• |
ide | kryesore

A kanë qëndrim të përbashkët Gjermania e Franca për kufijtë Kosovë- Serbi

Arkiva, Lajme, Të fundit



Dy përkrahësit e idesë së korrigjimit të kufijve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksander Vuçiq, do të jenë në Berlin me 29 prill të këtij viti, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit të Francës, Emanuel Macron.

Në këtë takim i pranishëm do të jetë edhe kundërshtari më i madh i kësaj ideje, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për këtë çështje është në të njëjtën vijë me kancelaren gjermane. Në Berlin  Haradinaj do ta ketë rastin që për herë të parë ta shoh në sy, njërin nga ideatorët, presidentin serb, me të cilin kanë shkëmbyer kanë shkëmbyer deklarata të nxehta, pro dhe kundër korrigjimit të kufijve.

Por a janë në një linjë Gjermania dhe Franca sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve dhe a kanë pajtim për një gjë të tillë para takimit të 29 prillit.

Gazeta Express për këtë çështje ka dërguar pyetje në adresë të zyrës së kancelares Angela Merkel, të cilët ri-përsërisin edhe një herë se qëndrimi i Gjermanisë kundër idesë për korrigjim të kufijve është i pandryshueshëm.

“Qëndrimi i Qeverisë Federale nuk ka ndryshuar. Në pikëpamjen e Qeverisë Gjermane, një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e zbatueshme në të dy vendet dhe që i kontribuon stabilitetit rajonal”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë Gazetës Express.

Ata thonë se interesi për stabilitet në Ballkanin Perëndimor i bashkon Francën dhe Gjermaninë.

“Nëse e ndiqni punën tonë rregullisht, atëherë e dini se sa e rëndësishme për Qeverinë Federale është stabiliteti dhe zhvillimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kjo sigurisht vlen edhe për qeverinë franceze”, theksohet në përgjigjen e tyre.

Në këtë takim të ftuar nga Macron dhe Merkel sipas tyre do të diskutohet në mënyrë të veçantë për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe thonë se nuk dihet ende plani i saktë i  këtij takimi në kryeqytetin gjerman.

“Së bashku me presidentin Macron, Merkel do të flasë me bashkëbiseduesit  rreth sfidave specifike në rajon dhe në veçanti gjendjen dhe raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës. Ne nuk e kemi ende gati programin e saktë, sepse planifikimi për këtë ngjarje ende nuk është i plotë. Ne do ta bëjmë publik atë në kohën e duhur”, thuhet ndër të tjera në këtë përgjigje të Qeverisë gjermane.

Por Gjermania dhe Franca, kanë pritshmëritë e tyre sa i përket këtij takimi, megjithatë thonë se nuk dëshirojnë që të ngarkojnë bisedimet, duke treguar paraprakisht se çfarë gatishmëri për kompromis presin nga Kosova dhe Serbia.

Sipas tyre takimi i krerëve të Kosovës dhe Serbisë në Berlin, është një hap për zhvillimet pozitive në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk dëshirojmë t’i pengojmë përgatitjet për këtë takim duke treguar se çfarë gatishmërie për kompromis pres nga palët. Në fakt, ky është një hap i interesit të drejtpërdrejtë, të cilin po e marrim për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor”, vazhdon përgjigja e tyre për Express.

Ndër të tjera në këtë përgjigje për Express kanë treguar se gjatë këtij viti Polonia do të organizojë një konferencë të madhe Ballkanike, si pjesë e procesit të Berlinit.

Ndërkohë sot gazeta vjeneze ‘Der Standard’, shkruan se me 29 prill në Berlin do të varroset ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Besnik Veliu, Express/



1 Comment

  1. kelyshet serborus rama e thaqi me zagarin e stanishiqit qe moti kan shitur kosoven. franqezet gjithmon kunder shqiptarve.mbeten vetem gjermanet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *