• |
ide | kryesore

Rama i përgjigjet drejtorit të VOA: Për të ardhur keq gjuha që keni përdorur…

Lajme, Të fundit



Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur fjalimit të mbushur me kritika të drejtorit për Euroazinë në “Zërin e Amerikës”, Elez Biberaj mbajtur pak ditë më parë në një ceremoni me rastin e 110-vjetorit të gazetës “Dielli” në SHBA. Biberaj e quajti Ramën një “kryeministër që qeveris i pasfiduar” dhe që “sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë”.

Biberaj shkruante se Rama “është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën”.

LEXO EDHE:

Godet fort Elez Biberaj: Sundimi i Ramës i korruptuar, autoritar dhe arrogant

Ku po shkon Shqipëria?

Por këtë të hënë Rama ka reaguar duke hedhur poshtë këto akuza. Ai thotë se etiketimi “i korruptuar” është një akuzë e pabazuar në fakte. Kryeministri shqiptar thotë se është përpjekur të godasë korrupsionin në gjykata” dhe se shkrimet e VOA kanë pasur mangësi profesionale.

I plotë reagimi i Edi Ramës.

NJË PËRGJIGJE PËR ELEZ BIBERAJN

I dashur Elez,

e kam lexuar jo pa keqardhje, fjalën Tuaj në ceremoninë e përvjetorit të 110-të të gazetës “Dielli”. Konsiderata personale për Ju, e lidhur me historinë e një marrëdhënieje të posaçme në distancë, krijuar tash e thuajse 30 vjet më parë, në momentet e lavdishme të Zërit shqiptar të Amerikës, ma imponon që t’Ju drejtohem publikisht.

E gjej për të ardhur keq gjuhën e përdorur prej Jush lidhur me qeverisjen time. Aspak jo pse Ju jeni kritik për të. Por sepse, në shtjellën Tuaj ka më shumë etiketime fyese e të pavërteta të vrazhda, se sa argumenta e fakte burimore.

Duke i’u referuar shembullit “të disa udhëheqësve të tjerë europiano-lindore”, Ju thoni ndër të tjera se, “Rama është bërë dukshëm më i korruptuar”! Nuk po merrem këtu me etiketimet e tjera. Fundja ato janë opinione dhe është e drejta Juaj të mendoni, se unë qenkam bërë “më autoritar, më arrogant dhe më jo transparent”.

Por desha t’Ju pyes zoti Elez, a e dini Ju se “i korruptuar” është akuzë ligjërisht e rëndë e jo opinion dhe a keni Ju ndonjë provë për ta mbështetur këtë akuzë?!

Natyrisht kjo është një pyetje retorike. Sepse deri më sot, askush nuk ka sjellë dot asnjë provë, për ta mbështetur etiketimin e rëndë “i korruptuar”, lëshuar rëndom në adresën time nga palë e individë të angazhuar publikisht, në fushata a në maskarada të shumta kundër meje. Por personi im ka lidhje me këtë etiketë, aq sa ç’ka lidhje kjo lloj gjuhe me gazetarinë e vërtetë!

Më tej, sipas Jush, unë paskam “ngushtuar hapësirën publike, minuar institucionet e pavarura, mbushur gjyqësorin me besnikë nën maskën e reformave”! Ama për çudinë më të madhe, tërë këto thagma i paska zbuluar vetëm opozita, disa media online pranë saj dhe disa të vetëdeklaruar analistë – të cilëve Ju i bashkoheni, duke përsëritur akuzat e tyre një për një dhe me të njëjtën vrazhdësi.

Unë në fakt zoti Elez, e pranoj dhe e pranoj me krenari, se kam minuar një sistem të tërë të kalbur e të korruptuar drejtësie! E kam bërë hapur dhe vendosmërisht, duke marrë përsipër çdo risk e kosto të mundshme politike dhe jo nën maskën e një reforme, po përmes pikërisht Reformës në Drejtësi. E cila është mbështetur dhe vazhdon të mbështetet pa asnjë ekuivok, qysh prej ditës së parë, nga çdo partner ndërkombëtar i Shqipërisë. Madje konsiderohet prej tyre një model për t’u shtrirë në të gjithë rajonin tonë.

A e dini Ju se partnerët tanë amerikanë dhe europianë e mbikqyrin këtë reformë në çdo hap edhe përmes një Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit?!

Padyshim edhe kjo është një pyetje retorike. Sepse s’ka se si Ju të mos e dini se deri më sot, ata nuk kanë konstatuar asnjë minim apo cenim institucionesh të pavarura dhe asnjë ndërhyrje nga ekzekutivi për të futur besnikë në gjyqësor. Përkundrazi, ata e konsiderojnë procesin e pastrimit të gjyqësorit jo vetëm të suksesshëm deri këtu, po një garanci për pavarësinë e për besueshmërinë e institucioneve që po ndërtojmë nga themelet, pas dekadash kalbëzimi e rrënimi të tyre.

Është befasuese që Ju të flisni për gjyqësor të mbushur me besnikë, sepse e vërteta është që kaq larg s’ka shkuar askush, as brenda vetë oborrit opozitar, përveç Dr.Berishës! Dhe jo se është ndonjë mëkat i paamnistueshëm, që dikush të përsërisë fjalët e zotit Sali për të shprehur një opinion të ngjashëm, po unë besoj se është e pajustifikueshme për një gazetar apo një drejtues tribune mediatike, që një akuzë kaq shembullore në pavërtetësinë e saj, t’ia përcjellë audiencës si fakt mbi qeverisjen e këtij vendi.

Ju thoni se unë paskam “refuzuar të dënoj rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve” për blerje votash! Madje u paskam “ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar dhe trafikëve të drogave”.

Pyetja retorike në këtë rast mund të keqkuptohej, prandaj edhe s’po e bëj! Por dua t’Ju kujtoj, se siç Ju nuk jeni as prokuror e as gjykatës, edhe pse në këtë rast keni marrë përsipër ta luani këtë rol, as unë nuk jam prokuror apo gjykatës dhe s’kam ndërmend ta marr përsipër një rol të tillë. Kështu që s’kam as se si dënoj njerëz për çfarëdoqoftë, as se si refuzoj të dënoj kënd. Këtë detyrë e ka drejtësia dhe duhet ta bëjë vetëm ajo. Prandaj edhe Ju s’mund të tregoni dot një rast të vetëm, kur unë apo qeveria ime të kemi ofruar qoftë edhe mbrojtje verbale nga drejtësia për këdoqoftë, se pandëshkueshmëri siç bënte rregullisht paraardhësi im dhe qeveria e tij, jo e jo.

Nga ana tjetër, e keni përmendur edhe Zërin e Amerikës, duke thënë se qenka sulmuar në mënyrë befasuese nga unë. Ju siguroj se ato çka Ju quani sulme befasuese, kanë qenë thjesht shprehjet e sinqerta të befasisë sime, për faktin e pazakonshëm se një tribunë e respektuar, me standarde të mira profesionale si VOA, ra nën nivelin e standardeve të veta në dy raste konkrete.

VOA nuk respektoi për fat të keq, asnjë parim profesional në rastin e transmetimit të një përgjimi të nxjerrë nga një dosje hetimore, me një koment të vetin kriminalizues pa asnjë bazë faktike më shumë se sa vetë përgjimi (i cili siç e dini, nuk përbën provë në vetvete, në asnjë gjykatë të botës). Ndërsa në rastin tjetër VOA dizinformoi, duke bërë një mishmash e duke përfshirë persona pa lidhje në “aktakuzën” e vet dhe ende më keq, duke refuzuar publikimin e sqarimit të ministres së drejtësisë, e cila me fakte lehtësisht të verifikueshme mbi punësimet në sistemin tonë penitenciar, e hodhi poshtë “aktakuzën”. Si një gazetar e drejtues me shumë përvojë në botën e medias, Ju duhet ta dini se gjysëm të vërtetat e servirura si zbulime, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha publike.

Ju gaboni krejt kur thoni se sot shqiptarët “duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme”. E vërteta është se në asnjë rast këto vitet e fundit, shqiptarët s’e kanë mësuar një çështje të ndjeshme nga mediat ndërkombëtare apo nga Zëri i Amerikës, përpara se sa ta kenë lexuar e dëgjuar të komentohet gjerësisht në mediat e vendit.

Ju i quani kërcënuese reagimet e mia ndaj “kazanit” (s’kam gjetur dot një fjalë më të përshtatshme në shqip, për të karakterizuar mallin fake neës) edhe pse ato janë “mesazhe dashurie”, krahasuar me sharjet brutale e shantazhet nominale të gazetarëve jo shumë vite më parë – atëherë kur kryeministri i Shqipërisë e quante bash gazetën Neë York Times “një letër higjenike”! Asnjëherë si apo sa sot, nuk është sharë e baltosur në liri të plotë qeveria e personalisht kryeministri, pa i hyrë gjemb në këmbë askujt, as si person e as si organ mediatik i çfarëdo lloji. Kështu që pa asnjë merak për lirinë e shtypit në këtë vend zoti Elez, sepse kërcënuesit e vërtetë të saj nuk janë më në pushtet. Me mua, kadrinjve mund t’u hasë sharra në gozhdë kur replikoj, po kurrë s’u has mishi në shkop a veshi në baltë kur konsumojnë shpifje e sharje në mexhelisin mediatik, sikur të konsumonin raki e djathë në pijetoren e fshatit.

Sa për sfidën e vazhdueshme që unë i paskam bërë “vetë parimit të shtypit të pavarur” duke krijuar median time televizive në internet ERTV, më duhet t’ju them se ishte një pasazh që më bëri për të qeshur.

Me shpresën se gjithë sa më lart do t’i prisni si gjithnjë i buzëqeshur, Ju lutem i nderuari mik të pranoni bashkë me konsideratën time të patrazuar, edhe urimet e mia më të sinqerta për shëndet e punë të mbarë.

Edi



17 Comments

    1. Ka meritën që ti komentues me pagesë po vazhdon të kesh material që të paguhesh edhe për pak kohë.Ka meritën që 1 malok si ai me 1 prononcim e bëri palloshin të shkruajë hartime!

  1. Me fal o shoku Edi por kur flet per reformen në drejtesi a nuk te mjafton qe per gjysmen e te zgjedhurve te tu OMN-ja ka shprehur hapur rezervat e veta duke filluar me arte e me doniken e te tjere me radhë.

  2. Normale, ku di Biberaj qe ka nje jete ne SHBA, se cfare eshte demoktacia? Ku mund ta dije ai se cfare ndodh ne Shqiperi…

  3. Qe je zverdhur Edo je zverdhur,duket qe nga koha qe te ka mare kthimi i pergjigjes.Nuk e ke bere se e ke mik Biberaj,se ti ske miq,ashiqare fare ske.E ke bere se e di qe eshte gjuha e Dash,sikunder di dhe plot te tjera qe ne sna e lene kazanet e tu ti mesojme.Nuk ishe alternative e keqe si fillim,po vajte ne gen rruges,e bere kete vend dhe me te pabanueshem nga sa ishte.E ne mos reflektofsh se vone je me thene te drejten,hiq dore nga retorika boshe sic e ke zakon,zer nje qoshe e shkruaj ndonje liber,se me pikturat nuk ndrite qe nuk ndrite kurre,per basketboll je ca si vone….pastaj pas nja 5 vjetesh behu analist si derrat e kenaqur e jepju mend Erjonit me shoke.Hajt shendet

  4. Çfarëdo t’ i thuash Të Gjatit, i mbetesh borxh, në kuptimin e keq të fjalës. Sepse ai meriton t’ i thuash e ta kritikosh me çfarëdo lloj epiteti, sado pezhorativ qoftë ai. Nuk është fjala për opinione, ka fakte për të shkruar e thënë me dit, muaj e vite për të këqijat që i ka punuar vendit të vet, shqipëtarëve, kudo ku ndodhen, bashkë me Kosovën. Merreni me mend, kur arrin t’ thotë homologut kosovar, ai që nuk pranon korrigjimin e kufijve, është gomar. Vetëm një i marrë, i dehur apo i sëmurë mendor mund të thotë gjëra të tilla. Edhe një i droguar mundet. Ky vend , nën sundimin e tij, do të mbetet pa popull së shpejti.

  5. Ky lokomotiva e komunizmit qe cante rruget ne ndertimin e socializmit bashke me stalinin qe nuk ka haber se cfare do te thote mafioz dhe kete e di shume mire eleZi i salihut si antare i rendesishem i klanit mafioz Trusti i Geshtenjave ku dhe biberaj ka rol te rendesishem mediatik

    1. ? kur policia fabrikon fakte, kur ministri, kryebashkiaku mbron dhe bashkpunon me kriminele dhe prokuroria nuk vepron ky quhet shtet mafioz. Lokomotiva apo teuta si e do ti

  6. O Qelbesire Kryeminister. Te ka djegur qe e shkruar Letren kaq gjate.
    O Koncesionar Kryeminister.
    Ktheji Shqiptareve Rrugen e Kombit, qe e grabite, me Oligarket e tu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *