• |
ide | kryesore

PROFIL/ 18 vite burg, kalvari i paprekshmërisë së Klement Balilit

Arkiva, Kryesore

Klement Balili, e ka pritur me një qetësi olimpike leximin e pretencës së prokurorit Eneid Nakuçi, që kërkoi një burgim të rëndë me 18 vite dënim. I veshur me një xhup të errët dhe me muskujt e fytyrës pothuajse të ngrirë, “Eskobari i Ballkanit” dëgjoi akuzën për trafikun e 700 KG kanabis sativa dhe përgjimeve që e implikonin atë në rolin e drejtuesit të këtij biznesi.


Larg famës të një trafikanti ndërkombëtar droge, prokurori Nakuçi u detyrua të pohojë se ky proces po bëhet vetëm për njërin nga episodet që kanë krijuar famën e bosit të Jugut. Ai kërkoi dënimin me 10 vite burg për trafik lëndësh narkotike, dy herë me nga 5 vite, për pastrim parash dhe pjesmarrje në grup kriminal dhe së fundi 6 muaj për fshehje të pasurisë. Në përmbledhje të tyre, prokuroria e Krimeve të Rënda sanksionoi në pretencë plot 18 vite burg.


Por, sentenca e ashpër e institucionit të akuzës mund të reduktohet ndjeshëm nga gjykata pas mbrojtjes që do të bëjë avokati Theodhori Sollaku në 23 prillin e ardhshëm.

Mbrojtja e Balilit do të luajë shumë me faktin e vetëdorëzimit të tij në duart e policisë dhe me trysninë e madhe politike që ka rënduar për këtë çështje.

Me pozitën e një sfinksi, aty në kabinën e xhamtë, “Eskobari” do të vazhdojë të besojë tek mrekullia që i dha atij famën e njeriut të pandëshkueshëm, që nuk u kap dot nga policia për 14 aksione të organizuara me radhë.

Edhe kur vendosi të dorëzohej, të martën e 15 janarit, në fshatin Stiar të Delvinës, ai nuk doli nga ndonjë skutë, por nga shtëpia e tij. U nda si një hero me familjarët, bashkëfshatarët dhe miqtë e një zone, ku ai ka punësuar mbi 1 mijë vetë. Pamjet e transmetuara në të gjitha TV dëshmonin më shumë për skena të denja për filmin Narkos me Eskobarin real, sesa për një ngjarje që zhvillohej në Shqipëri. Forcat e rendit ishin pothuajse inekzistente.

Drejtori i Policisë, Ardi Veliu, e priste disa kilometra më larg të kërkuarin më të madh në vend, pas një pularie të braktisur.

Sepse kushti i Klement Balilit ishte i prerë: nuk dorëzohem përpara policëve të zakonshëm. Dhe Ardi Veliu u nis drejt Delvinës pa forca speciale dhe më tepër si një person privat, që do mbante një fjalë të dhënë, sesa si përfaqësuesi i autoritetit të shtetit.

Pikërishtë tek ky status i veçantë, vazhdon të besojë bosi i Santa Quaranta që deri tani ka dalë mbi shtetin.

Dy vite më parë, në tetor të 2016-s, Balili i iku policisë ndërsa ka dyshime të forta se operacionet qenë dekonspiruar nga njerëz që bashkëpunonin me trafikantin e kërkuar edhe nga DEA amerikane.

“Nuk ka pasur aftësi apo vullnet për ta arrestuar vetë Balilin…”, deklaronte ish-ambasadori Donald Lu. Ndërkohë që kryeministri Rama u shpreh: “Unë nuk dua të presim të vijë Ambasadorja e re amerikane për të na kujtuar gjatë ndonjë fjalimi përshëndetës që Klement Balili nuk është kapur akoma”.

Këto deklarime janë bërë në kohë të ndryshme dhe të gjitha në lidhje me trafikantin e dënuar në Greqi, Klement Balili. Ambasadori amerikan deklaronte se Balili fshihej në Shqipëri, por asnjë operacion i policisë nuk çoi në arrestimin e tij.

Operacioni i parë për kapjen e Balilit dështoi me dyshimet e dekonspirimit, dy vite me parë në muajin tetor të 2016-ës pak muaj pasi u shpall në kërkim. Uniformat blu kishin marrë informacion se një mbrëmje Balili do të kalonte me një automjet në Qafën e Gjashtës, në hyrje të qytetit të Sarandës. Për kapjen e tij, u nis nga Tirana një grup i forcave të posaçme operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, duke shmangur përfshirjen e policisë lokale.

Megjithatë, pas ndjekjes dhe ndalimit, brenda automjetit të dyshuar, forcat operacionale nuk gjetën Klement Balilin, por vetëm 2 persona të afërm të tij. Tentavitva të tjera për lokalizimin e tij u bënë vazhdimisht, por sërish ish drejtori i transporteve në Sarandë, i hetuar nga DEA amerikane, nuk u gjet asnjëherë. Edhe gjatë bastisjeve të disa banesave ku dyshohej se fshihej, policia nuk gjeti asnjë gjurmë të tij.

Klement Balili u kthye në “armikun numër 1” të shtetit. Emri i tij ka bërë që politika ta shtrojë atë në tryezën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Akuzat e ndërsjellta kanë qenë se Balili nuk është arrestuar për shkak të mburojës politike që ka pasur. Nga njëra anë socialistët thonin nën zë se ishte i lidhur me LSI. Por që nga koha kur partia e Ilir Metës ka ikur nga pushteti, për një vit e gjysëm ai mbeti sërisht i lirë.

Që ai është mbështetur plotësisht nga nivele të larta politike është thënë disa herë si nga mediat shqiptare ashtu edhe ato greke. Fotot që lapsi.al solli në 12 dhjetor të vitit 2016 ishin një dëshmi e pastër se i ashtuquajturi “Eskobar i Ballkanit”, jo vetëm ka lëvizur lirshëm pasi ishte shpallur gjoja në kërkim, por ai ka qenë shpesh në shoqërinë e individëve të veshur me pushtet që do të duhej ta denonconin si një person i dyshuar për aktivitet kriminal.

Balili u shpall në kërkim nga interpoli në 17 maj të vitit 2016. Por në tetor 2016, lapsi.al botoi një lajm sipas të cilit, Balili, shëtiste i lirë në Sarandë, i pashqetësuar nga policia dhe agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, ndonëse ndaj tij ekzistonte një urdhër- arresti nga policia greke. Madje Lapsi.al raportoi atëherë se Balili kishte festuar deri në orët e para të mëngjesit në resortin e tij “Santa Quaranta”, ku ishte i ftuar në një dasmë.

Fotot e mësipërme, që Lapsi publikoi, vërtetojnë më së miri faktin se Klement Balili, ashtu siç raportohej nga agjencitë ndërkombëtare të antidrogës, ka pasur mbështetje politike si gjatë aktivitetit të tij të dyshuar kriminal, ashtu edhe në mosveprimet për ndalimin e tij.
Ndërkohë që emri i tij u përfshi edhe në luftën politike të vendit, në nëntor të 2017-ës policia dhe gjykata vendosën në sekuestro resortin “Santa Quaranta” në pronësi të familjes Balili. 43-vjeçari prej më shumë se 2 vitesh vijoi arratinë ndërkohë që mbeti një nga personat më të kërkuar në vend.

Donald Lu e quajti “magjistari” Klement Balili. Diplomatët e huaj kanë kritikuar punën e policisë për moskapjen e tij aq sa anembanë u krijua ideja e një miti që nuk binte në duart e drejtësisë. Për “kokën” e Eskobarit të Ballkanit u vendos edhe një shpërblim prej 5 milionë lekësh, por të gjitha këto dështuan pa sukses. Deri sa erdhi dita e 16 janarit dhe Klement Balili vetndosi t’i japë fund arratisë së tij.

Kjo bindje se Klement Balili e ka ende në dorë fatin e tij vazhdon të jetë e fortë edhe sot, pas pretencës së prokurorisë së krimeve të rënda. Që në janar të vitit të shkuar, kur ai u vetëdorzua, pati nga ata që vunë bast se ai nuk do të dënohej me më shumë sesa 5 vite, të cilave po t’u hiqej koha e paraburgimit, “sjellja e mirë” në vendin e riedukimit dhe lirimi me kusht në fund të ndëshkimit, do të reduktoheshin në shumë më pak.

Sot, në seancën tek krimet e rënda, qëndrimi prej sfinksi i “Eskobarit të Ballkanit” nuk lejonte të deshifroheshin asnjë nga këto dilema, teksa ai dëgjonte në heshtje kërkesën e prokurorit për 18 vite burg.

©Lapsi.al


7 Comments

  1. Prokuroria e re e dale nga reforma larg politikes vendosi sot 18 vite burg njeriut qe salihu likja lulu e kishin lene te lire me vite ne aktivitet te plote me drogen,salihu likja lulu sot jane ndjere keq per kete vendim nuk do te thone asnje fjale per balilin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.