• |
ide | kryesore

VIDEO/ Mision i dyfishtë i Dungës: shpëton Luftëtarin e nxjerr Laçin nga Europa

Sport, Video



1-0 ndaj Laçit dhe qetësia në pritje të rezultatit të rivalëve: Luftëtari ka siguruar rezultatin e vetëm që kishte rëndësi me golin e Ismael Dungës, gjithnjë e më protagonist për bluezinjtë në këtë sprint final drejt shpëtimit në kampionat dhe Europës në Kupë. Pas humbjes me Kastriotin, skuadra e Julian Ahmatajt e kishte përqendruar vëmendjen tek ndeshjet në shtëpi, aty ku nuk lejohet asnjë hap fals.

E kanë kuptuar situatën të gjithë në Gjirokastër, por ajo e bërë kundër formacionit të Starovës ishte një ndeshje gati perfekte e bluezinjve: dy traversa të Filit, një prej të cilave lë dyshimin e kalimit përtej vijës së portës e një gol i anulluar Dungës, nuk i hoqën shpresat Luftëtarit, që në fund mori suksesin që kërkonte.

“Nuk do merrem me këtë pjesë – tha Ahmataj -. I thashë mendimin tim arbitrave kur mbaroj ndeshja. Nuk e di a e kaloi topi vijën fatale, por tani ndeshja mbaroi. Cfarë do të themi ne, ndeshja ka mbaruar” u shpreh Ahmataj që i duhet të kënaqet me golin e gjashtë sezonal të sulmuesit të tij Dunga. Një asist pothuaj nga mesi i fushës i Albano Aleksit, i finalizuar me aftësinë e një qendërsulmuesi tipik, që i ka hapur gojën edhe teknikut Ahmataj, në një replikë ndaj shprehjes së teknikut të Tiranës, Ardian Mema, se kundërshtarët shënojnë gola të cuditshëm: “Luftëtari shënon gola shumë të bukur. Këta djem meritojnë një bravo të madhe. Gjithçka e kanë me djersë dhe sakrificë. Duhet më shumë respekt për njerëzit që punojnë dhe derdhin djersë”.

Me këtë rezultat gjirokastritët u ngjitën në kuotën e 37 pikëve, duke ngushtuar diferencën në 4 pikë nga Laçi i vendit të 5-të e për momentin, ajo që ka më shumë rëndësi, 4 nga Tirana dhe 7 nga Kastrioti i zonës së ftohtë të renditjes.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *