• |
ide | kryesore

Rrezikoi më shumë Hamiti nga grushtat apo Kola nga gurët? Kamza u përjashtua, Besa ia hodhi me ndeshje pa tifozë

F1, Sport



Mbi një zyrtar të ndeshjes, e aq më tepër arbitrin e garës askush nuk mund të guxojë të vendosë dorë: ky është qendrimi i FSHF dhe shoqatës së arbitrave sa herë që mbi xhaketat e zeza është kryer ndonjë agresion… dhe kanë të drejtë. Vetëm se në drejtësi ka edhe interpretim dhe pikërisht këtu fillon të calojë puna. Grushtat mbi Eldorjan Hamitin fluturuan Kamzën në Kategorinë e Dytë, ndërsa shiu i gurëve (dhe jo të vegjël) i dënuan Besës vetëm tifozët…

Dy standarde, pikërisht kështu, sepse nëse u futën në fushë tifozët e Kamzës dhe goditën Hamitin në përfundim të Kamza-Laçi, tifozët e Besës në Kavajë nuk u futën vërtetë, por goditën me gurë asistentin Denis Rexha disa herë, përpara se Klajdi Kola të vendoste ti jepte fund ndeshjes në minutën e 78 të takimit. Situata degjeneroi në momentin e daljes nga fusha të lojtarëve të Bylis dhe treshes së arbitrave dhe një shi gurësh, që nuk kursyen as forcat e policisë, ra mbi arbitrat që nëse do të ishin goditur qoftë edhe nga një i vetëm do të kishin përfunduar shumë më keq se Hamiti në spital.

E mgjithatë, sipas vendimit të Disiplinës “KF “Besa, për sjellje të gabuar të spektatorëve dhe hedhje te sendeve të forta në fushën e lojës duke shkaktuar ndërprerjen përfundimtare të ndeshjes si dhe duke shkaktuar akte dhune, në bazë të Nenit 49/5 dhe 66/3/c të KDS, dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3 me 0 dhe zhvillimin e 8 (tetë) ndeshje pa spektator në stadiumin përkatës”.

Interesant si version, por duket qartë se nga zotërinjtë e Komisionit të Disiplinës, shkulja e pllakave të stadiumit të Kavajës dhe trajektoret e frikshme të tyre drejt kokave të Kolës, Rexhës, apo edhe Cekicit, pogradecarit të verdhezinjve që u përpoq ti mbronte, paskan qenë më pak të rrezikshme se sa goditjet që kamzalinjtë i dhanë Hamitit. Ose ndoshta FSHF ka qenë avangarde në vizion dhe thjesht ka dashur të shpëtojë Kategorinë e Dytë nga tejmbushja, duke aplikuar…dy standarde.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *