• |
ide | kryesore

Edy Reja kuqezi: Telefonata e Dukës, këshilla e Tares dhe hipoteza e ndryshimeve taktike…

F1, Sport



Një shtrëngim duarsh dhe firma në kontratë. Elegant, karizmatik dhe plot humor, Edy Reja është prezantuar si trajneri i Shqipërisë, duke marrë kështu pankinën e lënë bosh nga një tjetër italian, Christian Panucci, i shkarkuar pas humbjes në debutim me Turqinë në eleminatoret e Euro 2020. 73 vjecari nuk ka anashkaluar asgjë, duke filluar nga prezenca në Loro Borici, si skaut, e deri tek kontrata dhe puna që duhet të bëjë për të njohur lojtarët, si për tiu përgjigjur skeptikëve të moshës.

“Kontrata ime është deri në nëntor dhe më pas do të shohim nëse janë kushtet për të vazhduar më tej. Unë firmos zakonisht kontrata njëvjeçare, sepse janë rezultatet ato që vendosin. Nuk doja më të punoja me klube dhe për fat erdhi takimi me Dukën dhe mundësia për të drejtuar Shqipërinë”.

Ish-tekniku i Lazio dhe Atalanta nuk është pa njohje me mënyrën e lojës së kuqezinjve, edhe pse ndeshja me Turqinë i ka lënë një shije jo të mirë. Reja nuk ka ngurruar të tregojë edhe prapaskenën e telefonatës që e ktheu në lojë si trajner i Shqipërisë dhe sugjerimin e Igli Tares, me të cilin ka një njohje të vjetër.

“Më telefonoi presidenti Duka pasi kishte shkarkuar Panuccin dhe më tha nëse isha disponibël për të marrë drejtimin e skuadrës. I thashë është nder për mua, por më parë duhet të bëj disa vlerësime. E kisha parë Shqipërinë në disa ndeshje, me punën që bëja, dhe kishte rendiment tjetër nga ndeshja me Turqinë, që duhet pranuar se nuk ishte e nivelit të mirë. Igli Tare më telefonoi menjëherë dhe më tha cbën ende aty”.

Dilemat e zgjedhjeve taktike janë gjithnjë në mendjen e teknikëve, para cdo ndeshje, e jo më përpara se të marrë në dorëzim skuadrën dhe trë krijojë njohje të plotë me lojtarët. Reja është i tentuar të adaptojë skemën e tij të preferuar me tre lojtarë në mbrojtje, por sqaron se nuk dëshiron ti ndryshojë shumë filozofinë e skuadrës

“Kam parë skuadrën kombëtare që luan me 4 pas, në fakt me 3 jep më shumë garanci. Kam luajtur gjithnjë me tre në qendër, por duhet parë mënyra e lojës sepse lojtarët e krahut do të kenë një sforco të madhe. Në bazë të lojtarëve që do të kem do të vendos. Është një hipotezë, por nuk dua të ndryshojë shumë filozofinë e kësaj skuadre”

Nuk preferon të deklarojë objektiva, për shumë motive, por ambicja nuk i mungon Edy Rejas. Tekniku ka pohuar se do të qendrojë shumë shpesh në Tiranë, për të njohur lojtarët dhe bashkëpunëtorët, sepse koha shtrëngon dhe në qershor rinisin eleminatoret.

“Mendoj se Shqipëria ka potencial për të luajtur. Besoj se kjo skuadër mund të bëjë mirë. Mua më pëlqen të impostoj skuadra me logjike, të jenë skuadra agresive, por jo gjithmonë. Varet nga shumë situata, varet nga grupi. Çfarë stimujsh mund të ketë lojtari. Në këtë punë, kushdo që punon me kombëtaret, nga që si ka gjithë kohën lojtarët, duhet të hyjë në mënyrë sa më të shpejtë në sintoni me ta”

Trajneri ka folur edhe për situatat me Strakoshën e Lenjanin, duke u treguar diplomat si gjithnjë, por duke bërë të ditur se gjërat do të ndryshojnë me të në pankinë. Reja ka përzgjedhur edhe stafin me të cilin do të punojë, por do ti bëjë emrat të ditur javën e ardhshme, pasi të bëhet edhe zyrtarizimi i tyre.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *