• |
ide | kryesore

Studentët e UBT paralajmërojnë marshim deri në Bashki: Do të përshkallëzojmë protestat

Lajme, Të fundit



Vijon dita e katërt e protestës së studentëve dhe pedagogëve të UBT-së, të cilët protestojnë kundër ndërtimit të shkollës 9-vjeçare në ambientet e Universitetit të tyre.

Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë filluar të godasin llamarinat metalike të zonës së rrethuar. Policia ka rrethuar vendin me gardh dhe nuk lejon studentët të kalojnë më tej.

Pas përpjekjeve të studentëve për të rrëzuar llamarinat ata janë shprehur se në disa raste janë sulmuar nga Policia.

“Po heqim llamarinat, nuk kemi punë me Policët dhe pse kemi kundërshtimin e tyre. Ne përpiqemi t’i rrëzojmë në shenjë simbolike. Unë jam sulmuar nga Policia, ashtu dhe shokët e mi” ështe shprehur studenti

Studentët paralajmërojnë që do ketë një përshkallëzim të protestës duke vazhduar me marshim drejt Bashkisë.

“Do ketë një përshkallëzim, do të vijojë me marshim deri në Bashki. Nuk jemi kundër ndërtimit të shkollës, por po na prishin zonën ne zhvillojmë praktikat tona mësimore.” është shprehur një studente.

Një nga pedagogët e UBT-së, Lush Susaj ka bëre thirrje për masivizim të protestës nga studentët dhe se Bashkia duhet të tërhiqet.

“Gjithë jemi pro ndërtimit të shkollës, por në pika të tjera jo në këtë pikë. S’kemi pse përballemi me 40 policë. Ata nuk kanë pse vijnë në mënyrë arrogante pa leje. Skemi pse përballemi cdo ditë në mëngjes. Është artificiale dhe e panevojshme kjo situatë nga Bashkia e Tiranës apo nëse ky vendim është marrë më lart.” është shprehur pedagogu.

Aktualisht është kryer vetëm rrethimi i territorit pa vijuar me punimet, ndërkohë që kjo protestë e studentëve dhe pedagogëve ndiqet nga forcat e policisë. Rezistenca po vijon prej disa ditësh pavarësisht kushteve të këqija atmosferike.

Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj është shprehur se ndërtimi i kësaj shkolle është një domosdoshmëri për banorët e zonës së Kamzës, ndërsa pedagogët kanë propozuar si zgjidhje ndërtimin e kësaj shkolle 100 metra më tutje dhe jo në territorin ku ndodhet fidanishtja e Universitetit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *