• |
ide | kryesore

Sudani i përfshirë nga protestat, 38 të vrarë nga përleshjet me forcat e sigurisë

Planet



Organizatorët e protestave në Sudan kanë deklaruar se do të vijojnë me rrethimin e kryeqytetit të Kartum-it, deri në çmontimin e plotë të shtetit të themeluar nga ish-udhëheqësi i rrëzuar nga pushteti dhe i vendosur nën arrest, Omar al-Bashir-i. Turma e protestuesve ka mbetur nëpër kampe jashtë selisë së ushtrisë, duke kërkuar formimin e menjëhershëm të administratës civile për të shmangur revanshin e të grushtit të shtetit nga eksponentë ushtarak shumë të afërt me presidentin e përmbysur.

Si rezultat i destabilizmit të jetës politike të vendit, në Sudan është shpallur zyrtarisht gjendja e jashtëzakonshme deri në muajin qershor. Ministri sudanez i Mbrojtjes, Awad Ibn Ouf, ka sqaruar se ushtria do të mbikqyrë vendin për një periudhë tranzitore dyvjeçare deri në mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të radhës. “Kushtetuta e Sudanit do të pezullohet dhe pikat kufitare dhe hapësira ajrore do të mbyllen deri në njoftimin e ardhshëm”, deklaroi Ibn Ouf.

75-vjeçari Omar al-Bashir ka qeverisur Sudanin që prej vitit 1989. Arrestimi i tij i jep fund sundimit autokratik 30-vjeçar, ndaj të cilit sudanezët janë mobilizuar në protesta duke filluar nga 19 dhjetori i vitit të shkuar. Gjatë tubimeve kanë humbur jetën së paku 38 protestues në përleshje me forcat e sigurisë.

Presidenti sudanez është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), që e akuzon atë për organizimin e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit në rajonin e Darfurit përgjatë intervalit pesëvjeçar 2003-2008. Këto akuza janë mohuar kategorikisht nga Bashir, i cili gjendet aktualisht në paraburgim.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *