përzgjedhur nga vetë Ambasada Amerikane, takim i cili do të jetë i mbyllur dhe pa praninë e kamerave. Vetëm pas përmbylljes së kësaj axhende do të jetë e qartë se çfarë mendon Departamenti Amerikan i Shtetit për atë që po ndodh në Shqipëri. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *