• |
ide | kryesore

Video/ Partizani mban larg Kukësin dhe barazon llogaritë me Skënderbeun

Sport



Partizani kishte nevojë për një fitore për të dalë nga ajo mini-krizë në të cilën e kishte futur Luftëtari, me tre fitore radhazi përballë tyre e duke i nxjerrë jashtë Kupës së Shqipërisë. Misionin të besuarit e Gegës e arritën përballë Skënderbeut, me suksesin 2-0 në Selman Stërmasi, që mban larg Kukësin dhe barazon llogaritë me korcarët me nga dy fitore për secilën në katër ndeshjet sezonale.

Rikthimet e Malës, Dukës e Rexhepit i kishin dhënë formë formacionit të të kuqve, që i besuan në vijën e parë të sulmit Bardhit. Korcarët me kaq shumë luhatje në javët e fundit nuk kanë mundur të përballojnë lojën në ‘valangë’ të kryeqytetasve, që u premiuan në minutën e 26 me shumë e meritë e pak fat për Belicën, që realizoi me shpatull, duke e bërë të thjeshtë historinë.

Përvec ndonjë pretendimi të vakët dhe një lojë nën intensitetin e duhur skuadra e Shehit bën pak për të kthyer fatet e ndeshjes, por agresiviteti i tyre ndaj arbitrit të ndeshjes rritet pas 11 metërshit të akorduar në favor të Partizanit, e që Asani e shëndërron në golin e dytë, duke mundur Dajsinanin.

Presingu i Kukësit e bëri të vetin dhe Partizani kthehet të vendosë distancën prej 9 pikësh nga vendi i dytë, duke qenë edhe një hap më pranë titullit kampion. 57 pikë për të kuqtë, që duket se administrojnë situatat pa problem dhe keqardhja e vetme është eleminimi nga Kupa, që prish synimin për të fituar të dy trofetë sezonalë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *